Rastet e dhunës në familje janë shumë të ndjeshme, sepse përveç dhunës viktimat përjetojnë edhe emocione të tjera si faji dhe turpi. Për më tepër, për shkak të afërsisë fizike dhe emocionale mes viktimave dhe abuzuesve të tyre, edhe viktimat zakonisht kërkojnë që rasti të trajtohet në heshtje dhe të mbahet privat. Për rrjedhojë, shpesh dhuna në familje nuk raportohet, gjë që ua mundëson autorëve të kësaj dhune të vazhdojnë sjelljen e tyre abuzive.
Të gjitha rastet e dhunës në familje trajtohen me seriozitetin më të madh
Në lidhje me mënyrën se si Policia e Kosovës (PK) i trajton rastet e dhunës në familje, majori Baki Kelani, shef i Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës, theksoi se që nga dita e parë PK-ja ka trajtuar me seriozitetin më të madh të gjitha rastet e raportuara. “Në çdo stacion policor rastet e dhunës në familje trajtohen nga policë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla. Gjithashtu, gjithçka bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat e Punës Sociale (QPS), mbrojtësit e viktimave dhe sigurisht organet përkatëse të drejtësisë. Në rastet kur fëmijët janë të përfshirë si viktima, prania e përfaqësuesve të QPS-ve është e detyrueshme”, shtoi major Kelani.
Politika e zero tolerancës po jep rezultate
Sipas të dhënave të PK-së, tash e sa vite Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të raportuara të dhunës në familje. Për shembull, në vitin 2020 numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ishte 2069, ndërsa në vitin 2022 numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ishte 2757. Statistika të tilla nuk kanë nevojë për koment, sepse është e qartë se dhuna në familje është një problem serioz me të cilin përballet shoqëria jonë. Rritja e numrit të rasteve të raportuara, megjithatë, mund të shihet nga një këndvështrim pozitiv pasi jo shumë kohë më parë, në shoqërinë tonë, dhuna në familje (veçanërisht ndaj grave dhe fëmijëve) ishte një standard përgjithësisht i pranuar. Kështu, raportimi i saj nuk u mor kurrë në konsideratë. Rrjedhimisht, numri i shtuar i rasteve të raportuara tregon se njerëzit, përkatësisht viktimat po ndërgjegjësohen dhe po i besojnë PKsë që të ndalojë dhunën ndaj tyre apo familjarëve të tyre.
Lidhur me këtë major Kelani theksoi se dhuna në familje është krim i dënueshëm dhe shtoi: “Qasja e PK-së në të gjitha rastet e dhunës në familje, përkatësisht vetëdijesimit ndaj dhunës në njërën anë dhe serioziteti në trajtimin e rasteve në anën tjetër, ka rritur numrin e rasteve të raportuara”. Më tej ai shpjegoi se edhe para se dhuna në familje të përfshihej në kodin penal si krim specifik, të gjitha rastet e tilla janë proceduar në kuadër të klasifikimeve të tjera ekzistuese, si: lëndim trupor, sulm dhe kërcënim. Kjo dëshmon se PK-ja gjithmonë ka zbatuar një politikë të zero tolerancës ndaj dhunës në familje.
Dhuna nuk është një sjellje e pranueshme
Sipas psikologut Visar Sadiku ne ende nuk jemi në dijeni se çfarë është dhuna, se nuk është një mënyrë e suksesshme e ndërveprimit me njëri-tjetrin dhe nuk kontribuon në marrëdhëniet e ndërsjella. “Çdo veprim që në thelb denigron, thyen, poshtëron dhe dëmton personin që synojmë të ndryshojmë është dhunë. Raportimi i dhunës në familje e ndihmon dhunuesin (kryesin e dhunës) të kuptojë se sjellja e tij është e papranueshme, pasi që e stimulon vetë-reflektim. Ne kemi nevojë për edukim të vazhdueshëm për të kuptuar se dhuna nuk mund të shihet si një mjet për të konsoliduar një sjellje të përshtatshme. Nuk ka asnjë mënyrë që përmes dhunës verbale, fizike apo psikologjike të mund të formësojmë rritjen e bukur të një fëmije”.
Jepni fund dhunës në familje – RAPORTOJENI!
Në fund, si major Kelani ashtu edhe z. Sadiku u bënë apel të gjithëve dhe në veçanti të rinjve që të mos hezitojnë të raportojnë çdo rast të dhunës në familje për të cilën kanë dijeni. Në fund të fundit, ka vetëm një mënyrë për të ndaluar dhunën në familje dhe ajo është duke e denoncuar atë në polici.