NGA UNË BIG BASTA: JU DUA!

Rrugëtimi nëpër botën e gjallë të Big Basta, artistit të njohur shqiptar të hip-hop-it, është një eksplorim i pasionit, ndikimit dhe dashurisë së qëndrueshme për muzikën. Që nga ditët e para të krijimit të vargjeve në bankat dhe korridoret e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë deri në shndërrimin e tij në një figurë të dalluar në skenën e hip-hop-it shqiptar, odiseja e Big Basta-s karakterizohet nga një përkushtim ndaj komenteve sociale dhe një lidhjeje të palëkundur me audiencën e tij. Në këtë intervistë ekskluzive, ne do t’i përshkojmë rrënjët e frymëzimit të tij muzikor, thelbin e hip-hop-it në kontekstin shqiptar dhe ndikimin e thellë të tregimit autentik. Bashkohuni me ne teksa i zbulojmë shtresat e narrativit artistik të Big Basta-s dhe fitojmë njohuri mbi aspiratat, përvojat dhe trashëgiminë e tij që ai synon të lërë gjatë udhëtimit të tij të pashembullt në shqip-hop, siç e quan ai.

 

A mund të ndani rrugëtimin tuaj nga ditët tuaja të hershme në skenën muzikore deri te arritja e statusit të një artisti të shquar të hip-hopit në Shqipëri?

Që në gjimnaz e doja shumë hip-hopin sepse çdo herë shkruaja tekste në klasë gjatë pushimit. Një shoku i klasës sime Shpati Kadiu, që më vonë e mori emrin e artit Sançez, e kishte krijuar një grup me emrin “Sweet Company”. Ata i kishin dy materiale që po i punonin tek studio e Doktor Florit dhe Alban Kondit. Një ditë Shpati më pyeti nëse doja të bashkohesha me grupin e tyre? Sigurisht, përgjigjja ime ishte PO, dhe nga ai moment nuk jam ndarë kurrë nga muzika.

 

Çfarë ju tërhoqi fillimisht drejt muzikës hip-hop?

Ajo që më ka tërhequr në muzikën hip-hop kanë qenë tekstet dhe shpirti i revoltës. Janë dy tiparet që e karakterizojnë hip-hopin.

 

Cilat ishin ndikimet tuaja të hershme në këtë zhanër?

Në vitin 1996 një shok i imi i pallatit e solli nga Amerika albumin e Tupac – “All Eyes on Me”. Në atë album rashë në dashuri me këngën e titulluar “Shorty Wanna Be a Thug”. E luaja dhe riluaja atë këngë e cila ishte në kasetë magnetofoni, deri sa arrita në atë pikë sa që fillova t’i gjeja tekstet t’i shkruaja dhe më pas t’i përktheja.

 

Cilat janë disa tema ose mesazhe kyçe që i eksploroni shpesh në muzikën tuaj?

Mua më pëlqen shumë që gjithmonë të jem i pozicionuar si reper social, sepse më pëlqen që të kap tematika sociale. Kurse tema që gjithmonë dua ta prek është fakti që ne jemi ata që duhet ta sjellim ndryshimin duke filluar nga vetja jonë.

 

A ka ndonjë artist shqiptar në hip-hop që ju duket veçanërisht premtues apo interesant?

Kemi repera të ri që janë shumë premtues. Do të doja të veçoja patjetër “Addictive”, një rep artist i ri i Tiranës, i cili e ka një lidhje të jashtëzakonshme me reperat e Amerikës. Njëkohësisht ai e ka edhe një zgjuarsi e cila spikat në tekstet e tij.

 

Çfarë mendoni se e dallon hip-hopin shqiptar nga skenat e tjera të hip-hopit rajonal?

Unë mendoj që hip-hopi shqiptar e ka një traditë shumë të lashtë. Flas këtu për artistët e rrugës qysh në kohën e Perandorisë Osmane, të cilët asokohe i quanin bejtexhi. Këta artistë bënin bejte, të cilat mund të krahasohen me atë që në gjuhën e hip-hop njihen si “Freestyle”. Ashtu si Freestyle edhe bejtet janë rima të momentit që kishin karakter të sarkazmit, ironisë, erotikës, por edhe revoltës. Prandaj, unë mendoj që hip-hopi shqiptar e ka një të kaluar shekullore, pra ne e kemi në gjak.

Çka do të konsideronit arritjen apo momentin më të rëndësishëm në karrierën tuaj hip-hop deri më tani?

Një ndër pikat kulmore të karrierës sime më ka ndodhur më 29 nëntor, që quhej Nata e Bardhë, në vitin 2005. Në koncertin në sheshin e Tiranës kanë qenë diku mbi 100.000 spektatorë dhe ne e kemi luajtur këngën tonë ikonë “Një Hap Përpara”. Nuk kemi pasur nevojë për mikrofona sepse i tërë publiku e ka kënduar atë këngë me ne. Ne ishim vetëm 19 apo 20 vjeç, dhe të përjetonim atë lloj ndjenje ishte e jashtëzakonshme.

 

Cilat apo kush janë ndikimet tuaja muzikore, si brenda hip-hopit ashtu edhe jashtë zhanrit, dhe si kanë ndikuar ata në muzikën tuaj?

Unë me të vërtet jam ndikuar nga artistët si Tupac, Nas, Notorious BIG, etj. Pastaj, erdhën edhe artistët e viteve 2000 si Dr. Dre, Snoop Dog, Eminem. Kurse tani janë artistët e rinj si J Cole, Kendrick Lamar, Joyner Lucas e shumë e shumë të tjerë.

 

Si lidheni me fansat tuaj dhe çfarë roli luajnë ata në rrugëtimin tuaj muzikor?

Sot nuk është e vështirë që të lidhesh me fansat sepse i kemi rrjetet sociale që e bëjnë këtë të mundur. Unë fansat e mi i kam shumë besnik dhe jam shumë krenar për këtë. Po ashtu, ata e luajnë një rol shumë të rëndësishëm sepse mundohen që të më shtyjnë që unë ta ruaj këtë fanatizmin që e kam për hip-hopin dhe vargjet e mira sociale.

 

A mund të ndani një ndërveprim ose përvojë të paharrueshme me një fans që ju ka lënë përshtypje?

Unë me të gjithë fansat e mi kam marrëdhënie dhe përvoja të paharrueshme. Mirëpo, një që më sjell kujtime shumë të bukura ka qenë një djalë 8-9 vjeçar që vinte në çdo koncert timin bashkë me dajën e vet. Ai tashmë duhet të jetë rritur dhe i uroj çdo të mirë, por e vlerësoja shumë që ai vinte.

 

A mund të na i prezantoni shkurt planet tuaja të ardhshme, si në aspektin e karrierës suaj muzikore ashtu edhe në jetën personale?

Planet e mia janë përgatitja e një albumi, por mbi të gjitha është shumë e afërt edhe pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar në bashkëpunim me partneren time por edhe kolegen time Vesa Luma. Më vonë do të vijnë edhe koncertet dhe angazhimet tona muzikore me bashkëpunime të tjera të cilat nuk mund t’i bëj publike në këtë moment. Ndërsa në jetën personale jam shumë i lumtur dhe uroj që të vazhdojmë sa më shumë kështu me treshen tonë fantastike që jemi Vesa, unë dhe djali ynë.

 

A ka ndonjë trashëgimi apo ndikim të veçantë që shpresoni të lini përmes karrierës suaj në hip-hop?

Po unë jam shumë besimtar i parimit të teorisë së shampanjës: “Sa më e vjetër aq më e mirë duhet të jetë.” Dua që edhe djali im kur të rritet ta dëgjojë babanë e vet me po të njëjtën freski sikurse kur është punuar kënga. Kjo është ajo trashëgimi që unë dua ta krijojë dhe përcjellë.

 

Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?

Që të besoj te vetja pa asnjë lloj kufizimi. Kjo është këshilla që edhe unë e jap vazhdimisht.

 

Tri momentet kyçe në jetën tuaj?

  1. Kur e fillova muzikën
  2. Kur e njoha Vesën
  3. Lindja e djalit tonë.

 

Cila është fitorja më e madhe në jetë?

Familja e shëndoshë është padyshim fitorja më e madhe në jetë.

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?

Për mendimin tim, vetëm WhatsApp për hir të komunikimit, por të gjitha të tjerat duhen.

 

Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?

I përdor të gjitha, siç e thashë, por jam nga ata tipa që emailin e kontrolloj çdo sekondë.

 

A përdorni simbole (emoji) në komunikimin tuaj dhe cilat i përdorni më shpesh?

Unë dua të mbajë gjithmonë gjuhën letrare kur shkruaj, pra të kem shkrim të kulturuar. Megjithatë, kur biseda bëhet shumë miqësore, atëherë patjetër që përdor emoji.

 

Cili është pengu më i madh në jetën tuaj profesionale?

Nuk e kam asnjë peng. Edhe po ta ktheja kohën prapa do t’i bëja po të njëjtat gabime sepse ato më rritën.

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?

Atëherë fillon me talent, pastaj zhvillohet në pasion dhe e treta vjen puna, puna, dhe vetëm puna.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Dojeni vendin tuaj, punoni për vendin tuaj. Dojeni familjen tuaj, punoni për familjen tuaj dhe punoni sidomos për veten tuaj. Vazhdoni shkollën mos i lini orët e mësimit sepse shkolla është e vyer edhe për të mësuar ato që duhen mësuar, por edhe për shoqërinë që e krijoni aty. Nga unë Big Basta: Ju Dua!