NEBULA SH2-106 – ENGJËLLI YJOR

 

SH2-106 është një nebulë emetuese dhe një rajon yje formues në yjësinë Cygnus. Ky rajon vlerësohet të jetë rreth 2.000 vite drite larg Tokës, në një zonë të izoluar të Rrugës së Qumështit.

 

Në qendër të nebulës gjendet një yll i ri dhe masiv, i cili emeton vrushkuj të gazit të nxehtë nga polet e tij, të cilët e krijojnë strukturën bipolare. Pluhuri që e rrethon yllin po ashtu jonizohet nga ky yll. Vetë nebula e ka një shtrirje prej 2 viteve të dritës.

 

Ylli qendror

Ylli qendror, i cili është një burim i rrezatimit infra të kuq i cili zakonisht njihet si S106 IR ose S106 IRS 4, besohet të jetë formuar para vetëm 100.000 vjetëve. Ky është një yll masiv, përafërsisht 15 masa diellore.

 

Dy vrushkuj të materies që rrjedhin nga polet e tij e ngrohin materien përreth deri në rreth 10,000 °C (gradë Celsius). Pluhuri që nuk jonizohet nga vrushkujt e këtij ylli e reflektojnë dritën e tij. Me një temperaturë të supozuar të sipërfaqes prej 37.000 Kelvin ose  36.726,85 gradë Celsius, ky klasifikohet si një yll O8. Ai e humb rreth 10−6 të masës diellore (përafërsisht një të gjashtën e peshës së Tokës) në formën e erërave diellore të cilat shpërthejnë materiale me shpejtësi rreth 100 km/s.

 

Studimet e pamjeve kanë zbuluar që ky rajon yje formues i ka krijuar edhe qindra yje xhuxhe të kafenjtë me masë të ulët dhe proto yje.

 

Sa është një vit drite?

Nëse nuk e keni kuptuar nga emri, një vit drite është i barabartë me distancën që e përshkon drita gjatë një viti. Duke qenë se në gjithësi kemi të bëjmë me vlera aq të mëdha, të cilat thjesht është e pamundur që të përshkruhen me numra, për thjeshtësim përdoren parametra të tillë si vitet e dritës ose masa diellore (333.000 herë masa e Tokës).

 

Sa për ilustrim shpejtësia e dritës është 299.792,458 kilometra për sekondë. Kur e shumëzojmë këtë shpejtësi me numrin e sekondave në vit, gjegjësisht 31.536.000 sekonda (për t’i llogaritur sekondat në vit shumëzoni numrin e ditëve me numrin e orëve në ditë me numrin e minutave në orë dhe numrin e sekondave për minutë 365 x 24 x 60 x 60 = 31,536,000), rezultati që e fitojmë është 9.454.254.955.488. Pra distanca që drita e përshkon për një vit është mbi 9,45 bilionë kilometra. Me fjalë të tjera, distanca e nebulës SH2-106 është 9,45 x 2.000 = 18.000 bilionë ose 18 trilionë kilometra larg (përkatësisht 18.908.509.910.976.000 kilometra për të qenë të saktë!). E shihni pra 2,000 vite drite është shumë më lehtë të mbahet mend (dhe të thuhet) se sa vlera 18,908,509…

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE