PESË GJËRAT QË I KEMI MËSUAR NGA KAMPIONATI “US OPEN 2020”

Të gjithë do t’a kujtojmë Kampionatin “US Open”, pasi është i pari nga katër garat e tenisit “Grand Slam” që u organizua gjatë pandemisë COVID-19 (Wimbledon dhe Roland Garros janë anuluar ose shtyrë). USOPEN.ORG kujton pesë gjëra që i kemi mësuar gjatë këtij kampionati të madh të paharrueshëm.

 

Bollëku i yjeve të rinj do ta bëjë WTA-në (Shoqata e tenisit për gra) atraktive për ta shikuar për shumë vite

Bianca Andreescu, Naomi Osaka, Sofia Kenin dhe Ash Barty janë vetëm disa nga emrat e një numri të madh të lojtareve të reja që po fitojnë tituj të mëdhenj. Ndërsa rivalitetet e reja zhvillohen dhe tifozët mësojnë më shumë rreth lojtarëve, betejat ndërmjet brezave – të yjeve të rinj dhe kampionëve të suksesshëm – përkatësisht Serena Williams-it dhe Victoria Azarenka-së – vetëm sa do të shtojnë kureshtjet e një brezi të ri të kampionëve, të gatshëm për të përfaqësuar sportin si jashtë ashtu dhe brenda fushës.

 

Thiem, Zverev tregojnë se loja e meshkujve do të jetë në rregull pasi të largohet “treshja madhështore”

Do të na mungojnë vërtet Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic, gjersa tenisit për burra do t’i duhen vite, nëse jo edhe dekada, për të zhvilluar kampionë me ndjekje të ngjashme. Por pas kampionatit “US Open 2020” që nuk e përfshiu asnjërin prej tyre në çerekfinale, me plot siguri mund të themi se tenisi për meshkuj do të jetë në rregull edhe pasi treshja madhështore do të thotë lamtumirë.

Dominic Thiem mund të bëhet udhëheqësi i ri, pasi e fitoi edicionin e këtij viti (titulli i tij i parë i madh). Fituesi i vendit të dytë i “US Open 2020”, Alexander Zverev, së bashku me Daniil Medvedev, Andrey Rublev, Stefanos Tsitsipas dhe Denis Shapovalov, që të gjithë gjithashtu duken të gatshëm për të hedhur hapin tjetër në vitet e ardhshme. Kjo pa i përfshirë lojtarët e tjerë të rinj mbresëlënës si Felix AugerAliassime, Taylor Fritz, Frances Tiafoe, Alex de Minaur dhe Borna Coric.

 

Nënat janë të zonja

Nëntë nëna filluan në shortin individual dhe dy prej tyre ishin protagoniste të ndeshjes më të mirë të turneut, kur Azarenka e mblodhi veten për të mposhtur Williams-in në gjysmë-finale për të arritur finalen e saj të tretë në “US Open”. Në dyshe, rusja Vera Zvonareva u sigurua që nënat të merrnin një titull me vete, kur e fitoi kurorën me gjermanen Laura Siegemund. Këto gra kanë lindur, kanë kaluar muaj të tërë larg sportit dhe kanë tejkaluar sfidat fizike dhe mendore që ndërlidhen me cilindo rikthim. Për të gjitha nënat që frymëzuan dhe luajtën në “US Open”, ju lumtë!

 

Lojtarët e tenisit mund të ngrenë zërin e tyre dhe të luajnë tenis të shkëlqyeshëm

Si lojtare, Osaka fitoi titullin e tretë të madh dhe kurorën e dytë të “US Open”. Si person, ajo e udhëhoqi luftën për drejtësi sociale në Qendrën Kombëtare të Tenisit “Billie Jean King” të Shoqatës Amerkane të Tenisit. Osaka mbajti shtatë maska gjatë turneut, secila me emrin e një personi me ngjyrë që ishte vrarë në SHBA. Ajo e nderoi jetën e Breonna Taylor, Elijah McClain, Ahmaud Arbery, Trayvon Martin, George Floyd, Philando Castile dhe Tamir Rice. Edhe lojtarë të tjerë e ngritën zërin e tyre për drejtësi racore, përfshirë Tiafoe, i cili mbante maska me mbishkrimin “Black Lives Matter” dhe i kishte këto tri fjalë, së bashku me “Say Her Name” (Thuaje Emrin e Saj), të shkruara në këpucët e tij.

 

Tenisi mund të ekzistojë gjatë pandemisë së koronavirusit

Për pesë muaj, adhuruesit dhe lojtarët e tenisit menduan nëse tenisi profesionist mund të kthehej gjatë pandemisë së koronavirusit. Më shumë se gjithçka, “US Open” iu përgjigj kësaj pyetje me një PO të fortë. Sigurisht, ka mësime për të nxjerrë nga kampionati i parë i madh që u zhvillua gjatë pandemisë, ashtu siç ka pasur mësime të nxjerra nga gjithçka që është përpjekur të kthehet që kur COVID-19 mbylli pjesën më të madhe të botës në fillim të këtij viti. Por, me sasinë e duhur të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë dhe respektimit nga palët e nevojshme, tenisi jo vetëm që mund të ekzistojë gjatë një pandemie – por dhe mund të lulëzojë. Deri në vitin e ardhshëm, qofshi të sigurt dhe të shëndetshëm!

 

Burimi: www.usopen.org

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE