MENDO PARA SE TË KLIKOSH – MPOSHT KURTHET E INTERNETIT

Interneti është përplot video, foto, lajme dhe mesazhe. Ne i hapim, i shikojmë, dhe shpërndajmë por, jo gjithçka që e shohim në internet është e vërtetë. Ka njerëz që krijojnë përmbajtje të rreme me qëllim. Këta individë, të njohur si element armiqësorë, duan të të mashtrojnë, të të zemërojnë ose të të ngatërrojnë. Ndonjëherë, shtiren sikur janë nga qyteti yt apo nga shkolla jote. Të tjera herë, përhapin gënjeshtra për organizata si KFOR-i apo NATO-ja. Dezinformimi nuk është thjesht një shaka apo një gabim, ai është një armë që përdoret për të prishur besimin, për të nxitur urrejtje dhe për të krijuar frikë. Fatmirësisht, është në dorën tënde që ta ndalosh. Duke u menduar mirë, duke bërë pyetje dhe duke i raportuar përmbajtjet e dyshimta, ti e mbron veten, miqtë, shkollën e madje edhe komunitetin tënd.

 

Profilet e rreme nuk janë vetëm bezdisëse, por edhe të rrezikshme

Rrjetet sociale janë të mbushura me njerëz që nuk i njeh, dhe jo të gjithë ata që i shihni në rrjet janë ashtu si ata pretendojnë se janë. Profilet e rreme krijohen lehtë dhe shpesh përdorin foto të vjedhura, emra të çuditshëm dhe mesazhe që duken të dyshimta. Këto llogari mund të duken miqësore, por synimi i tyre është të mbledhin informacion personal apo të përhapin gënjeshtra që krijojnë ndasi.

 

Disa prej tyre shtiren sikur janë vendas, përdorin emra apo shprehje të njohura për të krijuar besim. Mund të të dërgojnë mesazhe me pyetje të çuditshme apo të përpiqen të ndikojnë në mendimin tënd për tema serioze. Ata mund të postojnë përmbajtje kundër paqeruajtësve, të shpërndajnë lajme të rreme për KFOR-in apo të dërgojnë lidhje të dyshimta. Rreziku qëndron tek fakti se këto profile shpesh duken normale. Ato mund të postojnë citate, imazhe me humor apo selfie.

 

Nëse një profil duket i çuditshëm, është krijuar rishtas, nuk ka foto reale apo të bën pyetje personale, mos iu përgjigj. Mos e shpërndaj përmbajtjen e tyre. Raportoje atë llogari dhe bllokoje. Ky veprim ndihmon për të ndalur përhapjen e gënjeshtrave.

 

Jo çdo tregim apo video e tregon të vërtetën

Është e lehtë të besosh diçka që duket dramatike. Një video e shkurtër me një titull të fortë mund të bëhet virale shumë shpejt. Një artikull me titull tronditës mund të shpërndahet qindra herë para se dikush të kontrollojë nëse është i vërtetë. Zakonisht, këto tregime e përdorin frikën apo zemërimin për të tërhequr vëmendjen, e nganjëherë edhe përdorin video të vjetra nga vende të tjera të cilave iu vendosin tituj të rinj për t’i bërë të duken si të reja. Të tjerë i montojnë pamjet për të fshehur të vërtetën. Qëllimi i tyre nuk është të informojnë, por të shkaktojnë konfuzion. Ndonjëherë ata duan të dëmtojnë besimin ndaj grupeve si KFOR-i, EULEX apo Kombet e Bashkuara. Tjera herë ata synojnë të nxisin përçarje brenda komunitetit tënd.

Kjo është arsyeja pse para se të besosh apo të shpërndash diçka, duhet t’i bësh disa pyetje. Nga vjen ky postim? A është nga një burim i besueshëm? A është publikuar edhe diku tjetër? Nëse diçka duket tepër ekstreme apo kërkon që të reagosh menjëherë, ndalu dhe mendo. E vërteta kurrë nuk ka nevojë për mashtrime.

 

Ti e ke fuqinë ta bësh internetin më të sigurt

Lundrimi në internet duhet të jetë argëtues dhe i sigurt. Mirëpo, siguria nuk vjen vetëm nga fjalëkalimet. Ajo fillon nga zgjedhjet e mençura. Çdo herë që vendos të mos shpërndash një postim të rremë, e dobëson atë. Kur e raporton një profil të dyshimtë, ndihmon edhe të tjerët. Kur mendon para se të klikosh, ti e mbron veten, familjen, shokët dhe komunitetin tënd. Kërcënimet kibernetike nuk janë gjithmonë të dukshme. Ato nuk paraqiten vetëm si viruse, por edhe si komente apo mesazhe që duken të zakonshme. Pas tyre mund të fshihet një plan për të përhapur gënjeshtra apo për të shkaktuar dëm. Prandaj, është e rëndësishme të jesh vigjilent.

 

Nuk ke nevojë të jesh ekspert teknologjie për të qenë i sigurt në internet. Mjafton të jesh kureshtar, i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm. Edhe veprimet më të vogla, si kontrollimi i burimit të një postimi apo raportimi i një mesazhi të dyshimtë, mund të ndalojnë diçka të rrezikshme përpara se të përhapet.

 

Në botën e sotme, të jesh i mençur në internet është po aq e rëndësishme sa të jesh i kujdesshëm në jetën reale. Interneti ka përmbajtje argëtuese dhe mjete të dobishme, por edhe kurthe. Disa janë të lehta për t’u zbuluar, të tjerat fshihen pas emrave të rremë dhe postimeve miqësore. Dezinformimi është i fuqishëm, por bëhet i dobët kur të rinjtë qëndrojnë të vëmendshëm. Çdo herë që mendon para se të klikosh, ti e zgjedh të vërtetën përpara gënjeshtrës, sigurinë përpara rrezikut dhe bashkimin përpara përçarjes.

TEXT BOX

🔍 5 shenja që tregojnë se diçka në internet mund të jetë e rreme:

  1. Nuk ka foto apo video personale
  2. Emër përdoruesi i çuditshëm apo profil i kopjuar
  3. Tituj emocionalë ose ekstremë
  4. Mesazhe që kërkojnë informacione personale

 

⚠️ Kujdes:

Dezinformimi është një armë digjitale që e dëmton besimin dhe paqen. Mos ndihmo në përhapjen e tij.

Si të veprosh:

  • Mendo para se të klikosh
  • Kontrollo faktet
  • Raporto profilet dhe përmbajtjet e dyshimta

💡 Tregohu i zgjuar. Qëndro i sigurt. Mbro atë që ka rëndësi në jetën virtuale dhe atë reale.