MUJSHARJA ËSHTË THIKË E RREZIKSHME ME DY TEHE

 

Mujsharja është një fenomen serioz në të gjithë botën dhe në ditët e sotme mund të ndodhë pa asnjë ndërveprim fizik (dhunë), pasi që mund të ndodhë tërësisht online. Në këtë rast, shpesh nuk ka vetëm një mujsharës, por shumë mujsharës, ku disa prej të cilëve as nuk janë të vetëdijshëm se janë të përfshirë në sjellje mujsharëse, pasi që ata thjesht sillen si “shokët e tyre”. Një nga realitetet e të gjitha llojeve të mujsharjes është se gjithmonë janë të paktën dy viktima – mujsharësit janë viktima po aq sa edhe ata ndaj të cilëve drejtohet mujsharja. Vetëm se mujsharësit nuk e gëzojnë të njëjtën vëmendje dhe përkrahje si viktimat e tyre, dhe për rrjedhojë, nuk marrin ndihmë të mjaftueshme.

 

Pasojat ndaj viktimave

Kjo anë e “monedhës” diskutohet sa herë që përmendet mujsharja. Dihet se viktimat e mujsharjes priren që të zhvillojnë probleme afatgjata me vetëvlerësimin, pasigurinë, besimin dhe ndërveprimin e tyre me njerëzit tjerë, ata zhvillojnë telashe në marrëdhënie, arrijnë rezultate të dobëta akademike, kanë rrezik më të lartë për depresion, e kështu me radhë. Në rastet ekstreme, dhe kur ndihma e duhur nuk është në dispozicion, mujsharja mund të çojë në vetëvrasje. Megjithatë, ka gjithmonë një rrugëdalje, dhe në planin afatgjatë, shanset që një viktimë e mujsharjes të ketë sukses në jetë janë shumë më të larta sesa ato të mujsharësit. Ndihma, për shembull, mund të merret nga ‘Utterly Global’, një organizatë e dedikuar kundër mujsharjes e cila jep udhëzime në faqen e tyre të internetit.

 

Pasojat ndaj mujsharësve

Nga ana tjetër, statistikat nga ‘Utterly Global’ tregojnë se fëmijët që ishin mujsharës në moshën 12 deri në 15 vjeçare, kanë 60 për qind më shumë gjasa që të përballen me ndonjë dënim penal deri në moshën 24 vjeçare. Mujsharësi ka gjithashtu 5 herë më shumë gjasa që të ketë precedent të rëndë penal në moshë madhore për dallim nga viktima. Ndërsa mujsharësit plaken, ata kanë më shumë gjasa që të përfshihen në sjellje antisociale. Të rriturit që ishin mujshares në fëmijëri kanë 10 herë më shumë gjasa që të gënjejnë, 6 herë më shumë gjasa që të përleshen dhe 3 herë më shumë gjasa që të përfshihen në ngacmime sesa të rriturit që nuk ishin mujsharës.

 

Pse duhet thënë mujsharjes jo?

Mujsharja ndaj dikujt për shkak të dallimeve të tyre shpeshherë mund të jetë një mënyrë për t’i fshehur pasiguritë tuaja, ose për shkak të asaj si i shihni ju mangësitë tuaja personale në krahasim me të tjerët. Në këtë rast, në vend se të përballeni me frikën dhe telashet tuaja dhe t’i kapërceni ato me veprime pozitive, ju e shmangni përballjen me to vetëm derisa të jetë tepër vonë për ju. Njerëzit vërtetë të fuqishëm janë të rrethuar me miq e jo me armiq. Ata e fitojnë respektin duke qenë të respektueshëm për të tjerët. Bërja e gjërave pozitive do t’ju bëjë të ndiheni mirë me veten dhe do të përmirësojë besimin tuaj. Kjo do t’ju mundësojë që të miqësoheni me më shumë njerëz. Nga ana tjetër, kjo ju përgatitë për sukses më të madh më vonë në jetë. Për shembull, dikush aq i fortë dhe aq i madh sa ikona e Hollivudit, Dwayne Johnson, përshkruhet si një nga personat më të sjellshëm dhe më të butë.

 

Si t’i japim fund mujsharjes?

Një aspekt tjetër i mujsharjes është se ndonjëherë mund të gjenerojë reagim agresiv nga viktima. Kjo çon në konflikt dhe madje lëndime serioze për të gjitha palët. Mujsharja është një çështje serioze dhe viktima dhe mujsharësi kanë nevojë për ndihmë. Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund është duke i përfshirë mësimdhënësit, psikologët e shkollës dhe prindërit. Mujsharja duhet të raportohet menjëherë, jo vetëm nga viktimat, por nga kushdo që ka dijeni për të. Nëse prisni tepër gjatë, gjërat mund të zhvillohen përtej sanimit dhe mund t’ju duhet të jetoni me fajin e mos reagimit. Duke i përfshirë të rriturit sa më shpejt që të jetë e mundur, ju do të ndihmoni që këtij problemi t’i jepet fund, jo vetëm për viktimat e tashme, por edhe për çdo viktimë të ardhshme.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE