Treni i shpejtë karusel në Thorpe Park i njohur me emrin Hyperia, i cili u promovua si më i larti dhe më i shpejti i llojit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, me 72 metra lartësi dhe shpejtësi maksimale prej 130 km/h, është mbyllur vetëm një ditë pas hapjes.
Ky atraksion argëtues u hap ditën e premte më 24 maj 2024, mirëpo qysh ditën e nesërme parku argëtues e publikoi në faqen e tij zyrtare një lajmërim ku thuhej: “Për shkak të rrethanave të paparashikuara nuk mund ta hapim trenin Hyperia nga e diela më 26 maj deri të mërkurën më 29 maj. Ju kërkojmë ndjesë për dëshpërimin që kjo situatë mund të shkaktojë prandaj jemi duke punuar maksimalisht për të hapur Hyperia sa më shpejtë të jetë e mundur.”
Sipas parkut argëtues të gjithë ata që i kanë rezervuar biletat e tyre për periudhën kur parku do të jetë i mbyllur do të mund të rezervojnë xhirot e tyre në ditë të tjera pa pagesë. Entuziastët e këtyre xhirove u mblodhën për të provuar këtë atraksion të ri në ditën e inaugurimit të tij ditën e premte ku koha e pritjes për të hipur në të shkoi deri në pesë orë.