PK: NË SHËRBIM TË POPULLIT TË KOSOVËS!

 

Policia kujdeset për sigurinë e njerëzve duke mbrojtur të drejtat, jetën dhe pronat e tyre, detyrat e tyre janë të larmishme, dhe puna e tyre është shumë dinamike. Karriera e një zyrtari të policisë është interesante dhe sfiduese dhe gjithashtu ofron mundësi të shumta për të përfituar aftësi dhe njohuri të ndryshme.

Policia e Kosovës së fundmi festoi 21 vjet të ekzistencës së saj, dhe Revista ‘For You’ kishte rastin që t’i vizitojë kadetët e gjeneratës 55 të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri. Kjo gjeneratë i ka gjithsej 429 kadetë, dhe një përqindje e madhe e tyre janë vajza. Në fillim të bisedës sonë me ta mësuam se kërkohet që të ndjekin trajnime për dy vjet. Sidoqoftë, për t’u regjistruar në akademi, secili kandidat duhet t’i kalojë disa teste dhe provime, për të konfirmuar nëse janë të kualifikuar, dhe nëse kanë gjithçka që iu duhet për t’u bërë zyrtarë të policisë. Gjendja fizike, fitnesi i mirë dhe shëndeti i shkëlqyeshëm janë tiparet që duhet të plotësohen nga të gjithë kandidatët, si dhe vullneti dhe dedikimi i fuqishëm.

Ne i takuam kadetët e gjeneratës 55 në oborrin e AKSP-së, ndërsa ishin duke bërë gjimnastikë e mëngjesit. Kapiteni i tyre, Reshat Bugacku, deklaroi se ai është i kënaqur me këtë gjeneratë dhe se ai është krenar për kadetët e tij në këto kohë sfiduese të pandemisë COVID-19. Ai më tej thekson se në prani të policisë, të gjithë mund të ndihen të sigurt dhe është kjo ndjenjë e sigurisë, përveç uniformës, që i joshë të rinjtë që t’i përgjigjen thirrjes. Ai gjithashtu theksoi se Policia e Kosovës është në shërbim të popullit. “Që kur u krijua, mbi 20 vjet më parë, ne kemi punuar me profesionalizëm dhe dedikim, për ta garantuar sigurinë dhe rendin publik. Ne jemi në shërbim të popullit në çdo kohë, ne e përmbushim misionin tonë që parashikon se të gjithë kanë të drejtë të jenë të lirë, të punojnë, të lëvizin dhe të shprehen pa diskriminim”, tha kapiteni Reshat Bugacku.

Miqësia në Akademi!

Radmilla Radicevic është nga Zubin Potoku, ajo është 21 vjeçe dhe është një nga kadetët në Akademi. Fillimisht, ajo tha se i pëlqente të ishte zyrtare e policisë sepse falë tyre vendoset paqja në mes të njerëzve, respektohet barazia dhe mbrohet jeta dhe prona e njerëzve. Radmilla thekson se është e lumtur me mundësinë për ta realizuar ëndrrën e saj. Qëllimi i saj është që një ditë të bëhet zyrtare e mirë e policisë dhe t’i shërbejë të gjithë popullit të Kosovës. Në veçanti ajo thekson miqësinë me kolegët e saj në Akademi: “Aktivitetet tona janë të larmishme dhe ato e zënë pjesën më të madhe të ditës. Në kohën tonë të lirë rrimë së bashku këtu në Akademi, pasi që për shkak të pandemisë nuk na lejohet të dalim jashtë”. Ajo vazhdoi duke theksuar se preferon të mësojë me metoda tradicionale, por për shkak të pandemisë, rrethanat kanë ndryshuar edhe në Akademi.

Radmilla u bëri apel bashkëmoshatarëve të saj që ta përkrahin njëri-tjetrin dhe ta japin maksimumin për të pasur sukses. “Mesazhi im është se të gjithë duhet ta ndjekim rrugën tonë, t’i realizojmë ëndrrat tona dhe t’i mbërrijmë pikësynimet tona në jetë”.

Kolegu i saj Nikolla Mlladenoviç është nga Graçanica dhe është gjithashtu 21 vjeç. Ai tha se të qenit oficer i policisë ia mundëson t’i ndjekë synimet e tij dhe t’i realizojë ëndrrat. Ai beson se gjithçka është e mundur me punë dhe mund, dhe dëshira e tij është që një ditë të bëhet i suksesshëm në punën e tij. Ai shton se të gjithë në Akademi janë së pikë së pari miq, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, dhe të gjithë ata një ditë do të punojnë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. “Ne stërvitemi së bashku, marrim pjesë në parada, mësojmë. Unë do t’i inkurajoja të gjithë miqtë e mi që të bëhen zyrtarë të policisë, sepse ata do ta kenë një punë dhe jetë të mirë. Ky profesion nuk është kurrë i mërzitshëm”, tha Nikolla.

Programi në AKSP në Vushtrri përbëhet nga trajnimi dyvjeçar, nga të cilët shtatë muaj janë ligjërata teorike të pasuara me punën në terren, ushtrime dhe provimin final. Pas kësaj, kadetët diplomohen dhe bëhen zyrtarë të policisë. Të gjitha orët mbahen në shqip dhe serbisht (me ndihmën e përkthyesve), dhe disa kadetë ndjekin mësimet në të dy gjuhët.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE