MBETJET E PTEROSAURIT MË TË MADH NGA KOHA E XHURASIKUT GJENDEN NË SKOCI

 

Ky zbulim tregon se pterosauri me shtrirje të krahëve prej 2,5 metra ka ekzistuar 25 milionë vite më herët se sa që është menduar më parë.

 

Mbase sot njihet më së miri për lundërzat (vidrat) dhe zogjtë pufin, por shkencëtarët kanë zbuluar që para 170 milionë viteve Ishulli i Skaj (Skye), ishte shtëpia e një zvarraniku gjigand fluturues me shtrirje të krahëve më të madhe se sa gjerësia e një autobusi modern.

 

Kërkuesit e fosileve në Skoci thonë se i kanë gjetur mbetjet e pterosaurit më të madh në botë nga periudha e xhurasikut, duke shtuar qe kjo krijesë – e njohur jo zyrtarisht si pterodaktil – po ashtu e kishte gojën përplot me dhëmbë të mprehtë për të kapur dhe shqyer peshqit.

 

Me një shtrirje të krahëve 2,5 metra ose edhe më të gjatë – aq sa edhe madhësia e zogjve më të mëdhenj fluturues sot, si albatrosi shtegtar – kjo krijesë hedh dritë të re në evolucionin e pterosaurit, duke pasur parasysh që besohej se ata e kanë arritur madhësinë e tillë vetëm 25 milionë vjet më vonë.

 

“Kur kjo krijesë jetonte rreth 170 milionë vjet më parë, ajo ishte kafsha më e madhe që kishte fluturuar ndonjëherë, të paktën me aq sa kemi njohuri ne,” deklaroi Stiv Brusat (Steve Brusatte), bashkë-autori i studimit nga Universiteti i Edinburgut.

 

“Ne me të vërtetë e kemi kthyer prapa në kohë evoluimin e pterosaurit të madh,” tha ai. Brusat vazhdoi më tej duke theksuar që gjetjet e mëhershme sugjeronin se pterosauri nuk ishte rritur më shumë se 1,6 deri në 1,8 metra në shtrirjen e krahëve gjatë periudhës së xhurasikut, dhe se ata i kishin arritur përmasat më të mëdha vetëm gjatë periudhës së kretakut.

 

Rreth 66 milionë vite më parë një asteroid e goditi Tokën dhe i zhduku pothuajse të gjitha format e jetës në të.

Sipas Brusat, në fund të periudhës së kretakut jetonin pterosaurë që e kishin madhësinë e një aeroplani modern luftarak. Përndryshe, kjo është koha kur 66 milionë vite më parë, Toka u godit nga asteroidi, i cili i zhduku të gjithë dinozaurët jo fluturues, pterosaurin, si dhe një mori të krijesave të tjera.

 

Rëndësia e këtij zbulimi është se ai e vë në dyshim idenë që konkurrenca me zogjtë mund ta ketë shtyrë fillimisht shpërthimin në madhësinë e pterosaurit. Zogjtë kanë evoluar nga dinozaurët në kohën kur ky pterosaur ishte gjallë, dhe sipas Brusat, ata mund të kenë ushtruar presion evolutiv që pterosaurët të rriteshin edhe më shumë.

 

Ndonëse kjo nuk është hera e parë që në Mbretërinë e Bashkuar gjenden fosile të pterosaurëve, zbulimi i ri, i pagëzuar Dearc sgiathanach, që në keltishten e Skocisë do të thotë “zvarraniku më krahë” dhe “zvarraniku nga Skaj (Skye)”, shquhet edhe për tërësinë e fosilit. Rreth 70% e tij është ruajtur dhe kjo është e jashtëzakonshme për një pterosaur, pasi që ata fosilizohen me shumë vështirësi. Sipas ekspertëve pjesë të mureve të eshtrave të këtij fosili nuk janë më të trasha se sa një fletë e letrës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE