PESË DESTINACIONET MË TË MIRA NË BOTË PËR PUSHIME DIMËRORE

 

Nga fshatrat alpinë piktoreskë e deri te qytetet e mbuluara nga dëbora, stina e dimrit ofron një sërë përvojash magjepsëse. Kur kësaj ia shton edhe bukurinë e skijimit dhe aktiviteteve të tjera në dëborë nuk është e vështirë për ta kuptuar pse janë të shumtë ata që i pëlqejnë pushimet dimërore më shumë se sa ato veroret. Në vijim i gjeni pesë destinacionet më të mira në botë për pushime dimërore.

Banf, Kanada (Banff, Canada)

I vendosur në Malet Shkëmbore mahnitëse në Kanada, Banf e rrezaton një bukuri që i kaplon vizitorët gjatë tërë vitit. Sidoqoftë, Banf shkëlqen me të vërtetë gjatë muajve të dimrit. Me majat e mbuluara nga dëbora, liqenet me ujë të pastër si loti, dhe qendra skitare të klasit botëror, kjo qytezë pitoreske shndërrohet në një mrekulli skitare. Entuziastët e skive mund të rrëshqasin shpateve me dëborë në Banff Sunshine Village (Fshatin e Diellit Banf) apo Lake Louise Ski Resort (Resorin Skitar të Lienit Luiz), përderisa adhuruesit e natyrës mund të kënaqen me shëtitje në dëborë apo edhe patinazh. Këto përvoja kompletohen me ujërat qetësues të Banff Upper Hot Springs (Ujëvarat e Ngrohta të Epërme të Banf), një kënaqësi kjo që duhet të përjetohet teksa flluskat e dëborës që bie vallëzojnë përreth jush duke e krijuar një skenë përrallore.

Reikjavik, Islandë (Reykjavik, Iceland)

Në tokën e zjarrit dhe akullit, Reikjaviku ngrihet si një qendër e pashoqe e kënaqësive dimërore. Përkundër temperaturave tejet të ulëta, kryeqyteti i Islandës rrezaton ngrohtësi dhe bukuri, duke ofruar një sërë përvojash magjepsëse për udhëtarët dimëror. Aty mund të kënaqeni duke i shikuar Dritat e Veriut teksa e ndrisin qiellin apo të eksploroni shtegun e Rrethit të Artë (Golden Circle), ku do të shihni ujëvara madhështore, gejzerë gëlues, dhe peizazhet mahnitëse të Parkut Kombëtar Thingvelir (Thingvellir). Pas një ditë përplot eksplorime mund të vizitoni një prej kafiterive mikëpritëse të Reikjavikut për të shijuar jetën e natës së këtij qyteti përplot me shfaqje muzikore.

Salcburg, Austri (Salzburg, Austria)

Duke qenë vendlindja e Mocartit (Mozart) dhe frymëzimi i filmit Tingulli i Magjisë (The Sound of Music), Salcburgu është mishërimi i bukurisë dhe romancës së një mrekullie dimërore evropiane. I vendosur rrëzë maleve të mbuluara me dëborë dhe përplot me arkitekturë të stilit Barok, ky qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO, e rrezaton elegancën e botës së vjetër dhe shpirtit festiv. Magjia e tij e arrin kulmin në periudhën e Krishtlindjeve kur rrugët e Qytetit të Vjetër (Altstadt) zbukurohen me drita vezulluese dhe tregjet e Krishtlindjes ofrojnë një sërë punimesh artizanale dhe ushqimeve të përzgjedhura. Një vizitë në Kështjellën “Hohensalzburg” ofron pamje panoramike të qytetit pa e harruar këtu mundësinë për të bërë një shëtitje me karrocë me kuaj në Kopshtet Mirabell.

Trumso, Norvegji (Tromsø, Norway)

I vendosur brenda Rrethit Arktik, trumso u ofron vizitorëve një mundësi të veçantë për të përjetuar bukurinë magjepsëse të dimrit polar. Përkundër largësisë, ky qytet e gëzon një atmosferë të gjallë me një sërë aktivitete dimërore. Aventura mund të fillojë me një aventurë me sajë të tërhequr nga qentë nëpër pyjet e mbuluara me dëborë, apo me një udhëtim në natyrë në kërkim të Aurora Borealis. Ata që janë më guximtar mund të provojnë peshkimin në akull në fjordet e ngrira, apo të ndërmarrin një safari dimëror me skuter me ski përgjatë peizazheve të paprekura nga njeriu.

Aspen, SHBA (Aspen USA)

I njohur për shtigjet skitare të klasës botërore, dhe skenës joshëse pas skijimit, Aspen mbetet një prej favoritëve të përhershëm në mesin e entuziastëve të pushimeve dimërore. I vendosur në zemër të Maleve Shkëmbore në Kolorado (Colorado), kjo qytezë malore pitoreske, e ofron një përzierje të përsosur të aventurave në natyrë dhe shërbimeve të luksit. Shpatet e masivit me dëborë të Aspen (Aspen Snowmass) ofrojnë shtigje të përshtatshme për adhuruesit e skive dhe snoubordëve të të gjitha niveleve. Kjo ofertë plotësohet me shëtitje në dëborë apo ekskursione me ski. Pas aventurave të ditës, në mbrëmje mund ë kënaqeni me trajtime në llixha apo duke shijuar kuzhinën e jashtëzakonshme të restoranteve të Apsenit. Me bukurinë natyrore mahnitëse dhe shërbimet luksoze, Aspen e ofron një përvojë të pushimeve dimërore si askund tjetër.

 

Këto pesë destinacione të pushimeve dimërore u ofrojnë vizitorëve mundësinë për të përjetuar magjinë e dimrit dhe për të krijuar kujtime për tërë jetën. Ata që janë në kërkim të aventurave në shtigjet për ski, duke i ndjekur Dritat e Veriut, apo që thjesht dëshirojnë të përjetojnë atmosferën festive, këto vende magjepsëse padyshim ofrojnë frymëzim dhe kënaqësi për vizitorët e të gjitha moshave.