MSU – NJËSITI SHUMËKOMBËSH I SPECIALIZUAR

 

MSU (Njësiti Shumëkombësh i Specializuar), i cili tërësisht përbëhet nga pjesëtarë të Karabinierisë italiane, ka qenë pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga ditët e para të vendosjes së tij në Kosovë.

 

Uniforma speciale për njësitë e specializuara

Me siguri i keni parë pjesëtarët e këtij njësiti në rrugë, me uniformat e tyre karakteristike kaltër të mbylltë dhe me tre shkronjat dalluese MSU. Përveç uniformave karakteristike, njësiti dallohet edhe për natyrën e punës së tyre, pasi që shërbejnë si ushtarë, por edhe si xhandarmëri (policë). Në fakt këtë rol të dyfishtë ata e kryejnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendin prej nga vijnë, përkatësisht në Itali ku njihen si “Karabinierët”.

 

Një forcë policore me status ushtarak

“MSU-ja është një forcë policore me status ushtarak, me një aftësi të përgjithshme policore. Ajo ka përvojë të konsiderueshme në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe ne posedojmë burime njerëzore dhe mjete të dedikuara hetimore për të analizuar strukturën e organizatave subversive (armiqësore) dhe kriminale”, tha koloneli Maurizio Mele, komandanti i MSU-së në Kosovë. Si të tilla, disa nga detyrat kryesore primare të MSU-së janë: ruajtja e një mjedisi të qetë dhe të sigurt, patrullimi, operacionet e trazirave civile, etj. Kur është e nevojshme, MSU-ja gjithashtu mund të ofrojë edhe trajnime. Po ashtu, MSU i ka dhuruar edhe gjashtë Dhoma Familjare në lokacione të ndryshme në mbarë Kosovën në mbështetje të luftës kundër dhunës familjare.

 

E vlerësuar nga popullsia vendase

Më tej koloneli Mele theksoi se MSU-ja patrullon dhe kryen operacione në mbarë Kosovën. Megjithatë, përqendrimi kryesor i tyre ka qenë në pjesën veriore, përkatësisht në qytetin e Mitrovicës. “Detyra jonë kryesore është të sigurojmë një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Popullsia vendase gjithmonë e ka vlerësuar punën tonë të përditshme, si dhe qasjen tonë të barabartë ndaj të gjitha etnive, prandaj mund të them se ne kemi kryer një punë të mirë që nga viti 1999, duke përmbushur kërkesat e shoqërisë gjatë rrjedhës së zhvillimeve nëpër të cilat ka kaluar Kosova në dy dekadat e fundit”. Më tej ai bëri të ditur se shumë shpejt në përbërje të këtij njësiti do të përfshihen edhe pjesëtarë të xhandarmërisë çeke, të cilët ashtu si karabinierët italianë kanë status ushtarak dhe policor.

 

Rinia dëshiron një jetë normale

I pyetur se si e sheh rininë e Kosovës, koloneli Mele u përgjigj: “Të rinjtë në Kosovë, ashtu si moshatarët e tyre kudo në botë, duan të jetojnë një jetë normale, duan një jetë pa brenga në një shoqëri të qetë ku mund të ndjehen të përmbushur dhe të realizojnë ëndrrat e tyre duke punuar për një të ardhme më të mirë.” Për këtë arsye, në fund të intervistës sonë, në vend të një mesazhi tradicional, koloneli Mele u kujtoi të gjithë të rinjve moton e komandantit të KFORit: “Të formësojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë”.

 

Koloneli Maurizio Mele ishte në krye të MSU-së nga muaji janari 2022 deri në fund të janarit 2023. Që nga 26 janari 2023, ai u zëvendësua nga koloneli Ruggiero Capodivento, i cili do të qëndrojë në krye të kësaj njësie deri në muajin janar të vitit 2024.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE