POLICIA E KOSOVËS: “JU LUTEMI BARTNI MASKAT!”

 

Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, jo vetëm në Kosovë por, në mbarë botën, një gjë ka qenë e sigurt përtej çdo dyshimi: Bartja e maskave është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga ky kërcënim global!

 

S’do mend, obligimi për përdorimin e maskave nuk u pranua në të gjithë botën njësoj. Në disa vende të lindjes së largët (Japoni, Kore e Jugut, Kinë, etj.) ky nuk ishte ndonjë problem i madh pasi që në këto kultura, bartja e maskave është një fenomen i zakonshëm. Mirëpo, në shumë vende të tjera, ku bënë pjesë edhe Kosova, bartja e maskave nuk u pranua edhe aq lehtë. Për këtë arsye, zbatimi i këtij obligimi kërkoi mjaft angazhim nga institucionet e ndryshme, ku sidomos Policia e Kosovës luajti dhe vazhdon të luajë një rol thelbësor.

 

Policia e Kosovës gjithmonë në shërbim të popullit të Kosovës

Angazhimi i Policisë së Kosovës, përmes fushatave vetëdijesuese, patrullimeve të përditshme dhe kur ishte e nevojshme edhe përmes shqiptimit të gjobave, ishte faktori kryesor që i bëri të gjithë njerëzit në Kosovë që të vetëdijesohen dhe të bartin maska dhe kështu të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së korona virusit. Rishtas, ekipi ynë pati rastin që të përcillte një patrullë të Policisë së Kosovës në Ferizaj, në një prej patrullimeve të tyre vetëdijesuese në këtë qytet. Gjatë këtij patrullimi, zyrtarët policor kishin për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve. Kjo do të thotë se gjatë kësaj kohe nuk u shqiptua asnjë gjobë. Mirëpo, disa qytetarë u ndaluan dhe atyre iu tërhoq vërejtja për bartjen e maskave si duhet. Po ashtu, në disa raste, zyrtarët policor gjatë këtij patrullimi u ndalën edhe vetëm për të biseduar me njerëzit në rrugë për shqetësimet e tyre në lidhje me pandeminë dhe atmosferën e përgjithshme në qytet.

 

Në lidhje me punën e policisë gjatë kësaj periudhe zyrtarja policore Ermira Topalli në mes të tjerash porositi: “Të dashur qytetarë, duke i respektuar dhe zbatuar masat mbrojtëse, si dhe duke i mbajtur maskat ju e mbroni veten, familjen dhe miqtë tuaj. Po ashtu, ju ndihmoni në parandalimin e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.” Kësaj thirrjeje të zyrtares Topalli, iu bashkëngjit edhe kolegu i saj, zyrtari policor Milan Subariq, i cili shtoi se Policia e Kosovës është gjithmonë në shërbim të të gjithë banorëve të Kosovës.

 

Pse duhet bartur maskat?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), bartja e maskave është pjesë e strategjisë gjithëpërfshirëse për të parandaluar përhapjen dhe për të shpëtuar jetët e njerëzve. Gjithnjë, sipas OBSH-së, bartja e maskave duhet të jetë një sjellje e zakonshme kur jemi afër njerëzve të tjerë. Krahas kësaj, është e rëndësishme që të tregohemi të kujdesshëm se si i përdorim, ruajmë dhe i pastrojmë maskat, në mënyrë që përdorimi i tyre të ketë efektin maksimal. Prandaj, duhet të mundohemi që çdo herë para se ta vëmë apo heqim maskën t’i pastrojmë/dezinfektojmë duart. Pasi ta heqim maskën atë duhet ta ruajmë në një qese plastike, dhe nëse është maskë nga pëlhura për shumë përdorime ta lajmë çdo ditë, kurse nëse është maskë për një përdorim ta hedhim atë në koshin e plehrave. OBSH, po ashtu, porosit që të mos i përdorim maskat me valvule.

 

Përdorimi i maskave lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përhapet COVID-19

Testet dhe përvoja e deritanishme e kanë dëshmuar përtej çdo dyshimi se përdorimi i maskave lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përhapet koronavirusi që e shkakton COVID-19. Siç e dimë, ky virus përhapet nga stërkalat e imëta që ne i lirojmë gjatë frymëmarrjes, të folurit, dhe sidomos gjatë kollitjes apo teshtimës. Këto stërkala varësisht nga mënyra e lirimit, mund të udhëtojnë deri në disa metra nga burimi i tyre (kjo është arsyeja për mbajtjen e distancës). Për këtë arsye, bartja e maskave jo vetëm na mbron ne nga thithja e këtyre stërkalave por, edhe nga shpërndarja e tyre nga ne tek të tjerët. Me fjalë të tjera, duke i bartur maskat ne jo vetëm që e mbrojmë veten nga të tjerët por, edhe i mbrojmë të tjerët nga ne.

 

Vetëm bartja e maskave nuk mjafton

OBSH, thekson se vetëm bartja e maskave nuk është e mjaftueshme që njerëzimi ta mund këtë kërcënim global sa më shpejt që të jetë e mundur. Krahas bartjes së maskave, ne duhet edhe të mbajmë distancën dhe t’i shmangim tubimet e mëdha (të çfarëdo natyre qofshin ato) si dhe të mbajmë higjienën personale, gjegjësisht t’i pastrojmë me sapun apo dezinfektojmë duart sa më shpesh që të jetë e mundur dhe njëherit, të mos e prekim fytyrën me duar.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE