MONT EVERESTI MË I LARTË SE MË PARË

 

Nepali dhe Kina së fundmi kanë publikuar bashkërisht që Mont Everesti, maja më e lartë në botë, është 86 centimetra më e lartë se sa të dhënat zyrtare të deritanishme. Sipas këtij publikimi “kulmi i botës” tani është regjistruar si 8.848,86 metra i lartë.

 

Deri tani, lartësia e regjistruar zyrtarisht e Mont Everestit ishte 8.848 metra, dhe ajo ishte rezultati i pranuar i matjes nga ana e shkencëtarëve indian gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar.

 

Të dhënat e rishikuara për lartësinë e kësaj maje, Kina dhe Nepali i kanë publikuar pasi që gjatë viteve 2019 dhe 2020 të dyja shtetet i kanë dërguar gjeodetët e tyre në anët e Mont Everestit në këto shtete. Rezultatet u publikuan bashkërisht nga ministrat i punëve të jashtme të Kinës Wang Yi dhe homologu i tij nepalez Pradeep Kumar Gyawali.

 

Diskutimi për lartësinë e saktë të kësaj maje është intensifikuar gjatë viteve të fundit për shkak të dyshimit nëse tërmeti i fuqishëm i vitit 2015 mund ta ketë zvogëluar atë. Bjeshkatarët dhe eksploruesit pohojnë që gjatë viteve të shkuara nuk ka ndryshuar vetëm lartësia, por edhe pamja e këtij mali.

 

Kështu në vitin 2017 një bjeshkatar britanik lajmëroi për rrëzimin e njërës prej anëve të malit, e cila në fakt përshkruhej si pengesa e fundit e madhe në shtegun kryesor drejt majës. Kjo rrëshqitje e ka bërë potencialisht edhe më të rrezikshme ngjitjen për alpinistët që tentojnë të pushtojnë këtë majë botërore.

 

Ekspedita nepaleze e cila u ngjit në majë në vitin 2019 dhe ajo kineze e cila u ngjit në vitin 2020 e kanë matur lartësinë e re duke e shfrytëzuar sistemin satelitor global dhe pajisje të tjera teknologjike të cilat i kanë bartur me vete. Kjo është hera e parë që studiuesit e kanë matur lartësinë nga maja e malit, pasi që deri tani matja është kryer me ndihmën e metodave tradicionale trigonometrike.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE