PROFESORI I KIMISË E GJEN MËNYRËN QË T’I BËJË INTERESANTE ORËT ONLINE!

 

Jonte Lee, profesor i kimisë në një shkollë në Uashington të SHBA-ve, e ka gjetur një mënyrë tejet të veçantë për t’i bërë interesante orët për nxënësit e tij gjatë pandemisë. Atij i ka lindur ideja që ta kthejë kuzhinën e tij në një laborator të kimisë.

 

Në këtë mënyrë, nxënësit kanë mundësinë që në vend të teorisë së thatë t’i shohin drejtpërdrejt edhe eksperimentet të cilat ky profesor unik i kryen në kuzhinën e tij gjatë orëve online.

 

Gjithashtu, ky profesor me mjetet e tij i ka siguruar edhe materialet për mësim për nxënësit në mënyrë që orët të bëhen sa më interesante dhe efikase. Rrjedhimisht, ky profesor është bërë i famshëm jo vetëm në mesin e nxënësve, por edhe të vet prindërve të cilët kanë filluar t’i vijojnë këto orë të tij tejet zbavitëse.

 

Ideja e profesorit Lee u veçua edhe nga ekipi i “Amazon Prime”, të cilët e kanë incizuar një video dokumentar të shkurtër rreth tij në kuadër të projektit të tyre “Heronjtë nga jeta e përditshme”. Kurse, vet profesori ka deklaruar se nxënësit janë të mahnitur dhe mezi i presin orët e lëndës së kimisë.

 

Video incizimet e tij janë rishikuar shumë herë, dhe pyetjes se pse e ka instaluar laboratorin pikërisht në kuzhinën e shtëpisë së tij, ai është përgjigjur se kuzhina është vendi ku mund të mësojmë më së shumti për kiminë, përmes substancave të cilat i kemi të gjithë në shtëpi.

 

Kjo metodë e punës, e këtij profesori të përkushtuar, është bërë aq e famshme, sa që në njërën prej orëve të tyre, profesori Lee dhe nxënësit e tij u befasuan nga një vizitë e papritur e aktorit dhe komedianit amerikan Kevin Hart. Padyshim, kjo vizitë shkaktoi edhe më shumë gëzim dhe kënaqësi për të gjithë të pranishmit.

 

Përkundër tërë vëmendjes, profesori Lee thotë se nuk e konsideron veten si hero, por thjesht si një njeri që e bën punën që e do në mënyrën më të mirë të mundshme.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE