PORTA “ARAMU MURU” NË PERU

 

“Aramu Muru” është një formacion i braktisur i gdhendur në shkëmb afër liqenit Titikaka, në rajonin Chucuito të Perusë.

 

Në shkëmbin e sheshuar është gdhendur një derë ose portë e cila e ka formën e shkronjës T, dhe e cila është 198 cm e lartë. Shkëmbi përbëhet nga blloqe të sheshuara me përmasa 20,10 x 10,36 metra, ndërsa qasja në të është kthyer 35 gradë në drejtimin verilindje, që është edhe drejtimi i erërave të liqenit.

 

“Aramu Muru” ose “Hayu Marca”, është padyshim një prej vendeve më mistike në liqenin Titikaka. Sot e kësaj dite nuk dihet me saktësi se cili ishte qëllimi i shfrytëzimit të kësaj hapësire. Shpjegimi më i besueshëm është që ky është një projekt ndërtimor i braktisur i inkave. Një tjetër supozim është që ky konstruktim është projektuar si një observator tokësor-astronomik, për të përcaktuar momentet e përshtatshme për aktivitete bujqësore. Ky supozim bazohet në faktin se në sipërfaqen e sheshuar të bllokut të këtij shkëmbi janë gdhendur edhe disa linja të pjerrëta të cilat përputhen me këndet e brendshme të sipërfaqes së përpunuar.

 

Vetë banorët lokal e quajnë këtë portë “Puerta de Hayu Marca” që në përkthim do të thotë “Porta e Perëndive”, kurse legjendat lokale flasin për njerëz që zhduken përmes kësaj dere si dhe për dukuri të tjera të çuditshme. Ata e konsiderojnë “Aramu Muru” si një derë më vete, kurse njeriu është çelësi i cili mund të kalojë përmes saj kur është në përputhje me pozitën e diellit.

 

Ky lokacion u zbulua në fund të viteve 1990, kur udhërrëfyesi malor Jorge Luis Delgado Mamani, gjatë një eksplorimi të këtij rajoni, hasi në këtë shkëmb të sheshuar deri në tokë me një portë të vogël të gdhendur në të.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE