PATAT JANË ROJE TË SHKËLQYERA

 

Si shumica e shpezëve të tjera shtëpiake, edhe patat konsiderohen si budallaçka… Mirëpo, e vërteta është tërësisht ndryshe, gjë që është vërtetuar nga jeta e përditshme dhe studimet shkencore.

 

Është e njohur legjenda që patat e kanë shpëtuar Romën nga sulmi i keltëve në vitin 390 para erës sonë. Teksa i tërë qyteti po flinte, keltët që ishin përvjedhur në muret e qytetit nuk i kishin hetuar as rojet, as qentë, e as gjelat. Mirëpo, ata u hetuan nga patat rojtare të Tempullit të Junos, të cilat me gagarimat e tyre e dhanë alarmin që romakët të zgjoheshin dhe të zmbrapsnin sulmin kelt.

 

Në shenjë falënderimi, patat e shenjta të Tempullit të Junos nuk përfunduan si ushqim në tryezë, ndërsa çdo vit parakalonte një kortezh në krye të të cilit gjendej një patë e artë.

 

Po çka i bën patat kaq rojtar të zot?

Në fakt, patat kanë shikim të jashtëzakonshëm! Mënyra se si janë strukturuar sytë e tyre, ua mundëson atyre që t’i shohin gjërat në detaje shumë më të qarta në distancë më të madhe se sa njerëzit. Gjëja më interesante është që ato mund të shohin edhe rrezet ultravioletë dhe në këtë mënyrë e shohin botën tërësisht ndryshe nga ne.

 

Pastaj është edhe një fakt tjetër. Patat e kanë aftësinë që t’i kontrollojnë sytë e tyre individualisht! Kjo, me plot kuptimin e fjalës do të thotë që ato mund të flenë me njërin sy hapur. Ato thjesht e fikin gjysmën e trurit të tyre, që të pushojë, kurse me gjysmën tjetër e monitorojnë ambientin rreth tyre.

 

Duke i njohur këto aftësi të tyre, shumë njerëz kanë përfituar nga ajo. Në një qytet kinez, patat patrullojnë së bashku me policinë. Në zonat rurale të Provincës Xinjiang, në Kinë, policia nuk mban më qen roje gjatë natës në stacionet policore. Në vend të tyre, janë angazhuar patat, të cilat janë treguar jashtëzakonisht të suksesshme në kryerjen e detyrës së tyre.

 

A mund të jenë patat roje të mira?

Ato kanë dëgjim të jashtëzakonshëm, dhe sikurse shumica e zogjve, ato kanë edhe shikim të tillë. Jo vetëm që shohin më mirë se njerëzit në distanca më të mëdha, por edhe për së afërmi ato i shohin gjërat më mirë se ne. sytë tanë i kanë tre sensor të ndryshëm për ngjyra, të cilët ndër veprojnë për të ndërtuar fotografinë në trurin tonë. Zogjtë i kanë katër të tillë atë të rrezeve ultravjollcë. Rrjedhimisht, atë e kanë një spektër shumë më të gjerë të gjatësive valore që mund t’i shohin. Kështu që gjërat duken edhe më të qarta. Sa i përket reagimit ndaj aktiviteteve në afërsinë e tyre, ato janë shumë të zgjuara dhe të kujdesshme. Disa lloje të tyre mund të jenë shumë të zhurmshme dhe të bëjnë zhurmë të madhe kur vërejnë “lëvizje të çuditshme”. Kurse, disa prej tyre dinë të jenë tejet të kujdesshme në mbrojtjen e territorit të tyre…

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE