MBAHET TRAJNIMI PAJTIMI DHE TRANSFORMIMI I KONFLIKTIT

 

Për tri ditë radhazi gazetarë nga media të ndryshme shqiptare dhe serbe (të shtypura, radio dhe TV) morën pjesë në trajnimin Pajtimi dhe Transformimi i Konfliktit. Siç edhe nënkuptohet nga emërtimi i këtij trajnimi qëllimi i këtij aktiviteti ishte që t’i trajnojë gazetarët pjesëmarrës në metodat e hulumtimit, raportimit për pajtimin dhe transformimin e konfliktit, si të ndërtojnë besimin e publikut, dhe si t’i transmetojnë qartë porositë. Trajnimi u organizua gjatë javës së kaluar nga OJQ Community Building Mitrovica (CBM) dhe i tërë aktiviteti u zhvillua në qytetin e bukur të Prizrenit.

 

Projekti i Pajtimit dhe Transformimit të Konfliktit

Sipas Milivoje Raiqeviq, nga kjo organizatë e shoqërisë civile, metodologjia e trajnimit ishte e përbërë nga prezantime, puna në grupe, diskutime ndërvepruese, dhe simulime. “Aktivitetet përbëheshin nga seancat teorike, analizimi i shembujve, dhe të gjithë pjesëmarrësit ndër vepruan me njëri-tjetrin dhe rrjedhimisht bashkëpunuan mes tyre. ky trajnim është pjesë e Projektit të Pajtimit dhe Transformimit të Konfliktit, i cili zbatohet nga CBM me mbështetjen e USAID në Kosovë,” shtoi Raiqeviq.

 

Roli i mediave në procesin e pajtimit

Trajnimi u zhvillua nga Serbeze Haxhiaj dhe Anamari Repiq, gazetare dhe redaktore me përvojë të gjatë në raportimin për konflikte, pajtim, dhe të përballurit me të kaluarën. “Gazetaria e Paqes synon që të theksojë shkaqet e dhunës, sepse ato ndikojnë në jetët e njerëzve në zonat e konfliktit si pjesë e shpjegimit të dhunës,” tha Serbeze Haxhiaj. Sipas saj, ky lloj i gazetarisë do të fillojë të shfaqet kur gazetarët të vendosin që të rrisin gjasat e paqes në cilindo raportim të tyre apo në çfarëdo rrethana. “Këto zgjedhje, duke e përfshirë edhe mënyrën se si ato ravijëzohen e krijojnë një atmosferë që e mbështetë paqen dhe nismat e paqes, pa i rrezikuar parimet themelore të gazetarisë profesionale,” shtoi ajo. Në anën tjetër, Anamari Repiq theksoi se është tejet e rëndësishme që mediat të prekin temat si pajtimi, duke shtuar që kjo në fakt është detyra e tyre: “Gazetaria profesionale e vërtetë e nxit pajtimin.” Ajo po ashtu vlerësoi që mediat e kanë një detyrë të dyfishtë. Së pari është detyra kryesore e mediave që të luftojnë gazetarinë që është e mbushur me urrejtje, lajme të rrejshme, dhe propagandë. Së dyti, mediat duhet të punojnë për një shoqëri më të mirë.

 

Në lidhje me rolin e mediave në procesin e pajtimit, Repiq tha që mediat e luajnë një rol vendimtar. “Roli i mediave është tepër i madh, i rëndësishëm dhe vendimtar dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Gazetarët duhet ta udhëheqin këtë proces, për ta nxitur shoqërinë që të mendojë ndryshe, për të kërkuar shembuj pozitiv në shoqëri, pasi që shembujt e tillë ekzistojnë,” përfundoi Repiq.

 

Mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar shkathtësitë e gazetarisë

Sylejman Sylejmani, gazetar nga RTV Dukagjini tha se ky trajnim i ka përmbushur të gjitha pritjet e tij: “Përmes këtij trajnimi kam mësuar se si t’iu qasem temave që kanë të bëjnë me pasojat e luftës. Po ashtu, kam mësuar për rëndësinë e gazetarisë së paqes në këto raste.” Me këtë vlerësim të tij u pajtua edhe gazetarja Gonxhe Konjufca nga Kohavision e cila shtoi: “Unë mendoj se roli ynë si gazetar vjen edhe me përgjegjësi të madhe e sidomos nëse flasim për gazetarinë e paqes, rëndësia e së cilës mund të kuptohet edhe nga vet emërtimi. Gazetaria e paqes mund të ndikojë për të mirë qoftë në individë e edhe në shoqëri kur raportimi dhe mbulimi i ngjarjeve vjen i balancuar me paraqitjen e problemeve, sfidave dhe ideve për paqe nga të gjitha palët e përfshira në një konflikt.” Kolegia e tyre Jelena Xhorxheviq nga redaksia serbe e kanalit RTK 2 theksoi që ky trajnim ishte një mundësi e mirë për të mësuar diçka të re nga përvoja e gazetarëve nga mediat e tjera. “Unë besoj që seminaret si ky janë një mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar shkathtësitë tona të gazetarisë duke u bazuar në shembuj konkret,” tha Xhorxheviq.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE