MAJLINDA KELMENDI – ÇIKA E ARTË E KOSOVËS PENSIONOHET!

 

Në fillim të dhjetorit 2021, fituesja e parë e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi, e bëri të ditur që do të pensionohej për ta përfunduar karrierën e saj të shkëlqyer gjatë së cilës ajo i fitoi 29 medalje të arta, gjashtë të argjendta, dhe nëntë të bronzta, si dhe u shpall dy herë kampione e botës, katër herë kampione e Evropës, dhe në një periudhë të dominimit total ajo e fitoi katër herë radhazi turneun prestigjioz Paris Grand Slam, si dhe atë titullin e famshëm të Kampiones Olimpike si dhe titullin e Xhudistes më të mirë në vitin 2017 nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Falë sukseseve të saj shumëkush e cilëson atë si xhudisten më të mirë të të gjitha kohërave. Sidoqoftë, arritjet e tilla nuk janë të mundura pa shumë punë, përkushtim, dhe vullnet për sukses, por edhe disa dështime tek tuk, të cilat në rastin e Majlindës, sikurse me të gjithë kampionët e mëdhenj, vetëm sa e forcuan atë.

 

Një ceremoni meritore për sportisten që na bëri të besonim

Padyshim, lajmi për pensionimin e Majlindës bëri bujë, dhe siç e meritonte, komiteti Olimpik i Kosovës, nën patronatin e Presidentes së Kosovës, e organizoi një ceremoni për pensionimin e saj. me këtë rast personalitete të shumta vendore dhe ndërkombëtare e nderuan vajzën e cila e barti peshën e shpresave të tërë popullit të Kosovës dhe u kurorëzua kampione në Lojërat Olimpike Rio de Janeiro 2016.

 

Në fjalimin e saj lamtumirës, me zërin që i dridhej nga emocionet, Majlinda fillimisht e falënderoi familjen e saj për mbështetjen dhe dashurinë përgjatë këtyre viteve. Më pas ajo e falënderoi trajnerin e saj, Driton Kuka si arsyen kryesore për të gjitha sukseset e saj. Ajo theksoi se ai ishte i pari që besoi se Majlinda ishte kampionia e ardhshme e Kosovës e cila do ta pushtonte botën – dhe ajo e bëri këtë! Për më tepër, gjatë njëzet viteve të kaluara ajo ia arriti që t’i pushtonte edhe mendjet dhe zemrat tona. Modeste si gjithmonë, Majlinda e falënderoi edhe popullin e Kosovës për mbështetjen e tyre me shpresën se ia ka dalë që t’i bëjë të gjithë krenar me sukseset e saj.

 

Kundërshtari më i madh trupi i saj

Me fitore pafund, xhudistja jonë foli në një intervistë ekskluzive me Olympics.com (faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) që beteja më e madhe në karrierën e saj nuk erdhi nga ndonjë kundërshtar në tatami, por nga vet trupi i saj. “Pesë vitet e fundit kam pasur shumë lëndime, dhe ka qenë e vështirë për mua fizikisht dhe mendërisht…” Pasi vendosi që të shkonte në Tokio 2020, Kelmendi deklaroi se kurrë nuk kishte qenë më e përgatitur. Por, kur erdhi koha, trupi ishte në kundërshtim me mendjen e saj: “Ende mendoj që diçka duhej të kishte funksionuar atë ditë – ndoshta përvoja, fuqia, apo xhudoja ime – diçka duhet të kishte funksionuar. Ende nuk e kuptoj pse asgjë nuk funksionoi. Gjatë betejës, e dija se çka duhet të bëja. E dija si duhej të lëvizja. Mirëpo, trupi ime nuk më dëgjonte më,” pohoi Kelmendi për Olym;ics.com kjo deklaratë e saj vazhdon në drejtimin e ngritjes së vetëdijes së shoqërisë dhe diskutimit të hapur për atë se çka sportistët duhet të durojnë fizikisht dhe mendërisht për të qëndruar në majë.

 

Puna e zellshme çelësi i të gjitha sukseseve në sporte dhe në jetë

Sa i përket gjeneratave të reja, porosia e Majlindës është shumë e thjeshtë: “Kurrë nuk kam pasur talent! Mirëpo gjithmonë kam dashur të bëjë emër dhe atë në xhudo. Kam qenë shumë e vogël; mbase 10 ose 11 vjeçe, kur në doxhon tonë erdhi televizioni

kombëtar. Ata më pyetën ‘Çka dëshiron të bëhesh kur të rritesh?’ unë iu thash që dua të bëhem kampione. Më duheshin një ose dy vjet që të mësoja diçka dhe të provoja ta zbatoja në betejë. Mirëpo, kur e mësoja, kurrë nuk e harroja… Kam qenë punëtore tepër e zellshme. Nuk ekziston asnjë femër tjetër në botën e xhudos që punon si unë”- Majlinda Kelmendi.

 

Në fund nuk mbetet shumëçka që mund t’i themi Majlindës, çikës tonë të artë, përpos të falemi nderit për karrierën madhështore, dhe të falemi nderit që na bëre të besonim dhe që i mësove të rinjtë tanë që të ëndërrojnë ëndrra edhe më të mëdha!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE