NORA BEZERA: TA KUPTOJMË NJËRI-TJETRIN MË MIRË!

 

“Që të jemi në gjendje të krijojmë një urë që na lidh, ne duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të flasim për temat që na shqetësojnë, si dhe ato që na gëzojnë. Besoj fuqimisht në brezat e ri, se ata do të kenë sukses në rindërtimin e urës që u shkatërrua,” tha Nora Bezera në fillim të intervistës për revistën “For You”. Nora punon si ligjëruese në Departamentin e Albanologjisë dhe përkthyese për shqip, serbisht dhe anglisht.

 

Nora pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Beograd, ku u rrit, u shkollua dhe studioi. Sot punon në Prishtinë si përkthyese dhe gjithashtu është aktive në shumë organizata joqeveritare. Ajo na tregon se në moshën 32 vjeçare, po përpiqet të krijojë ura që duhet të lidhin përsëri popullin serb dhe atë shqiptar, dhe sipas saj, për këtë arsye është e rëndësishme të njohim të dy gjuhët.

 

Ajo shton se beson fuqimisht se vlera e saj më e madhe është se ajo mund të ketë sot një dialog me serbët dhe shqiptarët, për t’i kuptuar ata dhe për t’u kuptuar me njëri-tjetrin dhe njohja e të dy gjuhëve i ka hapur asaj shumë dyer dhe e ka afruar shumë njerëz të mirë me të cilët ajo rri dhe bashkëpunon sot. “Njohja e dy gjuhëve, shqipes dhe serbishtes, më ndihmoi shumë në shoqërimin me njerëzit në Kosovë, veçanërisht me komunitetet jo-shumicë. Nuk ka të bëjë vetëm me serbët, sepse kur dini serbisht mund të komunikoni edhe me boshnjakë, malazezë dhe kroatë … Përmes bisedave me ta, mësova shumë për jetën e tyre të përditshme, problemet me të cilat përballen; zakonet dhe traditat. I dëgjova, ndërsa ata më dëgjuan mua. Këto biseda tona shërbejnë thjesht si terapi. Është e rëndësishme të kuptohemi me njëri-tjetrin,” thekson Nora.

 

Të nxisim mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe në shkolla

Sipas saj, të rinjtë duhet të ndikohen sa më shumë që të fillojnë të mësojnë gjuhën e fqinjëve, pikërisht sepse ata shkojnë në shkollë dhe jetojnë pranë njëri-tjetrit. Nora beson se kjo mund të bëhet duke nxitur dhe mbajtur aktivitete të përbashkëta, si dhe duke theksuar ngjashmëri gjuhësore, kulturore, tradicionale, zakonore dhe të tjera midis tyre. Ajo gjithashtu thekson se nxitja e mësimit të gjuhës shqipe dhe serbe në shkollat fillore dhe të mesme, si lëndë zgjedhore, është një mënyrë e mirë për të investuar në të ardhmen në çdo aspekt.

 

“Njerëzit kryesisht më drejtohen për t’i mësuar serbisht ose shqip për shkak të kërkesave për punë. Do të doja që ata të fillonin të mësojnë gjuhën sepse ne jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe sepse ata me të vërtetë e duan këtë dhe jo sepse ata duhet ta bëjnë këtë ose edhe duhet ta mësojnë atë gjuhë. Ne jemi shumë të ngjashëm, por jemi shumë larg njëri-tjetrit dhe dimë shumë pak për njëri-tjetrin”, tha Nora, duke shtuar se “thuhet se nëse flet me dikë në gjuhën që ai e kupton, kjo i mbetet në mendje, por nëse i flet në gjuhën e tij, kjo i mbetet në zemër.”

 

Në fund të intervistës për revistën ‘For You’, ajo u dërgoi një mesazh të rinjve në të cilin thotë se njohja e gjuhës u mundëson atyre të njohin pikëpamje të ndryshme, të përparojnë vazhdimisht, të mos qëndrojnë në të njëjtin vend dhe të jenë në gjendje të krijonjë miq. Shkurtimisht – duke njohur zakone të ndryshme, ne në të vërtetë shohim bukurinë tonë, por edhe e pasurojmë jetën tonë me njohuri dhe pikëpamje të reja, të cilat jo gjithmonë përkojnë me tonat. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin më mirë, në momente të vështira dhe të gëzueshme!

 

Biografia

Nora Bezera lindi më 9 tetor të vitit 1987 në Beograd. Ajo përfundoi Gjimnazin e 12-të në Beograd në vitin 2007 dhe në të njëjtin vit u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Beogradit – Dega Gjuhë Shqipe. Diplomoi në vitin 2011. Në të njëjtin vit, ajo u regjistrua në studime master, drejtimi i gjuhës, letërsisë, kulturës, në Fakultetin Filologjik, të cilat i përfundoi në vitin 2012 me një notë mesatare prej 10.00. Që nga viti 2017 e tutje, Nora ka punuar si ligjëruese në Departamentin e Albanologjisë dhe që nga viti 2010, është përfshirë aktivisht në përkthim dhe bashkëpunon me shumë agjenci dhe organizata joqeveritare në Kosovë dhe rajon.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE