OPSIONI I GOOGLE PËR FAKTE INTERESANTE

 

Nganjëherë ndodh që edhe në Internet të mërzitemi. Nuk keni ide të reja, i keni shikuar të gjitha portalet ditore, i jeni përgjigjur postës elektronike, i keni mbledhur informacionet nga profilet e miqve në rrjetet sociale dhe nuk keni më çfarë të bëni. Google vjen me një zgjidhje edhe për këtë situatë, gjegjësisht tani mund t’i kërkoni që t’ju ofrojë ndonjë fakt interesant.

 

E tëra që duhet të bëni është që në fushën për kërkim të shkruani “fun facts” dhe do të mësoni gjëra që as nuk keni menduar ndonjëherë që do t’i dini. Për shembull pse Oprah quhet Oprah, cili është vullkani më i madh aktiv në botë, sa vjeçare ishte Marie Antoinette kur u martua, emrat e cilave vende të botës përfundojnë me “stan”, do të mësoni edhe nëse emri i liderit të sotëm në fushën e veshmbathjeve sportive Adidas lindi si shkurtesë e sloganit “All Day I Dream About Sports”, sa metra është piramida më e lartë, kush e ka shpikur akulloren…

 

Si ta përdorni opsionin Fun Facts?

Është e domosdoshme që gjuha e kërkimit të jetë gjuha angleze, sepse për një arsye apo tjetër kur kërkimi të bëhet në një gjuhë tjetër, le të themi në gjuhën shqipe, ky opsion nuk funksionon. Krahas “fun facts” në fushën e kërkimit mund të shkruani edhe “I’m feeling curious”, dhe do ta aktivizoni opsionin e njëjtë. Interesante është që Google, përmes këtij opsioni nuk e ofron vetëm një fakt interesant, por nëse klikoni në tekstin më poshtë, gjegjësisht aty ku shkruan “Ask another question”, ju do të qaseni në një numër të pakufizuar të fakteve interesante.

 

Google, e jep edhe vegzën (linkun) nga ku është marrë fakti interesant që e lexoni. Prandaj, nëse ju intereson një temë ose term i caktuar, shumë lehtë ju mund të mësoni më shumë detaje për atë temë. Faktet interesante kryesisht nxirren nga Wikipedia, gjë që nuk është aspak befasuese. Wikipedia me mbi 5 milionë tekste e ka një ofertë të pasur dhe të gjerë për fakte të ndryshme, e cila mund të themi se është e pafund. Mirëpo, faktet interesante nxirren edhe nga burime të tjera.

 

Përmes dy-tri fjalive rreth fenomeneve interesante nëpër botë, ne do të mund të krijojmë një ide të thjeshtë rreth informacioneve që gjenden në Internet dhe se çfarë pasurie janë ato. Krahas kësaj, edhe mësojmë gjëra, të cilat një ditë, kur më së paku e presim, mund të na shërbejnë, si p.sh. në ndonjë kuiz. Nën anën tjetër, mos të harrojmë kjo është një mënyrë e shkëlqyer për ta luftuar mërzinë. Pa e vërejtur fare, ju mund të argëtoheni ku do që jeni duke lexuar për fakte interesante nga e tërë bota.

 

Ky opsion interesant i Google, mund t’ju shërbej edhe nëse jeni duke e përgatitur ndonjë garë kuizi me miqtë. Ajo mund t’iu ndihmojë edhe atyre që në mënyrë profesionale udhëheqin llogari në rrjetet sociale, dhe kanë mungesë të ideve se çka mund t’iu ofrojnë përcjellësve të tyre. Ata që në mënyrë profesionale merren me krijimin, optimizimin dhe promovimin e përmbajtjeve, me opsionin e Google Fun Facts mund të gjejnë përplot ide të reja për artikuj, postime apo statuse të reja.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE