Në edicionin e 96-të të çmimeve të Akademisë Amerikane të Filmit të njohur thjesht si OSCAR, filmi i regjisorit Kristofer Nolan (Christopher Nolan) “Oppenheimer” ishte fituesi i madh i mbrëmjes me gjithsejtë shtatë çmime të fituara nga trembëdhjetë nominime.
Fitorja e këtij filmi, i cili e tregon historinë e krijuesit të bombës atomike, ishte edhe më e madhe pasi që ai doli fitues në disa prej kategorive kryesore: si filmi më i mirë, regjia më e mirë, aktori më i mirë në rolin kryesor, dhe aktori më i mirë në rol dytësor.
Në kategorinë e femrave aktorja Ema Stone (Emma Stone), në mënyrë paksa befasuese u nderua me çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor për paraqitjen e saj në filmin “Poor Things”. Ky film i fitoi edhe tri çmime të tjera për dizajnin e produksionit, grimin më të mirë dhe dizajnin e kostumeve.
Filmi i huaj më i mirë u shpall drama britanike “The Zone of Interest”, e cila flet për Holokaustin.
Humbësi më i madh i mbrëmjes mund të quhet filmi i Martin Skorceze (Martin Scorsese) “Killers of the Flower Moon”, i cili përkundër 10 nominimeve dhe vlerësimeve tejet pozitive si nga kritikët ashtu edhe nga publiku nuk e fitoi asnjë çmim të vetëm. Gjithsesi, aktorja Lily Gladstone, e cila ishte e nominuar për çmimin e aktores më të mirë në rol kryesor hyri në histori, pasi që ajo është aktorja e parë indiane amerikane që u nominua në këtë kategori.
Në vijim i gjeni fituesit e kategorive kryesore:
Filmi më i mirë: Oppenheimer
Regjia më e mirë: Kristofer Nolan – Oppenheimer
Aktori më i mirë në rol kryesor: Cilian Mërfi (Cillian Murphy) – Oppenheimer
Aktorja më e mirë në rol kryesor: Ema Stoun – Poor Things
Aktori më i mirë në rol dytësor: Robert Douni Xhunior (Robert Downey Jr.) – Oppenheimer
Aktorja më e mirë në rol dytësor: Davine Xhoi Randolf (Da’Vine Joy Randolph) – The Holdovers
Filmi i huaj më i mirë: The Zone of Interest
Dokumentari më i mirë: 20 Days in Mariupol
Skenari i përshtatur më i mirë: American Fiction
Skenari origjinal më i mirë: Anatomy of a Fall