NDOTJA KIMIKE – RREZIK PËR TË GJITHË NE!

 

Ne e jetojmë jetën tonë shumë shpejt, konsumojmë shumë dhe ndoshta nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm se duke i përdorur gjërat në mënyrë të papërshtatshme, ne gjithashtu shkaktojmë ndotje. Ndotja është një nga sfidat më të mëdha, nëse jo edhe më të rëndësishme të këtij shekulli dhe ne të gjithë jemi përgjegjës për këtë problem. Duke filluar nga gjërat e vogla, vogla si konsumimi i pakujdesshëm i letrës, deri tek zgjedhjet tona të paarsyeshme në trajtimin e mbeturinave. Ne e kemi tendencën që shpesh të harrojmë t’i hedhim bateritë e harxhuara, ngjyrat kimike, detergjentet e skaduar, dhe vajrat e përdorura në mënyrë të kontrolluar. Ato mund ta ndotin Tokën për qindra vjet. Këto janë të gjitha mbeturina kimike që duhet të dërgohen në trajtime të posaçme dhe qendra për riciklim.

 

Ndotja ka efekte katastrofike në ajër, ujë dhe tokë dhe nëse ne nuk bëjmë diçka për këtë, në fund ne do të ndotim ushqimin që e hamë dhe ujin që e pimë. Prandaj, duke ndotur mjedisin tonë, ne po e helmojmë ngadalë dhe pa asnjë dyshim veten, familjet dhe miqtë tanë.

 

Përveç tërë ndotjes që ne e shkaktojmë çdo ditë, ka edhe substanca të tjera edhe më të rrezikshme që e rrezikojnë jetën e njerëzve dhe kafshëve dhe i shkatërrojnë ekosistemet, si: mbetjet e naftës, metalet helmuese, lëngjet ose gazrat helmuese. Shkurtesa HAZMAT përdoret për të gjitha këto materie të veçanta dhe shumë të rrezikshme, shkurtesë nga gjuha angleze Hazardous Materials (Materiale të Rrezikshme).

 

Për t’u marrë me këto Materiale të Rrezikshme dhe mbetjet posaçërisht të rrezikshme ekzistojnë njerëz dhe institucione profesionale dhe të dedikuara që janë të trajnuar posaçërisht, të cilët janë përgjegjës për të na mbrojtur nga ky lloj i rrezikut. Puna e tyre është e vështirë dhe e rrezikshme, por ua sjell kënaqësinë e shpëtimit të jetëve dhe mbrojtjes së mjedisit.

 

Njësia e FSK -së për Materiale të Rrezikshme (HAZMAT) në shërbim të të gjithë njerëzve të Kosovës

Në Kosovë, njësia HAZMAT e FSK –së është përgjegjëse për t’u marrë me këto substanca dhe materiale jashtëzakonisht të rrezikshme. Në një intervistë me Revistën For You, kapiteni Bujar Ferizi na shpjegoi se, me të vërtetë, Materialet e Rrezikshme janë shumë kërcënuese dhe i rrezikojnë jetët e njerëzve dhe po e ndotin keq mjedisin. Njësia e tij është përgjegjëse që të identifikojë, largojë, depozitojë dhe shkatërrojë substancat toksike. Ai dhe kolegët e tij janë të trajnuar profesionalisht dhe të pajisur siç duhet për të përmbushur detyrat e tyre në dobi dhe për sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë. Si përfundim, mund të themi se ne të gjithë kontribuojmë në ndotjen e mjedisit, posaçërisht nëse nuk i kushtojmë vëmendje asaj. Ndonëse nuk e bëjmë me qëllim, ne mund ta bëjmë këtë në mënyrë të pavetëdijshme. Rrjedhimisht, ne po e rrezikojmë të ardhmen tonë. Prandaj, ne duhet të kontribuojmë në parandalimin e ndotjes. Sa u përket substancave dhe materialeve toksike, duhet t’ua lëmë profesionistëve që të kujdesen dhe t’i mënjanojnë ato në mënyrë që të jetojmë në një mjedis të sigurt. Disa këshilla të vogla që mund të parandalojnë ndotjen dhe të ndihmojnë shoqërinë tonë, të cilat mund t’i zbatojmë çdo ditë:

  • Të konsumojmë gjëra me arsye të mirë dhe jo vetëm se mundemi.
  • Të përdorim ujin me masë, pasi uji i pastër është burim jetik.
  • T’i hedhim plehrat me përgjegjësi dhe kur është e mundur, t’i riciklojmë ato.
  • Të kufizojmë konsumimin e plastikës.
  • T’ua rikujtojmë prindërve që shëtitja ose udhëtimi me biçikletë është i mirë për shëndetin e tyre dhe se ata duhet ta marrin parasysh këtë në vend që të ngasin makinën në distanca të shkurtra, pasi që makinat janë gjithashtu burim i madh i ndotjes së ajrit.
  • Të shmangim kontaktin me substanca ose materiale që nuk i njohim, të lajmërojmë policinë për ekzistencën eventuale të substancave dhe materialeve të tilla – një veprim i tillë mund të shpëtojë jetë.

 

Si përkujtim, kujdesuni për planetin tonë sepse vetëm këtë e kemi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE