PROGRAMI ASSET ORGANIZON PUNË PRAKTIKE PËR NXËNËSIT E SHKOLLAVE PARTNERE

“Përkundër ndryshimeve në aktivitetet ditore si pasojë e pandemisë, Programi Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt- ASSET vazhdon të jetë i angazhuar për ofrimin e mundësive të ndryshme me qëllim të përforcimit të shkathtësive të buta tek nxënësit e shkollave partnere të programit”, bëri të ditur ditë më parë Qendra për Arsim e Kosovës (KEC).

 

Në vazhdim të njoftimit të tyre për punën e programit ASSET, KEC e veçon suksesin e punës praktike në Riinvest të cilën e përfunduan 37 nxënës të shkollave partnere të këtij programi. Për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe respektimit të distancës fizike puna praktike u zhvillua online përmes platformave ‘Google Meet’ dhe ‘Google Forms’.

 

“Nxënësit patën mundësi të përfitojnë shkathtësi të punës ekipore, komunikimit, dhe hulumtimit të cilat u mundësuan përmes një trajnimi për metodat dhe teknikat e hulumtimit. Trajnimi ishte 4 ditorë, dhe nxënësit mësuan se si të administrojnë një hulumtim nga Gent Beqiri, eksperti për hulumtim në Kolegjin Riinvest,” theksohet më tej në njoftimin e KEC.

 

Për më tepër, nxënësit pjesëmarrës të këtij trajnimi patën mundësinë që të gjitha njohuritë e fituara gjatë trajnimit t’i aplikojnë edhe në praktikë përmes realizimit të një ankete me rreth 1500 nxënës të shkollave partnere të Programit ASSET mbi ‘Orientimin në studime’. Pas përfundimit të anketimit, ata i përpiluan edhe raportet nga të gjeturat e hulumtimit për secilën shkollë, thuhet në fund të njoftimit të KEC.

 

Programi Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt financohet nga USAID dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE