MAGJIA E DASHURISË: HISTORIA E DITËS SË SHËN VALENTINIT

Në qytetin antik të Romës, njëherë e një kohë jetonte një prift trim dhe zemërmirë me emrin Valentin. Ai besonte në fuqinë e dashurisë dhe rëndësinë e të ndihmuarit të të tjerëve. Por, ai nuk e kishte idenë që veprimet e tij të mirësisë do të frymëzonin një festë që ne sot e njohim si Dita e Shën Valentinit.

 

Kundërshtimi i perandorit për hir të dashurisë

Valentini jetoi në të njëjtën kohë kur perandori i Romës ishte Klaudiusi i II-të (Claudius II). Perandori i kishte ndaluar martesat, sepse ai besonte se meshkujt beqar ishin ushtarë më të mirë. Mirëpo, Valentini nuk pajtohej me këtë, prandaj ai fshehurazi filloi të kryente ceremoni martesore për çiftet e reja që ishin të dashuruar, duke i kundërshtuar kështu urdhrat e perandorit.

 

Fjalët për martesat e fshehta të Valentinit u përhapën shpejt si zjarri, dhe shumë çifte filluan që t’i drejtoheshin në kërkim të bekimeve të tij për lidhjet e tyre. Sidoqoftë, çiftet e reja nuk ishin të vetmet që dëgjonin për bëmat e tij. Mund ta merrni me mend tërbimin e perandorit kur ai dëgjoi për këtë mosbindje të hapur. Natyrisht ai urdhëroi që Valentini të burgosej menjëherë. Mirëpo, as burgosja nuk arriti që ta thyente këtë shpirt dashurues dhe mirëbërës.

 

“Nga Valentini yt”

Sipas legjendës, Valentini u miqësua me të bijën e kujdestarit të burgut, e cila ishte e verbër. Falë natyrës së tij të kujdesshme dhe fjalëve mbështetëse, në mënyrë të mrekullueshme ai arriti që t’ia rikthente shikimin asaj. Përpara se ta ekzekutonin, ai ia shkroi asaj një letër lamtumire të cilën e mbylli me fjalët “Nga Valentini yt,” një frazë kjo që u bë e famshme dhe e çmuar për tërë këta shekuj më radhë.

 

Guximi dhe dhembshuria e Valentinit i kanë prekur zemrat e shumë njerëzve, dhe trashëgimia e tij mbijetoi për shumë kohë pas vdekjes së tij. Me kalimin e kohës njerëzit filluan që të festonin 14 Shkurtin si Ditën e Shën Valentinit, një ditë që i dedikohet dashurisë, mirësisë dhe lumturisë së të qenit me njerëzit tanë të çmuar.

Mos hezitoni të falni dashuri, mirësi dhe lumturi

Sot kjo ditë festohet anekënd botës me lule, çokollata, dhe mesazhe të përzemërta. Mirëpo, para së gjithash, kjo ditë shërben për të rikujtuar historinë e pabesueshme të Valentinit dhe fuqinë e pathyeshme të dashurisë për të tejkaluar edhe sfidat më të vështira.

 

Kështu që, teksa e festoni Shën Valentinin sivjet, mos e harroni këtë njeri trim që guxoi të kundërshtonte një perandor për hir të dashurisë. Le t’ju shërbejë kjo histori si frymëzim për t’iu falur dashuri, mirësi, dhe lumturi të gjithë njerëzve që i keni përreth. Tek e fundit, dashuria është fuqia më magjike në botë.