MACET DHE NJERËZIT NJË MARRËDHËNIE SIMBIOZË

Cute little red kitten sleeps on fur white blanket

Përgjatë tërë historisë së njerëzimit mes maceve dhe njerëzve ka ekzistuar një marrëdhënie e veçantë. Gjatë kësaj kohe ky raport ka pësuar ndryshime radikale nga kohërat e vjetra kur ato shikoheshin si hyjni e deri në kohët moderne kur ato janë bashkëjetues në shtëpitë dhe familjet moderne.

 

Aleatë të çmuar në luftën kundër minjve

Origjina e lindjes së marrëdhënieve mes maceve dhe njerëzimit mund të gjurmohet deri në lindjen e civilizimit. Madje ka dëshmi që macet e egra filluan që t’iu afroheshin vendbanimeve të para njerëzore në kërkim të ushqimit. Me ndryshimin e stilit të jetës së njerëzve nga fiset nomade në komunitete të përhershme agrikulturore, macet u shndërruan në aleatë të çmuar në luftën kundër kafshëve që ishin kërcënim për ushqimet e depozituara. Ishte pikërisht kjo marrëdhënie e dobishme për të dyja këto specia që i vendosi themelet e kësaj lidhjeje të simbiozës e cila do të thellohej me kalimin e kohës.

 

Macet si hyjni

Në Egjiptin e Lashtë, macet arritën në statusin e hyjnive si kafshë të shenjta që kishin lidhje me perëndeshën Bastet. Ato çmoheshin për aftësinë tyre për të mbrojtur të korrat nga minjtë si dhe për largimin e gjarpërinjve dhe akrepave. Për këtë arsye ato kishin një vend shumë të veçantë në shoqërinë egjiptiane. Ky nderim për macet shprehej me varrime të ndërlikuara dhe madje edhe mumifikimin e tyre, veprime këto që e pasqyrojnë rëndësinë e tyre në kulturën egjiptiane.

Macet dhe besëtytnitë e Mesjetës

Në Evropën Mesjetare, macet i gjejmë në një situatë plotësisht të kundërt. Për dallim nga kohët antike, në këtë periudhë njerëzit e pësuan një ndryshim drastik në perceptimin e tyre ndaj maceve. Ky ndryshim erdhi kryesisht si pasojë e besëtytnive të kohës dhe frikës që buronte nga lidhja që njerëzit e kësaj kohe ia jepnin maceve me shtrigat. Mirëpo, përkundër këtij perceptimi, macet vazhduan të vlerësoheshin për rolin e tyre në luftën kundër minjve, posaçërisht në zonat e atëhershme urbane në të cilat sëmundjet e bartura nga minjtë ishin tejet të pranishme.

 

Rikthimi i vlerësimit të dikurshëm

Rilindja e solli përtëritjen e interesimit të njerëzve për macet. Artistë të ndryshëm filluan që t’i pikturonin ato, kurse shkrimtarët filluan të lartësonin hirin dhe elegancën e tyre. shumë shpejt macet u kthyen në simbol të finesës dhe sofistikimit, andaj ato shpesh paraqiteshin përkrah aristokratëve dhe intelektualëve të kohës.

 

Miq të dashur dhe manarë shtëpie

Në epokën moderne, roli i maceve është rrënjosur si miq të dashur, që i pasurojnë jetët e miliona njerëzve në mbarë botën. Sot ato i shohim si kafshë manare të shtresave të larta me përkujdes maksimal, por edhe si gjuetar modest të minjve në zonat rurale. Natyre e tyre e pavarur bashkë me miqësinë e dashur, i ka bërë ato manarët ideal për ata që jetojnë vetëm apo për familje të tëra.

Gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit

Si përfundim, mund të thuhet se marrëdhënia e maceve me njerëzit është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të shoqërimi dhe respektit të ndërsjellë. Nga fillimet modeste vetëm si gjuetar të minjve deri në arritjen e statusit të tyre si anëtarë të çmuar të familjeve tona, macet kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit dhe do të vazhdojnë të na magjepsin me sharmin dhe bukurinë e tyre.