MBAJË DISTANCË: MBROJE VETEN DHE TË TJERËT!

 

Larja e duarve, bartja e maskës, mbajtja e distancës…Me siguri i keni dëgjuar shpesh këto tri rregulla. Përse janë të rëndësishme? Sekush mund të merr dhe përhapë COVID-19. Por, secili prej nesh e ka për detyrë që të ngadalësojë përhapjen e virusit dhe të mbrojë veten, familjen dhe shoqërinë. Duke i respektuar saktë këto tri rregulla, parandalojmë përhapjen e pandemisë dhe ndikojmë në drejtimin e të ashtuquajturës lakore, me fjalë tjera zvogëlimin e numrit të të infektuarve.

 

Në vijim ju mund të lexoni se çka është distanca fizike dhe ajo shoqërore dhe përse është e rëndësishme mbajtja e distancës.

 

Përse është e rëndësishme mbajtja e distancës?

COVID-19 përhapet kryesisht midis atyre që kanë qenë në kontakt të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore. Përhapja ndodh me stërkala. Një person i infektuar kollitet, teshtin ose flet, dhe stërkalat nga goja ose hunda e personit të infektuar arrijnë në ajër dhe te një person i cili, për shembull, nuk është i infektuar. Stërkalat mund të thithen edhe në mushkëri. Virusi mund të përhapet edhe nga ata që nuk e dinë ende se janë të infektuar. Prandaj, është e rëndësishme mbajtja e distancës prej të paktën dy metrash. Mbajtja e distancës në shoqëri është veçanërisht e rëndësishme për ata që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes së rëndë të shkaktuar nga korona virusi.

 

Qëndrimi në shtëpi është gjithashtu i rëndësishëm kur keni simptoma të COVID-19 ose të ngjashme me to, ose kur keni qenë në kontakt të ngushtë me dikë që ka COVID-19. Prandaj, është e rëndësishme, që të qëndroni në shtëpi dhe larg njerëzve të tjerë derisa të jeni të sigurt se mund të jeni afër të tjerëve.

 

Distanca fizike dhe shoqërore ndihmon në kufizimin e mundësive për kontakt me sipërfaqet e kontaminuara dhe njerëzit e infektuar jashtë shtëpisë.

 

Distanca fizike dhe shoqërore

Le të sqarojmë se çka është njëra e çka tjetra. Distancimi shoqërorë është strategji e cila dallon nga distanca fizike. Ka dallim, por qëllimi i të dyjave është i njëjtë.

 

Distanca shoqërore në praktikë nënkupton qëndrimin në shtëpi sa më shumë që është e mundur, larg të tjerëve në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

 

Për këtë, p.sh., praktika e mësimit në distancë, punës nga shtëpia, komunikimit përmes internetit, të gjitha këto janë përdorur për të zëvendësuar kontaktin personal. Pra, distanca shoqërore është term që më parë është përdorur në pandemi, sepse shumica prej nesh kanë qëndruar në shtëpi për të parandaluar përhapjen e virusit.

 

Distanca fizike, në anën tjetër është praktika e mbajtjes së distancës prej dy metrash nga të tjerët në mënyrë që të shmanget infektimi me sëmundje sikurse është COVID-19. Na kujtohet kur vitin e kaluar kemi qëndruar për më shumë se dy muaj në shtëpi, më vonë erdhi hapja në shoqëri dhe kemi kaluar më shumë kohë në publik. Distanca fizike përdoret për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së hapësirës fizike kur jemi në vende publike.

 

Ndërprisni zinxhirin

Që nga fillimi i pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka informuar publikun pse është e rëndësishme të ruhet distanca fizike dhe shoqërore. Ndër të tjera sepse:

 

– Asnjëherë nuk mund ta dimë sigurt nëse dikush është i sëmurë me COVID-19;

– Kufizimi i tubimeve me njerëz që nuk janë familjarë të juaj – sikurse aktivitetet grupore dhe ato fetare mund të zvogëlojë përhapjen e COVID-19;

– Madje edhe aktivitetet në grupe të vogla mund të çojnë në përhapje të COVID-19, pra të zëvendësohen me ato përmes internetit;

– Nëse kërkohet nga ju që të vetë izoloheni apo të qëndroni në karantinë, sigurisht se ka një arsye të mirë për këtë. Askush nuk dëshiron që të jetë përgjegjës për sëmurjen e të tjerëve, mbroni veten tuaj dhe të tjerët, ndërprisni zinxhirin e bartjes së COVID-19.

 

Alternativat

 

  • Mund të jemi të lidhur shoqërisht edhe kur jemi të larguar fizikisht, për shembull, me video lidhje.
  • Ndoshta keni dëshirë që të shkoni në palestër, të luani sporte kolektive apo të merrni pjesë në orë të stërvitjeve, por, këto aktivitete na sjellin në kontakt të afërt me të tjerët. Qëndroni aktiv në shtëpi apo në ambient të hapur duke ruajtur distancën prej dy metrave;
  • Përshëndetjet në formë të përqafimeve, dorë për dore, më parë ka qenë pjesë e përditshmërisë sonë, por na sjell në kontakt të drejtpërdrejt me të tjerët dhe mund të shkaktoj përhapje të COVID-19. Mbajtja e distancës është e mundur edhe gjatë përshëndetjeve, kurse përqafimin, për shembull, mund ta zëvendësoni me prekjen e grushteve.

 

Të mbrojmë veten dhe të tjerët!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE