PATRIK HAJDARI – “FITNESI NUK ËSHTË HOBI SEZONAL POR STIL I JETËS”

 

“Fitnesi nuk është hobi sezonal por stil i jetës” – kjo është motoja me të cilën e prezanton Patrik Hajdari veten në profilin e tij në Instagram. Kur e lexon këtë thënie e kupton se fitnesi është një prej aspekteve më të rëndësishme të jetës së tij. Apo siç thotë vetë Patriku – fitnesi është shtëpia ime e dytë. Ndonëse i ri në moshë, ai i ka mbi dy dekada që merret me fitnes. Sot ai mundohet që pasionin e tij t’ua kaloj të tjerëve dhe t’iu ndihmojë që të jetojnë shëndetshëm duke zhvilluar zakone të shëndetshme për ushtrime fizike, por edhe në mënyrën e të ushqyerit. Ai, po ashtu, është edhe trajner i licencuar për bodybuilding dhe fitnes. Në vijim ju ftojmë që të lexoni pikëpamjet e tij për rëndësinë e fitnesit dhe sportit për shëndetin tuaj.

 

Si ke filluar të merresh me fitnes?

Interesimi im në këtë fushë ka filluar qysh në moshë të re, gjegjësisht në vitin 2001 kur kam filluar për herë të parë të merrem me fitnes dhe që atëherë deri më sot nuk kam ndaluar së ushtruari, fitnesi është shtëpia ime e dytë.

 

Aspektet më dobiprurëse të fitnesit?

Aspektet dobiprurëse të fitnesit janë të shumta, por unë do të veçoja: Mirëmbajtjen e shëndetit mendor, fizik dhe metabolik; Përmirësimin e performancës; Rritjen e kondicionit dhe energjisë; Parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të kancerit, ankthit, depresionit; Rregullimin e sistemit imunitar, tensionit etj.

 

A janë të rinjtë në Kosovë mjaftueshëm aktiv në sporte dhe fitnes?

Interesimi i të rinjve për sporte dhe fitnes viteve të fundit ka filluar të ngrihet dukshëm dhe kjo është shumë inkurajuese. Marrja me cilindo sport apo fitnes është vitale dhe e domosdoshme për të gjithë njerëzit pa marrë parasysh moshën.

 

Çka duhet të kemi në konsideratë para se të fillojnë të merremi me fitnes?

Duhet të kemi në konsideratë përzgjedhjen e palestrës, konsultimin me një instruktor palestre ose trajner personal, ekzekutimin korrekt të ushtrimeve për të shmangur lëndimet. Po ashtu, duhet ta dimë që ndërtimi i trupit nuk ndodh brenda natës, por duhet kohë, përkushtim, dhe respektim të planit të ushqimit dhe stërvitjeve.

 

Sa i kushtoni rëndësi planit ushqimor në një program stërvitor?

Përfshirja e planit ushqimor në një program të trajnimit është pjesë kyçe dhe shumë e rëndësishme.

 

Sa herë në javë rekomandohen ushtrimet?

Rekomandimi varet përgjithësisht nga caku që e ka personi, por rekomandimi im është që të ushtrohet 3 – 5 herë në javë.

 

Kush janë armiqtë kryesor të shëndetit?

Armiqtë kryesor të shëndetit janë duhani, alkooli dhe steroidet metabolike.

 

Cili është çelësi i suksesit në punën tuaj?

Suksesi në këtë profesion nuk varet nga kualifikimet e veçanta. Për këtë, duhet eksperiencë e gjatë, njohuri shumë të mira praktike dhe dashuria për punën që e bën, sepse vetëm atëherë do të kesh rezultate dhe arritje.

 

Çka ka më shumë rëndësi: fitnesi fizik apo ushqyerja?

Njëzet për qind është fitnesi fizik, tetëdhjetë për qind është ushqimi.

 

Çka ju pëlqen më shumë në lidhje me këtë punë?

Çdo punë që bëhet me pasion pëlqehet. Këtë mund ta them edhe për punën time, pasi që kënaqësia ime më e madhe është ndihma që ua ofroj njerëzve që ta arrijnë atë që dëshirojnë dhe të ndjehen mirë me vetveten.

 

Gabimet më të zakonshme gjatë stërvitjes?

Gabimet më të zakonshme janë frymëmarrja e gabuar, pozicionimi jo korrekt i trupit gjatë ushtrimeve, etj.

 

Pesë ushtrime që mund të zhvillohen në kushte shtëpiake për të qëndruar në formë?

Ushtrimet që mund të zhvillohen në kushte shtëpiake për të qëndruar në formë janë pompat, barkoret, paralelet, ngritje uljet galiç (squat) dhe tërheqjet lart në shtangë (pull-ups).

 

Porosia e juaj për të rinjtë?

Porosia ime është që të merren me aktivitete fizike sportive çfarëdo qoftë, të mos ndikohen nga faktorët negativ që e shkatërrojnë të jetuarit e shëndetshëm, le të fokusohen në aktivitete fizike, në mirëmbajtjen e trupit duke u ushqyer shëndetshëm dhe të mos ngurrojnë të merren me fitnes.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE