MBETJET SHPËRTHYESE NUK FALIN

 

 

E vërteta më e dukshme për të gjitha konfliktet është se ato kanë efekte shkatërruese që zgjasin për dekada të tëra. Këto efekte paraqiten në forma dhe mënyra të ndryshme, por ajo që dallon nga të gjitha është kërcënimi nga minat dhe mjetet e pashpërthyera (si bombat, raketat, granatat dhe llojet e tjera të armëve të pashpërthyera), të cilat bashkërisht njihen si mbetjet shpërthyese të luftës (MSHL).

 

Minat nuk falin

Problemi me pastrimin e MSHL-ve është serioz sepse është e pamundur që të gjenden dhe largohen të gjitha këto objekte për ta bërë tokën tërësisht të sigurt. Siç është theksuar në një raport të Kombeve të Bashkuara, minat nuk e bëjnë dallimin në mes të ushtarëve apo një civili, bujkut në punë, apo fëmijëve teksa luajnë. Ato, nuk i njohin armëpushimet. Për zonat që janë duke e marrë veten nga konfliktet, këto MSHL e pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror-ekonomik. Ato e bëjnë tokën bujqësore të pashfrytëzueshme, e kufizojnë qasjen në ujë, e pengojnë ndërtimin e shkollave, i pengojnë nxënësit dhe mësuesit nga zhvillim i mësimit, dhe e pengojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.

 

Kërcënimi vazhdon të jetë i pranishëm

Ta marrim shembullin e Kosovës. Edhe njëzet e dy vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur, disa zona vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga minat dhe mjetet e pashpërthyera. Këto lokacione përkufizohen si Zona të Rrezikshme ose Kërcënuese.

 

Në lidhje me praninë e MSHLve në Kosovë, z. Ciprian Andrica, Shefi i Menaxhimit të Trajtimit të Eksplozivëve në KFOR, theksoi se rajonet më të rrezikshme janë në perëndim dhe juglindje të Kosovës. Sipas tij, në këto zona gjenden mina dhe mbetje të tjera të pashpërthyera. Përderisa, Kosova Veriore është më shumë e prekur nga mjetet e pashpërthyera, të cilat vazhdojnë ta zvogëlojnë sigurinë e njerëzve.

 

Znj. Vanja Sikirica, Drejtoreshë e Ndihmës Popullore Norvegjeze në Kosovë, e konfirmoi që kërcënimi nga MSHL-të vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë. Sipas saj, NPN i ka përqendruar aktivitetet e veta të çminimit në veri të Kosovës, posaçërisht në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Podujevë.

 

KFOR – pjesë aktive e sistemit reagues për çminim (EOD – Explosive Ordinance Response) të Kosovës

Në lidhje me përpjekjet aktuale për çminim që janë duke u zhvilluar në Kosovë, të dy të intervistuarit tanë theksuan se të gjitha aktivitetet e tyre zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Kosovës për Veprim ndaj Minave, organizata ombrellë e cila i koordinon të gjitha aktivitetet e veprimit ndaj minave. Sa i përket kontributit të KFOR-it në adresimin e kësaj çështjeje therëse, z. Andrica deklaroi: “KFOR-i në koordinim të ngushtë me praninë ndërkombëtare, ia ka arritur që të ndërtojë reagimin për çminimin dhe emergjencat për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) në Kosovë.” Kjo do të thotë që nëse e thirrni Policinë e Kosovës (PK) në numrat 192 ose 112, për të raportuar praninë e një mjeti të dyshimtë, PK do ta siguroj vendin dhe Ekipi për Bomba i PK-së mund të intervenojë. Por, nëse objekti është një MSHL, atëherë një ekip i EOD nga organizata çminuese aktive në atë zonë do të përfshihet për të zgjidhur incidentin, përderisa, KFOR-i është i gatshëm që t’i

mbështesë kudo dhe kurdo që është e nevojshme.

 

Raportoni të gjitha objektet e dyshimta

Në fund z. Andrica shtoi: “Gjatë vitit 2021, operacionet humanitare të çminimit u ndikuan nga pandemia e COVID-19, por aktiviteti nuk u ndërpre. Ai vazhdoi të zhvillohej nga të gjitha organizatat e angazhuara për çminim. Një sipërfaqe totale prej më shumë se tre milionë metra katrorë u pastrua, dhe 851 mina dhe mjete shpërthyese u zbuluan dhe u asgjësuan.

 

Znj. Sikirica theksoi se të gjithë ata që jetojnë ose i vizitojnë zonat potencialisht të rrezikshme duhet të jenë të kujdesshëm. Nëse e shihi ndonjë mjet të dyshimtë, qëndroni larg, dhe mos iu afroni kurrë. Por, shënojeni vendin nga një zonë e sigurt, në mënyrë që edhe të tjerët të njoftohen, dhe menjëherë lajmërojeni PK-në.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE