PANTEONI – NDËRTIMI I OBJEKTIT MË TË VJETËR NË ROMË ENDE MBETET MISTER PËR EKSPERTËT

 

Janë të pakta ndërtesat që kanë mbijetuar që nga lindja e Perandorisë Romake, që i bie rreth 2.000 vjet më parë, mirëpo Panteoni jo vetëm që ka mbijetuar, por e ka bërë këtë pa shumë ndërhyrje dhe renovime. Krahas kësaj kubeja e tij mbetet kubeja më e madhe në botë e ndërtuar pa përdorimin e përforcimeve. Për më tepër, sot e kësaj dite nuk dihet se si e ndërtuan romakët e vjetër atë para 2.000 vjetëve.

 

Si u ndërtua Panteoni?

Kur e pa për herë të parë, Mikelangjelo that se Panteoni ishte vepër e engjëjve dhe jo e dorës së njeriut. Pjesa hyrëse është e ngritur mbi 16 shtylla masive korintike, ku secila prej tyre peshon 60 tonelata. Ato janë 11,8 metra të larta dhe me diametër 1,5 metra, ndërsa janë sjellë aty nga Egjipti.

 

Këto kolona u bartën me saja antike të drurit rreth 100 kilometra nga gurorja ku u nxorën deri te Lumi Nil. Më pas, gjatë baticave të Lumit Nil në periudhën e vërshimeve pranverore, ato u dërguan në anije dhe më pas përmes Detit Mesdhe u transportuan në Limanin Ostia, nga ku përmes Lumit Tiber u sollën në Romë.

 

Mirëpo, përkundër historisë së jashtëzakonshme për shtyllat në hyrje të Panteonit, ajo që e veçon atë është kubeja e tij, e cila ishte më e madhja në botë deri në ndërtimin e kubesë së Katedrales së Firences në shekullin e 13-të. Sidoqoftë, kubeja e Panteonit mbetet kupola më e madhe në botë pa përforcime.

 

Panteoni simbol i gjenialitetit dhe gjëegjëzë e historisë

Sot Panteoni qëndron si një përmendore e gjenialitetit të Romës antike, por edhe si një gjëegjëzë e historisë, sepse askush nuk është i sigurt se si arritën romakët të ndërtonin një kupolë aq të madhe. Sipas disa teorive këtu bëhet fjalë për përforcimin e mureve me ndihmën e harqeve bartëse, por edhe që romakët kanë përdorur një formë më të përparuar të betonit nga ai që e përdorim ne sot.

 

Ndonëse ekspertët sot e kësaj dite nuk janë të sigurt se si është ndërtuar kjo kube, ata me sukses ia kanë arritur që t’i identifikojnë të gjitha materialet që janë përdorur në përzierjen e betonit, gjë që të paktën i shpjegon deri diku metodat e ndërtimit. Pikë së pari, romakët e vjetër e njihni dhe e përdornin praktikën arkitekturore të quajtur gradim, sipas të cilës materialet më të rënda dhe më të forta, si shkëmbinjtë e mëdhenj të bazaltit, u vendosën në bazën e përzierjes së betonit. Sa më lart që shkonte ndërtesa, edhe materialet e përdorura ishin më të lehta. Edhe betoni i përdorur në majë ishte më i hollë dhe rrjedhimisht më i lehtë dhe kështu tërë pesha është në bazën e ndërtesës.

 

Në maje të kubesë gjendet hapja e njohur si okulus (ose Syri i Panteonit) që është burimi i vetëm i dritës. Drita e diellit kalon nëpër sipërfaqet e shumta të mermerit brenda Panteonit duke e ndriçuar kështu tërë dhomën. Kjo e hapur rrethore, po ashtu i ndihmon konstruksionit që ta bart peshën e vet. Nëpër të hyn edhe shiu, mirëpo poshtë këtij syri Panteoni është i përthyer lehtë me 22 të hapura të fshehura mirë të cilat shërbejnë për ta nxjerrë jashtë ujin e shiut. Sot në Panteon krahas personaliteteve të tjera të famshme gjendet edhe varri i piktorit të madh Rafaelos.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE