PËRFUNDON STINORI I FUTBOLLIT 2021-2022 – JA DISA STATISTIKA

 

Fundjava që e lamë pas ishte java e fundit e stinorit të futbollit 2021-2022 në shumicën e ligave evropiane. Përderisa në disa liga titulli i kampionit ishte vendosur javë më parë, në disa të tjera kampionët u vendosën vetëm pas përfundimit të ndeshjeve të fundit, dhe madje në mënyrë shumë dramatike. Deri në fillimin e stinorit të ardhshëm, në vijim po ua prezantojmë disa statistika interesante të përgatitura nga kanali i famshëm ESPN.

 

PREMIER LEAGUE

 

0 – Chelsea është ekipi i parë në historinë e Premier League që e përfundon stinorin pa qenë asnjëherë në disavantazh pas përfundimit të pjesës së parë.

 

4 – Pas fitores dramatike në 15 minutat e fundit të ndeshjes së fundit, Pep Guardiola e siguroi titullin e tij të katërt në Angli. Kjo do të thotë se ai tani ia ka kaluar Arsene Wenger dhe Jose Mourinho, të cilët i kanë nga tre tituj secili. Tani, vetëm i madhi Alex Ferguson, me gjithsejtë 13 tituj, ka më shumë tituj të fituar të Premier League se sa Guardiola.

 

10 – Qëkur e ka filluar karrierën e tij si trajner për një klub në ligat e para në stinorin 2008-2009, Pep Guardiola i ka fituar 10 tituj. Rrjedhimisht, ai është trajneri me më shumë tituj të fituar në pesë ligat e para më të mëdha në Evropë (Premier League, Ligue 1, Bundesliga, Serie A, La Liga) se çdo trajner tjetër.

 

05:36 – Të tre golat e Manchester City, të cilat ia siguruan titullin në ndeshjen e fundit të stinorit, u shënuan brenda 5 minutave dhe 36 sekondave. Për më tepër, kjo është hera e parë që City e ka fituar një ndeshje në Premier League, në të cilën kanë qenë duke humbur me më shumë se dy gola diferencë që nga ndeshja kundër Norwich (3-2) në shkurt të vitit 2005.

 

6 – kjo është hera e parë që nga stinori 1980-1981 që Manchester United i ka humbur gjashtë ndeshje rresht në ligë si mysafir. Kjo është edhe hera e parë që nga stinori 1989-1990 (-1) që ata nuk e mbyllën stinorin me bilanc pozitiv të golave. Sivjet bilanci i tyre ishte 0 (zero).

 

9 – Harry Kane tani i ka të shënuar nëntë gola në ditën e fundit të sezoneve të Premier League. Ai u barazua me Andrew Cole dhe Les Ferdinand, të cilët po ashtu kanë hyrë në historinë e Premier League me nga nëntë gola të shënuara në ndeshjet e fundit.

 

23 – Mohammed Salah dhe Son Heung-Min janë fituesit e këpucës së artë me nga 23 gola të shënuar. Son është lojtari i parë aziatik që e fiton këpucën e artë. Ndërsa, Salah është lojtari i katërt që e mbyll një stinor në Premier League me numrin më të madh të golave (23) dhe asistimeve (13). Para tij këtë e kanë arritur Andy Cole (stinori 93-94), Jimmy Floyd Hasselbaink (stinori 98-99) dhe Harry Kane (stinori 20-21). Po ashtu, kjo është këpuca e tretë e artë e Salah; vetëm Thierry Henry (4) ka më shumë.

 

SERIE A

 

1 – Ky është titulli i parë i Serie A për AC Milan që nga stinori 2010-11 dhe kjo është periudha më e gjatë (11 vjet) që ata nuk e kanë fituar titullin që nga stinorët 1968-79 (12 vjet).

 

2 – AC Milan e fitoi titullin me 86 pikë, vetëm dy pikë më shumë se Inter Milan (84). Kjo është hera e dytë në tre stinorët e fundit që gara për titull u vendos me 2 ose më pak pikë (në stinorin 2019-20 Juventus e fitoi titullin e kampionit të Serie A me vetëm një pikë më shumë se Inter Milan).

 

19 – AC Milan tani u barazua me rivalët e tyre të qytetit Inter Milan në vendin e dytë me 19 tituj të fituar. Ekipi me më shumë tituj është Juventus me gjithsejtë 36 tituj të fituar.

 

25,7 – Me moshë mesatare prej 25,7 vjet, Ky ekip i AC Milan është ekipi më i ri që e ka fituar titullin e kampionit italian që nga ekipi i AC Milan në stinorin 1987-1988, i cili kishte moshë mesatare 25,4 vjet.

 

78 – Kjo është një statistikë e mahnitshme: Salernitana janë vetëm skuadra e tretë që kanë arritur të shmangin rënien në ligën e dytë pasi i kanë pranuar së paku 78 gola në një stinor të Serie A. Dy skuadrat e tjera janë Livorno (79 gola në stinorin 1929-30) dhe Lucchese dy herë (82 gola në stinorin 1947-48 dhe 79 në stinorin 1949-50).

 

LA LIGA

 

3 – Atletico Madrid kanë përfunduar në tri vendet e para në La Liga gjatë 10 stinorëve që Diego Simeone është trajneri i tyre. Shikuar në perspektivë, ata nuk ia kanë arritur që të përfundojnë në tri vendet e para plot 14 herë përpara se Simeone të ishte në krye.

 

4 – Barazimi me Real Betis do të thotë që kjo është hera e katërt që Real Madrid nuk arrin që ta fitojë ndeshjen e fundit përpara një Finaleje të Ligës së Kampionëve. Në stinorin 2017-2018 ata barazuan me Real Sociedad, në 2001-02 humbën kundër Deportivo, dhe në stinorin 1999-00 humbën nga Valladolid. Që të tria këto herë, Madrid ia doli që të fitonte titullin e Kampionit të Ligës së Kampionëve.

 

0 – Kjo është hera e parë që nga stinori 1983-84 që Real Madrid e përfundoi një stinor pa asnjë karton të kuq!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE