MIKELANGJELO DHE PIKTURIMI I KAPELËS SISTINE

 

Për më shumë se një gjysmë mileniumi (më shumë se 500 vjet) Kapela Sistine është një kapsulë kohore e artit të pikturës së Rilindjes (Renesancës), në pikturimin e së cilës morën pjesë përfaqësuesit më të rëndësishëm të Rilindjes.

 

E ndërtuar në lokacionin ku dikur gjendej Kapela e Madhe (Cappella Magna), Kapela Sistine është Kisha e Papëve, në Pallatin e Vatikanit, e cila u ndërtua në vitet 1473-1481 nga arkitekti Giovanni dei Dolci me porosi të Papës Sikstus i IV (Sixtus IV), prej nga edhe vjen emri Kapela Sistine.

 

Afresket e punuara nga mjeshtrit më të mëdhenj të kohës

Papa Sikstusi i IV, po ashtu i angazhoi edhe artistët më të njohur të Rilindjes si Perugino, Pinturicchio, Sandro Botticelli, Domenico Ghirlandaio, dhe Cosimo Rosselli, të cilët i pikturuan afresket e mureve të cilat i paraqesin ngjarjet nga jeta e Krishtit, Moisiut si dhe pamjet e disa Papëve.

 

Pa dyshim, fama botërore e kësaj kishe vjen nga afresket në tavanin dhe murin perëndimor të saj, të cilat janë pikturuar nga Mikelangjelo, i cili u angazhua për të pikturuar këtë kryevepër të tij nga Papa Julius i II, pasuesi i Papës Sikstus IV. Ekzistojnë shumë tregime se si pikturimi i Kapelës Sistine ishte një proces tejet i dhimbshëm për Mikelangjelon. Madje, ai e urreu këtë detyrë aq shumë sa që e shkroi një poezi për të.

 

Poezia e dëshpërimit të Mikelangjelos

Mikelangjelo, nuk kishte përvojë të mëparshme në pikturimin e afreskeve, pasi që ai e konsideronte veten më shumë skulptor se sa piktor. Gjithsesi, ai e pranoi ofertën pasi që asokohe ishte e paimagjinueshme që të refuzohej kërkesa e një Pape. Mirëpo, kjo rezultoi në një detyrë tejet të rëndë. Një vit pasi që filloi të punonte në tavanin e kësaj kishe, Mikelangjelo e shkroi një poezi të dëshpërimit për problemet që filloi t’i përjetonte nga një projekt aq kërkues.

 

“Tash më ka dalë gusha nga kjo torturë,

ashtu si maceve në Lombardi

(a kudo ku uji që s’rrjedh helmon).

Barku më është shtrydhur nën mjekër, e mjekra ime

e ngritur drejt qiellit, truri më është shtypur si në arkivol,

gjoksi im i përdredhur si harpë. Peneli im,

sipër meje tërë kohën, pikon ngjyrë

e fytyra ime është dysheme e mirë për to!

 

Ijët e mia po më depërtojnë në zorrë,

prapanica ime e gjorë vuan në punën si kundërpeshë,

çdo gjest që e bëj është i verbër dhe pa drejtim.

Lëkura ime varet poshtë meje, kurrizi im

është lidhur nyje nga përthyerja.

Jam lakuar si një hark sirian.

 

Ngaqë kam ngecur kështu, mendimet e mia

janë gjepura të çmendura, mashtruese:

të gjithë gjuajnë keq me pipëz të shtrembër

 

Piktura ime është e vdekur.

Mbroje për mua, Giovanni, mbroje nderin tim.

Nuk jam në vendin e duhur-Unë nuk jam piktor.”

(Përkthyer nga anglishtja)

 

E tërë puna u realizua në këmbë

Kur mendohet për mënyrën se si është realizuar kjo kryevepër, shumica e njerëzve mendojnë se këto afreske legjendare, Mikelangjelo i realizoi teksa qëndronte i shtrirë. Mirëpo, në fakt artisti dhe ndihmësit e tij përdorën skele të drurit, të cilat i kishte ideuar vet Mikelangjelo, në të cilat ata qëndronin në këmbë. Këtë fakt e vërtetojnë edhe vargjet e poezisë më sipër, ku Mikelangjelo i përshkruan problemet nga pikturimi në këmbë sipër kokës së tij.

 

Mbase, ideja e pikturimit në pozitën e shtrirë buron nga skenat e filmit “The Agony and the Ecstasy” (Agonia dhe Ekstaza), në të cilin aktori Charlton Heston (Çarlton Heston) e portretizon, gjeniun e kësaj kryevepre duke punuar i shtrirë.

 

Paneli më i famshëm i Kapelës Sistine mund të jetë paraqitje e trurit të njeriut

Figurat të cilat e paraqesin Zotin dhe Adamin teksa i zgjasin duart dhe pothuajse ia prekin gishtin njëri-tjetrit, në pjesën e titulluar “Krijimi i Adamit”, janë një prej imazheve më të njohura dhe më të ripërsëritura në botë.

 

Sipas një prej teorive më të reja, kjo pjesë është edhe më mahnitëse, pasi që ajo e përmban formën e padiskutueshme të trurit të njeriut, të cilën e formojnë engjëjt dhe rrobat që e rrethojnë Zotin. Sipas Frank Lynn Meshberger, doktorit që i dha jetë kësaj hipoteze, qëllimi i Mikelangjelos ishte që të rikujtonte dhuratën e inteligjencës që Zoti ia dha njeriut të parë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE