Furçë për pikturim dhe ngjyra. Disa lëvizje dhe drita e kreativitetit transferohet në pëlhurë dhe ngadalë bëhet një kryevepër e vërtetë. Shkolla e pikturës në Lepina mblodhi më të rinjtë. Duke gjykuar nga punimet, artistët e ardhshëm nuk kishin bërë vetëm piktura. Ata dërguan dritën në thellësitë e zemrës njerëzore, sepse ajo është akoma një ftesë e artistit.
Pse pikturuan mu në Lepina?
Ky vend është i ndryshëm në shumë mënyra. Përveç se janë fqinjë nga komunitete të ndryshme, Lepina është edhe shtëpia e dy artistëve. Farija dhe Bajram Mehmeti, motër dhe vëlla, janë piktorë që ishin të gatshëm të transferonin njohuritë dhe aftësitë e tyre tek më të rinjtë.
Shkolla e pikturës u organizua me mbështetjen financiare të Këshillit të Evropës dhe mbështetjen e organizatës GAIA. “Ne kemi dashur të mbështesim Bajramin dhe Farijen për të zgjeruar dhe shkëmbyer njohuritë e tyre, të cilat janë me të vërtetë të rëndësishme, me të rinjtë që jetojnë në Lepina dhe vende të tjera,” shpjegon koordinatori i projektit në emër të GAIA, Petar Djordjevic.
Mundësia e shprehjes artistike mblodhi rreth tridhjetë fëmijë nga – komunitetet serbe, shqiptare, rome, ashkali dhe egjiptiane. Shumë gjëra u pikturuan portrete, natyrë e vdekur, vjeshta, stinët… Mirëpo, të rinjtë e kanë pasur gjithmonë lirinë për të pikturuar secilën temë ashtu siç dëshironin ata.
Cilat janë përshtypjet e tyre?
“Fëmijët janë shumë të kënaqur dhe mendoj se qasja që e kanë Bajrami dhe Farija është shumë e rëndësishme, sepse ata u japin fëmijëve liri, me vetëmohim ndajnë njohuritë e tyre. Ambienti që krijuam është gjithashtu i rëndësishëm. Ne e rregulluam që fëmijët të vizatojnë jashtë në një atmosferë të këndshme. Për ta është mjaftë intersant, në secilën orë ata e provojnë një teknikë të re të vizatimit, dhe ardhja e tyre e rregullt tregon se atyre u pëlqen kjo,” shton Djordjevic.
Milica, Medina, Filipi, Gentoni, Leonardi, Adili… këta janë vetëm disa nga nxënësit në këtë shkollë. Fakti që artistët e ardhshëm janë nga komunitete të ndryshme kishte një bukuri të veçantë.
“Piktura është universale për të gjithë, kështu që nuk ishte e vështirë për arsimtarët tanë t’u shpjegonin atyre se çfarë duhet të bënin, dhe është një formë universale e komunikimit,” shpjegon Djordjevic.
Përshtypja e dorës së parë është identike. Filipi merret me vizatim që kur ishte tre vjeç. Por kishte pak mundësi për t’u përfshirë në mënyrë aktive në klasat dhe punëtoritë e pikturës. Kjo është arsyeja pse kjo punëtori tremujore ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të përmirësuar aftësitë e tij duke punuar në mënyrë aktive me Bajramin, shpjegon nëna e tij, Ivana Stojkovic.
Arti si urë për të kapërcyer paragjykimet
“Përveç gjithë kësaj, ajo që mua personalisht më pëlqen më shumë në të gjitha këto, është që seminari është multietnik dhe se Filipi nuk ka pasur kurrë problem me të. Sa herë që ai do të vinte në shtëpi, ai ishte i kënaqur me punën dhe djaloshin shqiptar me të cilin punonte dhe fliste në gjuhën angleze. Pra, kjo është një mundësi e shkëlqyeshme, krahas mësimeve për pikturimin, që fëmijët të rriten për të qenë njerëz tolerantë dhe të hedhin poshtë paragjykimet që i kanë shumica e njerëzve në këtë zonë,” shtoi Stojkovic.
“Më vjen mirë që kemi arritur t’u sigurojmë fëmijëve diçka interesante në këtë kohë të çuditshme,” shpjegon Djordjevic.
Për shkak të masave pandemike, nxënësit e shkollës vazhdojnë të pikturojnë në shtëpitë e tyre, por kjo është edhe përgatitja për ekspozitën e ardhshme. Ekspozita përfundimtare është planifikuar të mbahet në fund të Dhjetorit në Shtëpinë e Kulturës “Graçanica.” Nëse masat kundër përhapjes së pandemisë lejojnë, kjo do të jetë një mundësi për të parë vetë aftësitë e nxënësve të shkollës. Nëse jo, atëherë të paktën njihni shpresat e reja të një arti tjetër në rrjetet sociale.