MUZIKANTË ME FAMË BOTËRORE E LUFTOJNË COVID-19 PËRMES PERFORMANCAVE TË TYRE NË INTERNET: GJËJA E DUHUR QË DUHET TA BËNI ËSHTË TË RRINI NË SHTËPI DHE T’IU PËRMBAHENI RREGULLAVE!

Në bashkëpunim me Lady Gaga, më 18 prill u mbajt një edicion i veçantë digjital i “Një Botë: Së Bashku Në Shtëpi”, në të cilin, ndër të tjerë, morën pjesë edhe Alanis Morissette, Andrea Bocelli, Billie Eilish, Chris Martin, David Beckham, Elton John, Paul McCartney, Steve Wonder. Nikoqirët e këtij aktiviteti ishin: Jimmy Fallon, Jimmy Kimmel dhe Stephen Colbert.

 

Si rezultat i pandemisë COVID-19 gjërat kanë ndryshuar në botën e muzikës. Udhëtimet dhe shfaqjet janë pezulluar. Sidoqoftë, muzikantët po kontribuojnë në mënyrën e tyre në luftën kundër përhapjes së virusit. Përveç qëndrimit në shtëpi, ata i nxisin të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë por, ata, gjithashtu, marrin pjesë në fushatën e veçantë të lëvizjes “Global Citizens” të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). OKB-ja dhe OBSH-ja kanë kërkuar që lëvizja të mbështesë përpjekjet e tyre në reagim ndaj pandemisë COVID-19, duke e bashkuar të gjithë botën përmes muzikës dhe veprimeve frymëzuese. Kështu, “Global Citizens”, bashkë me artistë me famë botërore, lansuan: “Një Botë: Së Bashku Në Shtëpi”.

 

Si pjesë e fushatës u krijua edhe Fondi i Ndihmës së Solidaritetit i OBSH-së për të mbështetur dhe pajisur profesionistë të kujdesit shëndetësor në të gjithë globin, ku si rezultat i këtij fondi janë dërguar mjete mbrojtëse në 68 vende të globit, duke u siguruar vendeve më të varfëra burimet e nevojshme për ta luftuar COVID-19. Fondi gjithashtu i ka dorëzuar mbi një milion pajisje diagnostikuese në 120 vende, duke i rritur kështu kapacitetet e tyre.

 

Fushata “Së Bashku Në Shtëpi” filloi si një fushatë virtuale në një kohë kur shumicës qëndrimi në shtëpi iu krijoi ndjenjën e izolimit. Kjo fushatë është realizuar përmes rrjeteve sociale, ku muzikantë të famshëm i publikojnë performancat e tyre “në shtëpi”, duke i sjellë “ngjarjet muzikore te të gjithë”. Artistët që kanë marrë pjesë

në “së bashku në shtëpi” dhe u kërkuan fansave të mbështesin fushatën “Global Citizens” janë: Chris Martin, John Legend, Charlie Puth, Ryan Tedder nga One Republic, Steve Aoki, Jennifer Hudson, HER dhe shumë të tjerë.

 

Cila ka qenë porosia që ata e ndanë me fansat e tyre?

“Gjëja e duhur që të gjithë duhet të bëjmë është të rrimë në shtëpi …”ne të gjithë jemi një familje … të gjithë luten për të gjithë, shpresoj;” “Me dashuri,” tha Chris Martin.

 

“Virusi korona po prek njerëzit në të gjithë botën dhe një formë se si mund ta parandalojmë përhapjen e tij edhe më shumë dhe të mos rrezikojmë edhe më shumë njerëz është duke u distancuar fizikisht nga ata, përfshirë ata që mund të jenë të sëmurë,” tha John Legend gjatë performancës së tij online, duke shtuar se shumë artistë kanë vendosur që duan ta bëjnë qëndrimin në shtëpi pak më të lehtë për të gjithë. Ai gjithashtu kujtoi se shumë njerëz po mundohen të gjejnë forma se si të ushqejnë familjet e tyre dhe i ftoi ata që kanë mundësi të ndihmojnë pikat për grumbullimin e ushqimit. “Kjo gjë na çmendi por të gjithë së bashku do t’ia dalim; në ndërkohë, gjersa ta kalojmë edhe këtë, do të përpiqemi të lidhemi dhe të sjellim buzëqeshje te njëri-tjetri,” tha Camila Cabello në një performancë të përbashkët me  Shawn Mendes. “Kjo është koha që mendoj se të gjithë duhet të falin shumë dhe të jenë dashamirës ndaj vetvetes dhe njerëzve në shtëpitë dhe familjet e tyre,” tha Mendes. “Mënyra më e mirë për të treguar dhembshurinë është vërtet duke u distancuar nga të gjithë, veçanërisht të rinjtë, duke mbrojtur më të moshuarit e komunitetit tonë dhe njerëzit që janë më të rrezikuar,” shtoi Cabello.

 

Emeli Sandé u dërgoi një porosi të gjithë atyre që janë duke punuar në këtë periudhë kohore, gjersa ne po ndjekim rekomandimet e vetëizolimit: “puna që ata po bëjnë është absolutisht e jashtëzakonshme … ju falem nderit shumë, të gjithë atyre që janë duke e shpëtuar botën.”

 

“Ne duhet të sigurohemi që të qëndrojmë të sigurt, që t’iu përmbahemi rregullave dhe të bëjmë siç na është thënë,” tha Hudson. “Sigurohuni që të gjithë të rrini brenda. Qëndroni pranë familjeve tuaja,” shtoi ajo.

 

“Unë do të bëj muzikë dhe ju inkurajoj të dhuroni dhe të vazhdoni të mbani distancë sociale sepse kjo është diçka shumë e rëndësishme – dhe është diçka e jashtëzakonshme për ne që të bashkohemi dhe ta tejkalojmë këtë krizë me integritet, dashuri dhe përgjegjësi,” tha Jon Batiste.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE