PSE EKIPET E FUTBOLLIT I KANË NGA NJËMBËDHJETË LOJTARË NË FUSHË?

 

Kampionati evropian i futbollit tashmë ka mbaruar, por a e keni vrarë ndonjëherë mendjen se pse ekipet e futbollit i kanë nga 11 lojtarë?

 

Në lidhje me këtë, në historinë e futbollit njihet një anekdotë për një klasë shkollore në Angli, e cila i kishte njëzet nxënës të cilët gjithmonë ndaheshin në dy grupe me nga dhjetë lojtarë, kurse lojtari i njëmbëdhjetë, portieri, ishte mësuesi.

 

Sidoqoftë, arsyeja se pse ekipi me njëmbëdhjetë lojtarë sot konsiderohet të jetë optimal nuk ka të bëjë me historinë sa me vetë fizikën e kësaj loje. Gjatë garave të tilla si kampionatet botërore apo edhe ato evropiane, por edhe për ato të niveleve kombëtare dhe ekipore, miliona njerëz në mbarë botën interesohen që t’i shohin këto ndeshje. Me sa duket, ky nivel i interesimit ndikohet dukshëm pikërisht nga numri i lojtarëve që janë në fushë.

 

Fusha e futbollit sipas rregullave duhet të jetë 90 deri në 120 metra e gjatë, dhe 45 deri në 90 metra e gjerë. Lojtarët në fushë gjatë një loje prej 90 minutave mesatarisht lëvizin me shpejtësi prej 5 metra në sekondë. Duke qenë se hapësira e lëvizjeve të tyre është e kufizuar, fare lehtë ne mund të përgjigjemi në pyetjen – sa lojtarë duhet të jenë në fushë për të krijuar kushte optimale që futbolli të ketë cilësinë më të lartë?

 

Për këtë mund të shërbejë madhësia e cila njihet si shtegu mesatar i lirë, e cila në fizikë shërben për të përshkruar lëvizjen e grimcave gjatë ndeshjeve kaotike. Ajo mund të llogaritet si gjysma e rrënjës katrore të numrit të lojtarëve në fushë dhe sipërfaqes së fushës – d = ½√(N/A). Në këtë rast ‘N’ është numri i lojtarëve, kurse ‘A’ është sipërfaqja e fushës. Kur pjesëtohet me shpejtësinë mesatare, shtegu mesatar i lirë na mundëson që ta përcaktojmë kohën mesatare në mes të kontakteve të dy lojtarëve.

 

Në bazë të përmasave të caktuara të fushës, nga kjo llogaritje e thjeshtë rezulton që kjo kohë mesatare është tepër e lartë për më pak lojtarë, dhe kur numri i lojtarëve është tepër i madh kjo kohë është tepër e shkurtër. Kurse, kur në fushë gjenden dhjetë lojtarë në fushë dhe një portier, koha mesatare në mes të dy kontakteve është optimale dhe ajo është – tri sekonda.

 

Kjo kohë mjafton që gjatë sekondës së parë një lojtar të pranojë topin, gjatë të dytës të vendos kur do ta pasojë apo gjuaj atë, dhe gjatë sekondës së tretë ta kryejë veprimin e menduar (pasimin ose gjuajtjen). Nëse në fushë gjenden dymbëdhjetë ose më shumë lojtarë, koha për reagim është më e shkurtër se tri sekonda prandaj edhe lëvizjet janë më të ngutura, dhe rrjedhimisht loja e futbollit bëhet më kaotike.

 

Ndërsa, nëse në fushë ka më pak lojtarë dhjetë apo nëntë, koha për reagimin individual është më e gjatë se tri sekonda, dhe kështu loja bëhet më ngadalshme dhe më e mërzitshme. Sigurisht, themeluesit e futbollit mbase nuk i janë qasur këtij problemi me përllogaritje fizike, por deri te numri optimal i lojtarëve në fushë është arritur falë përvojës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE