POLICIA ËSHTË POPULLI DHE POPULLI ËSHTË POLICIA

 

“Policia është Populli dhe Populli është Policia” – kjo është motoja e cila në mënyrë të thjeshtë e shpjegon synimin e Policisë së Kosovës (PK) për të ofruar siguri në partneritet me bashkësitë e tyre përmes shërbimeve cilësore, bashkëpunuese dhe të sinqerta. Për të arritur këtë synim policia ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithë banorëve të Kosovës, prandaj që nga themelimi i saj, PK-ja e ka bazuar punën e saj në konceptin e “Policimit në Bashkësi”.

 

Një ndër tiparet më të dallueshme të zbatimit të këtij koncepti është se çdo banorë i Kosovës mund të njihet me policët që patrullojnë në lagjen e tyre. Rrjedhimisht, komunikimi i tyre me këta zyrtarë policorë për të gjitha shqetësimet dhe brengat që i preokupojnë është shumë më i lehtë.

 

Komitetet Lokale për Siguri Publike

Thelbi i policimit në bashkësi është ndërtimi i ndërveprimit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm në mes të policisë lokale dhe lagjeve ku ata patrullojnë, me synimin që të ulet kriminaliteti në një zonë të caktuar. Me qëllim të institucionalizimit dhe organizimit të policimit në bashkësi si dhe që të forcohet bashkëpunimi me anëtarët e bashkësisë, PK-ja me propozim të bashkësisë apo të Komandantit të Stacionit policor mund të themelojë edhe Komitete Lokale për Siguri Publike (KLSP).

 

Siç kemi raportuar në të kaluarën, KLSP-të janë trupa konsultativë për policinë në identifikimin, adresimin dhe në partneritet me policinë gjetjen e zgjidhjeve për problemet lokale në bashkësi. Me qëllim të ndërtimit të aftësive të tyre dhe për të përmirësuar profesionalizmin e anëtarëve të këtij forumi të sigurisë, me përkrahjen e vazhdueshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizohen trajnime që kanë të bëjnë me ndërtimin e partneritetit, zgjidhjen e problemeve, hartimin e projekteve etj. Një tipar tjetër i rëndësishëm i KLSP-ve është diversiteti i theksuar kulturor, fetar, etnik dhe profesional në përbërjen e tyre.

 

Roli i PK-së në KLSP është mjaft i rëndësishëm dhe jetik. Çdo KLSP i ka përfaqësuesit e policisë të cilët rregullisht arrin pjesë në takimet e organizuara dhe të drejtuara nga kryesuesit e KLSP-ve në të cilat shkëmbehen informata, shqetësime të banorëve dhe në të njëjtën kohë avancohet bashkëpunimi dhe komunikimi me qytetarë.

 

Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi

Një tjetër forum i sigurisë i rëndësishëm për zbatimin e konceptit të policimit në bashkësi janë Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB). Këto forume janë të një niveli më të lartë se sa KLSP-të dhe janë të themeluara në çdo komunë të Kosovës. KKSB-të udhëhiqen nga kryetarët e komunave dhe në kuadër të tyre komandantët e stacioneve përkatëse policore janë anëtarë. Këta të fundit, marrin pjesë në takime të rregullta mujore me ç’ rast ata raportojnë rreth situatës së sigurisë në zonën e tyre të përgjegjësisë. Ndërsa, informatat rreth problemeve dhe çështjeve të sigurisë të cilat ata i mbledhin nga këto takime i adresojnë më tutje në zinxhirin e tyre komandues.

 

Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi

Krahas KLSP-ve dhe KKSB-ve, PK-ja janë edhe pjesë e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi (EVSB). Krijimi i këtyre ekipeve bazohet në idenë që një pjesë e mirë e fuqisë së një shoqërie qëndron tek gatishmëria e njerëzve që të bëjnë ndryshim. Programi i EVSB-ve synon që të krijojë për banorët e vendit një ambient për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me institucionet për të adresuar dhe zgjidhur çështjet dhe brengat lokale. Ky program është zhvilluar në Kosovë në vitin 2003 me ndihmën e programit të asistencës në trajnime të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Disa prej përfitimeve më të shpeshta për bashkësitë pjesëmarrëse në kuadër të këtyre forumeve të sigurisë janë:

 

  • Vetëdije e ngritur ndaj çështjeve dhe brengave aktuale mbi sigurinë në bashkësi;
  • Vetëdije e ngritur ndaj aktiviteteve të përbashkëta që përfshijnë bashkësinë, policinë dhe komunën;
  • Role më të qartësuara të pjesëtarëve të shoqërisë në lidhje me reduktimin e krimit, ngritjen e nivelit të sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të jetës;
  • Komunikim i përmirësuar në mes të bashkësisë, policisë dhe komunës;
  • Aftësi më të mira në zgjidhjen e problemeve.
PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE