POLICIA E KOSOVËS: NGA KADET NË POLIC

 

Puna e policisë është këmbëngulje për të bërë gjënë e duhur në pajtim me ligjin dhe në shërbim të qytetarëve. Puna e policisë ka të bëjë edhe me dashurinë për punën dhe të qenët zyrtar i policisë është diçka që bëhet pjesë e jotja. Zyrtarët e policisë Ivan Aritonoviq dhe Fjolla Morina janë dy zyrtarë të rinj policor të cilët e ndjejnë të njëjtin përkushtim dhe pasion për punën e tyre.

 

Revista For You e pati rastin që t’i takonte këta dy zyrtarë policor tri vjet më parë në Vushtrri, kur ata ishin kadetë të gjeneratës së 54-të të Policisë së Kosovës.

 

Asokohe, ata na folën për shpresat dhe pritjet e tyre për karrierën e tyre të ardhshme, dhe ne vendosëm që t’i takonim sërish për të mësuar nëse shpresat dhe ëndrrat e tyre ishin realizuar.

 

Kësaj radhe ne i takuam ata në vendet e tyre të punës në stacionin policor, në Prishtinë. Ivan Aritonoviq beson se transformimi që ai e ka bërë nga student i akademisë në polic ishte mjaft i suksesshëm. “Kur u largova nga Akademia, pasi kalova me sukses trajnimin, fillova të punoja në stacionin policor, në Prishtinë. Kishte pritje dhe eufori, gjithçka ishte e re për mua. Dita-ditës ne fitonim përvojë si në terren ashtu edhe në zyrë, e cila e plotësonte profesionalizmin që e kemi zënë në Akademi. Gjithsesi, kur erdha për të punuar këtu në këtë stacion, më së shumti më kanë ndihmuar kolegët dhe shefat e mi me përvojë”.

 

Ndiqni ëndrrat tuaja, shkollohuni, jepni maksimumin

Zyrtarja e Policisë së Kosovës (PK) Morina theksoi se aktualisht të gjithë jemi duke u përballur me një periudhë të vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19: “Menaxhimi i situatës në terren ishte një sfidë e madhe, por falë bashkëpunimit me të gjithë njerëzit, mendoj se arritëm të bënim një punë mjaft të mirë”.

 

Ajo nënvizoi se vlerat si profesionalizmi dhe integriteti, të cilat i mësoi gjatë kohës së saj në Akademi, janë çelësi i suksesit të saj në karrierën e saj të deritanishme. Morina, po ashtu theksoi se është e kënaqur me profesionin që e ka zgjedhur sepse ajo i ndihmon të gjithë njerëzit në Kosovë.

 

Zyrtari i PK-së Aritonoviq i rikujtoi disa kujtime nga Akademia dhe tha: “Ajo që preferoj të kujtoj nga Akademia është shoqëria me kolegët e tjerë student. Ishte mirë, ne u shoqëruam dhe ishim si një familje e madhe,” tha Aritonoviq. Ai vazhdoi me një porosi të thjeshtë për të rinjtë: “Porosia ime për të rinjtë është mësoni dhe punoni shumë dhe jepni maksimumin, sepse kështu do t’i arrini qëllimet tuaja”.

 

Kur, zyrtarët policor Morina dhe Aritonoviq, u betuan se do t’iu shërbenin dhe mbronin të gjithë njerëzit në Kosovë, këta zyrtar të rinj policor besonin që mund të kontribuonin për një të ardhme më të mirë për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ky besim, kjo energji dhe ky entuziazëm nuk u mungon as sot. Përkundrazi, vetëm sa iu forcohen çdo ditë e më shumë. Prandaj, ata ju ftojnë të gjithëve, që t’iu bashkoheni atyre në Policinë e Kosovës për hir të së ardhmes së të gjithë njerëzve në Kosovë!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE