ME ANGAZHIM TË PËRBASHKËT DO TA MUNDIM COVID-19

 

Viti 2020 do të mbahet mend gjatë për vështirësitë që u krijuan në të gjitha fushat e jetës dhe në mbarë botën për shkak të pandemisë së COVID-19. Këto vështirësi, u manifestuan në forma të ndryshme por, më kryesorja ishte nevoja që të gjithë ne të ndryshonim sjelljen tonë duke zbatuar masa të rrepta të higjienës personale sidomos pastrimit ose dezinfektimit të duarve, bartjes së maskave si dhe mbajtjes së distancës sociale.

 

Zhvillimi i mësimit të rregullt një ndër sfidat më të mëdha

Sigurisht, zhvillimi i rregullt i mësimit me praninë fizike të nxënësve në shkolla, ishte një ndër sfidat më të mëdha me të cilat u përballëm jo vetëm në Kosovë por, në mbarë botën. Gjithsesi, angazhimi i të gjitha autoriteteve kompetente por, edhe i prindërve, nxënësve, dhe mësimdhënësve mundësuan që viti shkollor 2020-2021 ndonëse me ndryshime dhe përshtatje të zhvillohet nëpër shkolla.

 

Ekipi ynë pati rastin që të takohej me zonjushën Rita Kurteshi, një nxënëse e dalluar në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë dhe Njëherit edhe Kryetare e Këshillit të Nxënësve, dhe të bisedonte me të në lidhje me zbatimin e masave kundër COVID-19 në shkollën e saj. Gjatë bisedës sonë ajo në mes të tjerash theksoi se të gjithë nxënësit e këtij gjimnazi janë angazhuar maksimalisht që t’i zbatojnë masat kundër COVID-19 të rekomanduara nga autoritetet kompetente. Mirëpo, sipas saj, ka pasur ndonjë rast aty këtu kur, për arsye të ndryshme ndokush ka pasur nevojë për ta ndihmuar apo edhe për t’ia rikujtuar rëndësinë e respektimit të masave në fjalë.

 

Bartja e maskave mënyra më e mirë për parandalimin e koronavirusit

“Është e rëndësishme që të ndihmojmë njëritjetrin me masat kundër COVID-19. Është mjaft e lehtë që të harrojmë por, edhe më e lehtë që t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se bartja e maskave është e domosdoshme dhe një ndër mënyrat më të mira për parandalimin e koronavirusit,” shtoi zonjusha

Rita Kurteshi. Ajo vazhdoi më tej duke e lavdëruar edhe administratën dhe mësimdhënësit e shkollës, të cilët kanë qenë gjithmonë të gatshëm për t’i ndihmuar dhe përkrahur nxënësit duke siguruar dezinfektues të mjaftueshëm, organizimin e hapësirave në mënyrë që nxënësit gjithmonë të jenë të vëmendshëm për lëvizjet dhe rolin e tyre në luftën kundër pandemisë e madje edhe me sigurimin e maskave për ata që kishin nevojë.

 

Pse duhet bartur maskat?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), bartja e maskave është pjesë e strategjisë gjithëpërfshirëse për të parandaluar përhapjen dhe për të shpëtuar jetët e njerëzve. Gjithnjë, sipas OBSH-së, bartja e maskave duhet të jetë një sjellje e zakonshme kur jemi afër njerëzve të tjerë.

 

Në anën tjetër, në një sërë këshillash të publikuara nga UNICEF-i për familjet kundër COVID-19, theksohet se kjo sëmundje përhapet përmes spërkalave të cilat njerëzit i nxjerrin jashtë kur flasin, këndojnë, kolliten apo teshtijnë. Sipas studimeve të deritanishme dihet se virusi mund të përhapet edhe nga njerëz të cilët nuk shfaqin asnjë simptomë, gjegjësisht se disa njerëz mund të jenë të infektuar dhe të mos e dinë këtë. Kjo është një prej arsyeve pse mbajtja e distancës fizike dhe pastrimi i duarve janë tejet të rëndësishëm.

 

Vetëm bartja e maskave nuk mjafton

OBSH, thekson se vetëm bartja e maskave nuk është e mjaftueshme që njerëzimi ta mund këtë kërcënim global sa më shpejt që të jetë e mundur. Krahas bartjes së maskave, ne duhet edhe të mbajmë distancën dhe t’i shmangim tubimet e mëdha (të çfarëdo natyre qofshin ato) si dhe të mbajmë higjienën personale, gjegjësisht t’i pastrojmë me sapun apo dezinfektojmë duart sa më shpesh që të jetë e mundur dhe njëherit, të mos e prekim fytyrën me duar.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE