PARKU DHE KONSERVATI KOMBËTAR I DUNAVE TË MËDHA TË RËRËS NË KOLORADO, SHBA

 

Kur flitet për dunat e rërës vendi i parë që na vjen ndër mend është Shkretëtira e Saharës, dhe vendi i fundit është zona përplot me dëborë e Kolorados në SHBA. Sidoqoftë, besoni apo jo, Kolorado është shtëpia e disa dunave të rërës, të cilat janë mbetje të një liqeni të tharë mijëra vjet më parë. sot kjo zonë është një park dhe konservat kombëtar.

 

Dunat mbi 230 metra të larta

Është tërësisht e kuptueshme pse Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-ve e ka pagëzuar këtë park sipas dunave të tij të rërës të cilat ngrihen në mbi 230 metra lartësi. Dunat janë një tipar i pazakonshëm për topografinë e Kolorados. Mirëpo, kodrat e larta të rërës janë pjesë e një cope të peizazhit ku përfshihen pyje halore, liqene alpine dhe ligatina. Madje, parku dhe konservati i përfshijnë edhe disa pjesë të tundrës në lartësi më të mëdha, ku bashkohen me Malet e Sangre de Cristo (që në përkthim do të thotë Gjaku i Krishtit).

 

Ecja dhe rrëshqitja në rërë – aktivitetet kryesore

Për të arritur tek dunat duhet të përshkohet në këmbë Përroi Medano i cili është shumë i gjerë por, edhe i cekët. Përroi zakonisht rrjedh nga fundi i prillit deri në fund të qershorit, ku në të shumtën e rasteve kulmi i rrjedhës ndodh në fund të majit dhe në fillim të qershorit. Gjatë pjesës tjetër të vitit, përroi zakonisht është vetëm disa centimetra i thellë, nëse ka ujë fare.

Ecja në këmbë lejohet gjithandej dunave. Krahas kësaj, në Parkun Kombëtar të Dunave të Mëdha të Rërës rrëshqitja me dërrasë (Sandboarding) apo me saja të rërës janë aktivitetet argëtuese kryesore për shumë familje! Disa shitore me pakicë aty ofrojnë për huazim dërrasa dhe saja për rrëshqitje në rërë gjatë tërë vitit.

 

Vendndodhja

Parku Kombëtar dhe Konservati i Dunave të Mëdha të Rërës gjendet në qarqet Saguache (Sanguaçe) dhe Alamosa në Kolorado. Parku Kombëtar shtrihet në Luginën  San Luis përderisa konservati kombëtar shtrihet në lindje të tij në një sektor përbri Vargmaleve Sangre de Cristo që janë pjesë e Maleve Shkëmbore (Rocky Mountains).

 

Dunat shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 78 kilometra katror, përderisa shtrati relativisht i rrafshët i rërës afër tyre, nga ku vjen rëra e dunave, në fakt e përbën pjesën më të madhe të tërë sistemit të dunave, pasi që në të gjendet rreth 90 për qind e tërë rërës së parkut.

Përmasat

Fusha kryesore e dunës është rreth 6,4 kilometra e gjatë në drejtimin lindje-perëndim dhe rreth 9,7 kilometra në drejtimin veri-jug, ku së bashku me një sipërfaqe përbri prej 16 kilometra katror në veri-perëndim e cila njihet si Kompleksi i Dunës së Yllit (Star Dune Complex), e mbulojnë sipërfaqen e sipërpërmendur prej 78 kilometra katror. Përndryshe parku kombëtar e mbulon një sipërfaqe prej 434,2 kilometra katror, përderisa konservati i mbron edhe 168,7 kilometra katror të tjera, duke e çuar sipërfaqen totale të këtij parku dhe konservati kombëtar në gjithsejtë 603,1 kilometra katror.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE