MUJSHARJA (BULLIZMI), QË PËRJETOHET EDHE NË KULTURAT NDËRETNIKE ËSHTË NJË FENOMEN QË DUHET TA ZHDUKIM

 

Në shikim të parë, mund të duket e lehtë që të përkufizohet mujsharja. Një koncept i zakonshëm i mujsharjes mund të jetë ai i një personi trupmadh që e rrah një shok klase më të vogël, ose një të riu që e shtyn një tjetër në korridor. Ndonëse, këto janë forma të mujsharjes, është me rëndësi që ta kuptojmë se mujsharja mund të jetë shumë më komplekse. Për shembull, përderisa një formë e mujsharjes është fizike dhe lehtë e dallueshme, ajo mund të ndodh edhe në heshtje dhe fshehurazi, përmes thashethemeve përmes telefonave të mençur ose në internet, duke shkaktuar dëme emocionale.

 

Çka është pra saktësisht mujsharja?

Si pikënisje, janë disa elementë që përfshihen në shumicën e përkufizimeve të mujsharjes. Ndonëse përkufizimet mund të dallojnë varësisht nga burimi, shumica pajtohen që një akt cilësohet mujsharje kur:

  1. Sjellja e lëndon, turpëron, ose e dëmton një person tjetër fizikisht ose emocionalisht.
  2. Ata që janë të shënjestruar nga mujsharja e kanë të vështirë që t’i ndalojnë veprimet e drejtuara ndaj tyre, dhe ata e kanë të vështirë që të vetëmbrohen.
  3. Po ashtu, ekziston një “çekuilibër i pushtetit”, real ose i imagjinuar, i cili e sjell nxënësin me sjellje të mujsharjes në një situatë ku ai ka më shumë “pushtet”, qoftë fizik, social, ose emocional, si statusit më të lartë shoqëror, madhësisë fizike ose kërcënimit emocional.
  4. Mujsharja është sjellje e përsëritur, ndonëse mujsharja mund të ndodh edhe në një incident të vetëm, nëse ai incident është tejet i ashpër ose buron nga një model i sjelljes.

 

Llojet e mujsharjes

Mujsharja mund të jetë e hapur dhe e drejtpërdrejt, me manifestime të tilla si rrahja, goditjet, ose sharjet, ose ajo mund të jetë e fshehur me ndërveprime emocionalesociale si thashethemet ose përjashtimi i qëllimshëm i dikujt. Mujsharja mund të ndodh edhe ballë përballë, në internet (online), ose përmes telefonave të mençur dhe porosive.

 

Pasoja për të gjithë

Është e rëndësishme që ta kuptojmë që mujsharja nuk ka pasoja vetëm për ata që janë shënjestër e saj. Kjo sjellje ndikon tek të gjithë, duke i përfshirë edhe ata që e shohin si dhe ata që e kryejnë.

 

Pozita e pushtetit

Siç është cekur më sipër, një nga elementet kyçe të mujsharjes janë dallimi real ose i perceptuar në pozitën e pushtetit në mes të mujsharësit dhe viktimës së tij. Në fakt, ne mund të shohim që mujsharja mund të jetë e bazuar në elemente të ndryshme sociale si përkatësia etnike, pesha e trupit, mangësitë fizike, dhe lista vazhdon.

 

Pozita e pushtetit që mund të rezultojë nga elementet e ndryshme sociale është e rëndësishme që të kuptohet dhe adresohet, posaçërisht në raport me mujsharjen në baza etnike, për shkak të përhapjes së saj dhe pasojave sociale afatgjata. Tek adoleshentët që vijnë nga grupet kulturore minoritare, perceptimi i mujsharjes së bazuar në prejardhjen etnike përkthehet në diskriminim social, dhe ajo rezulton me rritjen e mosbesimit të minoritetit ndaj shumicës kulturore.

 

Më tej, është e rëndësishme që të kuptojmë që ata që i mujshajnë të tjerët janë më të rrezikuarit për pasoja negative në shëndetin mendor dhe fizik. Këta fëmijë dhe adoleshentë mund të përjetojnë një sërë problemesh psikologjike, perceptim negativ të vetvetes dhe të tjerëve, shkathtësi të dobëta sociale, trajtimin e problemeve, perceptimin negativ nga grupet e bashkëmoshatarëve të tyre. Duke e pasur këtë parasysh, është me rëndësi që ta kuptojmë pse duhet t’i ndalojmë të gjitha llojet e mujsharjes. Sidoqoftë, nëse dëshironi të mësoni më shumë për pasojat e mujsharjes sigurohuni që ta lexoni artikullin tonë të radhës “Pse nuk duhet të përfshihemi në mujsharje”, i cili do të botohet në numrin e dhjetorit.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE