MIKROVALA – NJË ZBULIM FALË RADARËVE

 

Sivjet Mikrovala i mbush 75 vjet! Si shumë pajisje të tjera edhe ajo u zbulua rastësisht dhe atë falë inxhinierit Percy Spencer, i cili e zbuloi ndikimin e mikrovalëve në ushqim teksa punonte në korporatën Raytheon në vitin 1946.

 

Shkencëtarët që kishin punuar me teknologjinë e radarëve e dinin se radio valët i ngrohnin ushqimet. Mirëpo, Percy Spencer ishte i pari që e hulumtoi këtë çështje më thellë. Sipas tregimeve të kohës, një ditë ai po qëndronte përpara një radari që po testohej kur e ndjeu se një çokollatë që e kishte në xhep u shkri.

 

Ai e dërgoi menjëherë një punonjës që të blinte një pako kokoshka. Kur i vendosi ato përpara radarit, kokoshkat shpërthyen gjithandej. Të nesërmen si e solli një ibrik të cilin e shpoi anash dhe brenda tij e vendosi një vezë. Më pas vrimën e shpuar anash e afroi afër radarit. Një koleg i tij dyshues filloi ta vëzhgonte vezën nga vrima e kapakut dhe shumë shpejt atij i plasi veza në fytyrë, pasi që e kuqja e vezës u zie më shpejt se e bardha.

 

Shumë shpejt pas këtyre testeve, udhëheqësit e kompanisë Raytheon u bindën për mundësinë e përfitimit nga kjo teknologji dhe filluan t’i prodhonin mikrovalat e para, të cilat kushtonin nga 4200 deri në 4500 stërlina angleze. Vlen të theksohet se krahas çmimit të lartë asokohe mikrovalat i kishin edhe përmasat e një frigoriferi modern dy pjesësh (për ftohje dhe ngrirje) dhe peshonin rreth 340 kilogramë. Një dallim i madh ky nga modelet e sotme të integruara dhe kompakte.

 

Sipas një studimi të kompanisë Panasonic, në vitin 1970 në SHBA u shitën 40.000 njësi të mikrovalëve, kurse deri në vitin 1975 ky numër shkoi në 1 milion. Edhe në Britaninë e Madhe kërkesa për këto pajisje ishte e ngjashme, falë rritjes së numrit të ushqimeve të gatshme. Statistikat tregojnë se edhe sot e kësaj dite rreth 56 për qind e njerëzve i përdorin këto pajisje për ngrohjen e ushqimeve të tyre.

 

Përdorimi i këtyre pajisjeve pati rritje të vazhdueshme ndër vite. Kështu në vitet e nëntëdhjeta kjo pajisje depërtoi në mbi 50 për qind të shtëpive në Britaninë e Madhe. Kurse sot kjo përqindje ka shkuar në mbi 80 për qind, dhe statistikat tregojnë se ajo përdoret më shpesh se sa furrat tradicionale!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE