NDAL! – DHUNA NË FAMILJE ËSHTË KRIM!

Rastet e dhunës në familje janë tejet të ndjeshme. Krahas dhunës, viktimat shpesh përjetojnë edhe emocione të tilla si faji dhe turpi. Viktimat dhe abuzuesit janë shpesh të afërm. Shumë viktima priren të heshtin në lidhje me sulmet sepse gabimisht besojnë se ato janë arsyeja e veprimeve kriminale. Ata gjithashtu mund të besojnë se është më mirë të heshtësh në mënyrë që familja të mos ketë probleme për shkak të akuzave ndaj njërit prej anëtarëve të saj. Familjet duan që ngjarjet të mbahen private dhe për këtë arsye dhuna në familje shpesh nuk raportohet, gjë që u mundëson abuzuesve të vazhdojnë sjelljen e tyre abuzive.

 

Dhuna nuk është sjellje e pranueshme

Sipas psikologut Visar Sadiku, shumë prej nesh nuk janë në dijeni se çfarë ndikimi ka dhuna në jetën e viktimës: “Dhuna në familje nuk ndikon vetëm në dinamikën midis prindërve, por edhe midis tyre dhe fëmijëve të tyre, si dhe midis rrethit familjar më të gjerë dhe fëmijëve. Me fjalë të tjera, çdo veprim që në thelb denigron, thyen, poshtëron ose dëmton personin ndaj të cilit drejtohen këto veprime, është dhunë,” thekson z. Sadiku. Ai vazhdoi duke shtuar: “Ne kemi nevojë për arsim të përhershëm për të kuptuar se dhuna nuk mund të shihet si një mjet për të konsoliduar sjelljen e duhur. Nuk ka asnjë mënyrë që përmes dhunës verbale, fizike ose psikologjike të mund të formësojmë rritjen e shëndetshme të një fëmije. ”

 

Dhuna në familje është krim – zero tolerancë ndaj saj!

Sa i përket trajtimit që iu bëhet rasteve kur raportohet dhuna në familje, majori Baki Kelani, Shef i Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës, theksoi se që nga themelimi i saj, Policia e Kosovës i ka trajtuar me seriozitetin e duhur të gjitha rastet e dhunës në familje. “Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla. Gjithashtu, këto raste trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale (QPS), mbrojtësit e viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, në rastet kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë, prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme,” theksoi në mes të tjerash majori Kelani.

 

Ai më tej theksoi se kjo është qasja e Policisë së Kosovës në të gjitha rastet e dhunës në familje; për të treguar ndërgjegjësimin e plotë në lidhje me dhunën dhe për të trajtuar raste të tilla me gjithë seriozitetin. Sipas Policisë së Kosovës, Kosova ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të raportuara të dhunës në familje gjatë viteve të fundit. Në vitin 2018 ishin 1541 raste të raportuara, në vitin 2019 ishin 1915 raste, dhe në vitin 2020 numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ishte 2069. Një statistikë e tillë nuk ka nevojë për koment, sepse është e qartë se dhuna në familje është një problem serioz me të cilin përballet shoqëria jonë. Numri i shtuar i rasteve të raportuara në vitin 2020 tregon gjithashtu ndikimin negativ nga pandemia COVID-19. Sidoqoftë, anë pozitive e kësaj statistike mbetet raportimi më i shpeshtë i rasteve që do të trajtohen duke i sjellë autorët para drejtësisë.

 

Mos e pranoni dhe mos ushtroni dhunë ndaj të tjerëve

Edhe pse në shikim të parë është e vështirë që një statistikë e tillë të shihet i diçka e mirë, nuk duhet harruar që në të kaluarën jo shumë të largët, në shoqërinë tonë, dhuna në familje (sidomos ndaj femrave dhe fëmijëve) ishte një standard i pranuar dhe raportimi i saj as që merrej në konsideratë. Prandaj, rritja e numrit të raportimeve për dhunën në familje tregon që njerëzit, gjegjësisht viktimat janë duke u vetëdijesuar dhe duke i besuar gjithnjë e më shumë Policisë së Kosovës, për të ndalur dhunën ndaj tyre ose anëtarëve të tjerë të familjes. Këtë e konfirmoi edhe zyrtarja policore Fitore Xhafa: “Tashmë qytetarët janë më të prirë që edhe rastet më të lehta të dhunës në familje të mos i tolerojnë, por t’i raportojnë menjëherë. Kjo tregon rritje të vetëdijes për sa i përket tolerancës zero ndaj dhunës në familje dhe rëndësisë që ajo të raportohet menjëherë. Në anën tjetër, kjo tregon edhe që ata e kanë fituar besimin në Policinë e Kosovës dhe aftësitë tona për t’i mbrojtur ata.” Kurse, majori Kelani theksoi që dhuna në familje është krim i dënueshëm me ligj. Madje sipas tij edhe përpara se ky lloj i dhunës të ekzistonte në Kodin Penal si vepër kriminale e veçantë, asokohe të gjitha rastet e tilla janë klasifikuar nën emërtime të tjera ekzistuese në kodin penal si: lëndime trupore, sulme dhe kanosje. Kjo e dëshmon se Policia e Kosovës gjithmonë ka synuar që ta zbatojë qasjen e tolerancës zero ndaj dhunës në familje.

 

Në fund që të tre bashkëbiseduesit tanë i porositën të gjithë të rinjtë që të mos hezitojnë, por ta raportojnë çdo rast të dhunës në familje për të cilin ata janë në dijeni.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE