Javën që shkoi, fëmijët dhe familjet që pranojnë shërbime nga shoqatat “HANDIKOS” dhe “Autizmi” në Prishtinë e patën mundësinë që të përfitojnë trajtime osteopatike pa pagesë, falë angazhimit të një ekipi profesionistësh nga organizata joqeveritare italiane “Kairos”. Këto trajtime ishin të fokusuara në mirëqenien fizike dhe emocionale të fëmijëve me nevoja të veçanta, dhe u mundësuan në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet këtyre shoqatave dhe organizatës “Kairos”. Një element kyç për realizimin e këtij bashkëpunimi ishte mbështetja nga LMT K8 i KFOR-it në Prishtinë, të cilët ndihmuan në vendosjen e kontakteve dhe koordinimin me autoritetet përkatëse, duke u siguruar që ndihma të arrijë aty ku nevojitet më shumë. Për shumë prindër, trajtimet ishin një ndihmë e madhe, pasi që këto shërbime janë të rralla dhe me kosto të lartë në Kosovë. Sipas znjsh. Gresa Stublla, Menaxhere Programi në HANDIKOS, ky bashkëpunim është një shembull i përkushtimit për gjithë përfshirje dhe barazi, ku aktorët lokalë dhe ndërkombëtarë bashkëpunojnë për ta përmirësuar jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Osteopatia si mundësi e re për fëmijët me nevoja të veçanta

Që nga viti 2023, organizata “Kairos” ka zhvilluar aktivitete në Kosovë, duke i prezantuar trajtimet osteopatike në Klinikën e Pediatrisë në QKUK (Qendrën Klinike Universitare të Kosovës). Qëllimi i trajtimeve është lehtësimi i dhimbjeve dhe përmirësimi i funksioneve fizike, duke ndihmuar fëmijët në zhvillimin e muskujve, kockave dhe mirëqenies emocionale. Pikërisht, kjo është arsyeja pse shumë shpejt pas vizitës së parë në Kosovë nga këta specialistë, organizata “Kairos” nënshkroi memorandum bashkëpunimi me QKUK-në si dhe me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës që ata të vazhdojnë të ofrojnë shërbime osteopatike në të gjitha klinikat e Kosovës. Mirëpo, sa herë që ekipet e “Kairos” janë në Kosovë ata kontaktojnë edhe me LMT-të e KFOR-it për të vendosur kontakte edhe me organizata të tjera si “HANDIKOS” dhe “Autizmi” në mënyrë që këto shërbime t’ua ofrojnë sa më shumë fëmijëve por, edhe t’i këshillojnë prindërit në mënyrë që të ndihmojnë në efektin afatgjatë të këtyre ndërhyrjeve.

 

Se sa të rëndësishme janë këto vizita dhe shërbime foli edhe Hatixhe Hoxha, Drejtoresha e Qendrës dhe Shoqatës “Autizmi” në Prishtinë. “Në Kosovë tashmë kemi bërë mjaft përparime në trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve për këta fëmijë por, kemi ende punë për të bërë dhe bashkëpunimet dhe shkëmbimet e përvojave të tilla janë tejet të çmuara. Nuk duhet të harrojmë se çdo shërbim që ofrohet për fëmijët me autizëm është shumë i kushtueshëm, prandaj vizitat e tilla falas janë lehtësim i mirëseardhur i kësaj barre për prindërit dhe tejet njëherit tejet i çmuar.”

Mbështetje përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit

Një tjetër aktivitet që LMT K8 e mbështeti kohët e fundit, ishte mini-maratona humanitare “Të vrapojmë së bashku me fëmijët 2025”. Sipas z. Burim Krasniqi nga organizata “Replay Peace”, ky është edicioni i gjashtë i kësaj mini-maratone, qëllimi i së cilës është grumbullimi i fondeve për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve që trajtohen në QKUK dhe organizatat e ndryshme. Siç edhe e theksoi rreshteri i klasit të parë Cory Grogan ishin pjesëtarët e LMT K8 ata që ofruan mbështetje organizative si dhe e siguruan pjesëmarrjen e ushtarakëve të KFOR-it, pavarësisht kushteve aspak të përshtatshme atmosferike. Ai vazhdoi më tej duke e theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në aktivitete të tilla, të cilat ndërtojnë një ndjenjë të përbashkët solidariteti dhe mirëkuptimi.

 

Rezultati përfundimtar i kësaj mini-maratone ishte sigurimi i veshjeve, lodrave, batanijeve dhe artikujve të tjerë për 300 fëmijë që trajtohen në QKUK gjegjësisht në Klinikën e Hemato-Onkologjisë, Klinikën e Infeksioneve, Klinikën e Logopedisë dhe në Klinikën e Psikiatrisë, si dhe në organizatat si HANDIKOS dhe Autizmi. Krye-infermierja e Hemato-Onkologjisë znj. Edita Ramadani Krajkova, theksoi se ndihmat dhe dhuratat e tilla sjellin gëzim dhe shpresë në repartin ku trajtohen fëmijët çdo ditë.

 

Roli i partnerëve mbështetës si LMT K8

Edhe pse LMT K8 nuk është organizator i drejtpërdrejtë i këtyre nismave, roli i tyre si lehtësues dhe mbështetës mbetet thelbësor. Ata ndihmojnë në koordinimin e aktiviteteve dhe ndërlidhjen e aktorëve të ndryshëm, duke u siguruar që ndihma të arrijë ku nevojitet më së shumti. Komandanti i LMT K8, kapiteni Federico Russotto theksoi se është e rëndësishme që të mos harrohet se çdo ndihmë sado e vogël mund të ketë ndikim të madh për ata që kanë nevojë. “Po ashtu përmes këtyre veprimeve, ne tregojmë se KFOR-i është i pranishëm dhe i gatshëm të ndihmojë kudo dhe kurdo të gjithë njerëzit në Kosovë,” shtoi ai.

Një përkushtim i vazhdueshëm për një shoqëri më gjithëpërfshirëse

Përmes këtij bashkëpunimi shumëpalësh, shoqatat vendore, profesionistët ndërkombëtarë dhe mbështetës si LMT K8 kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ky angazhim i përbashkët e përmirëson jo vetëm shëndetin fizik dhe emocional të fëmijëve, por edhe i forcon themelet e një shoqërie më të ndjeshme dhe gjithë përfshirëse. KFOR-i është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë dhe mbështesë të gjithë njerëzit në Kosovë, pa dallim. Përveç rolit të tyre në siguri, ata janë partnerë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse. KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat lokale për të përmirësuar jetën e personave me nevoja të veçanta dhe për të krijuar kushte më të mira për të gjithë njerëzit në Kosovë.