MOS HARRONI: VENDOSNI MASKAT, LANI DUART DHE MBANI DISTANCËN VETËM KAQ KËRKOHET NGA JU!

Lufta kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19 nuk është një garë e shpejtë por, një maratonë. Ekspertët e mjekësisë, paralajmërojnë se virusi është duke u shpërndarë në tërë globin dhe lufta kundër efekteve të tij do të vazhdojë në të ardhmen e afërt.

Në vendin tonë, situata nuk është aspak e lakmueshme. teksa ne jemi duke i lënë mbrapa muajt e verës moti do të fillojë të ftohet. Me ardhjen e temperaturave të ftohta fillon edhe sezoni i gripit, i cili kur kombinohet me efektet e COVID-19 do të ndikojë në shkallë edhe më të madhe tek popullata. Duke e pasur këtë parasysh, është me rëndësi që t’i përmbledhim disa fakte për COVID-19.

Pikësëpari: COVID-19 nuk njeh moshë, gjini, nacionalitet, fe apo racë. Ai na kërcënon të gjithëve. Të gjithë ne e kemi për obligim që të tregojmë kujdes për veten por, edhe për të tjerët. Mos harroni, maskat dhe masat e tjera mbrojtëse kanë për qëllim që të na mbrojnë nga të tjerët por, edhe për t’i mbrojtur të tjerët nga ne.

Së dyti: Një ndër tiparet kryesore të njerëzimit është se ne jemi qenie shoqërore. Kjo do të thotë se ne kemi nevojë që të kemi kontakte me të tjerët. Mirëpo, ajo që duhet ta kuptojmë është se situatat e jashtëzakonshme kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme. Përballja me këtë pandemi padyshim, që është një situatë e pazakonshme. Andaj, për të qenë të suksesshëm ndaj saj ne duhet të ndërmarrim masa të jashtëzakonshme dhe të ndryshojmë disa sjellje tonat të zakonshme. Këto ndryshime në sjellje duhet të vazhdohen deri sa shkencëtarët të arrijnë që të prodhojnë një vaksinë efikase apo ilaç tjetër kundër kësaj pandemie. Deri atëherë, është fakt i padiskutueshëm se ne duhet të mbajmë distancë sociale. Nuk është fjala vetëm distancën me të panjohurit që i hasim në rrugë, shitore, punë apo kudo tjetër gjatë rutinës sonë të përditshme. Në duhet t’i shmangim edhe grumbullimet e çfarëdo natyre qofshin ato. Sa herë që ne mblidhemi me shoqërinë apo familjen tonë të gjerë, ne rrezikojmë që të infektohemi apo që ta infektojmë dikë tjetër. Disa prej nesh janë bartës të “heshtur” të këtij virusi dhe ne mund ta infektojmë dikë që e duam apo e çmojmë shumë. Prandaj, herën tjetër që keni dëshirë ta takoni dikë e të rrini me dikë, takojeni përmes shfrytëzimit të teknologjisë. Tek e fundit, siç thonë në gjuhën angleze “Better safe than sorry” (Me mirë të sigurt sesa pishman)!

Së treti: ne e dimë se kjo situatë nuk është aspak e lehtë. Pasojat e saj nuk janë vetëm në aspektin shëndetësor por, edhe atë ekonomik, social dhe arsimor. Kjo është një situatë për të cilën askush nuk ka mundur që të përgatitet paraprakisht. Prandaj, duke u ankuar ndaj kufizimeve dhe duke refuzuar që të ndryshojmë sjelljen tonë (bartjen e maskave, larjen e duarve dhe mbajtjen e distancës) nuk ndihmon aspak. Ne do ta përmirësojmë situatën shumë duke u treguar proaktiv. Pa marrë parasysh, suksesi i juaj do të përcaktohet vetëm nga ju. Është detyra e jonë për t’u siguruar se do të përpiqemi maksimalisht dhe do të japim maksimumin me mjetet që i kemi në dispozicionin tonë. Duke mbajtur një qëndrim pozitiv dhe duke besuar në vetvete, ne do t’ia dalim. Tek e fundit, njerëzit, qoftë si individ dhe si shoqëri, tashmë e kanë dëshmuar me qindra herë se me vullnet mund t’ia dalim. Prandaj, me kujdes të shtuar por, pa panik, gjeni mënyra që të stimuloni veten por, edhe të tjerët përreth jush që të afrohemi, të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin por, pa e rrezikuar as veten e as të tjerët.

Njerëzimi është përballur edhe më parë me sëmundje të panjohura dhe i ka tejkaluar ato. Ne sot, jemi me fat që jetojmë në një kohë kur mjekësia moderne mund të na ndihmojë shumë për t’i reduktuar efektet e sëmundjeve të tilla. Lajmi i mirë është se shkencëtarët janë duke punuar pandërprerë për të krijuar një vaksinë. Deri atëherë, le të tregohemi të përgjegjshëm dhe duke i respektuar disa rregulla tejet të thjeshta të mbrojmë veten dhe të tjerët.

Mos harroni: vendosni maskat, lani duart, mbani distancën vetëm kaq kërkohet nga ju!

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE