PSE ËSHTË E RËNDËSISHME FIZIKA?

 

Të gjithë e kemi dëgjuar dhe mbase edhe kemi thënë shumë herë që matematika është shkenca kryesore dhe kjo është e vërtetë. Mirëpo, nga një këndvështrim tjetër, fizika është po aq e rëndësishme, në mos edhe më e rëndësishme se sa matematika, pa dashur që të zvogëlojmë rëndësinë e shkencave të tjera. Shtrohet pyetja: Pse qenka fizika kaq e rëndësishme?

 

Fizika është shkenca natyrore që e studion materien, përbërësit e saj thelbësor, lëvizjen dhe sjelljen e saj në kohë dhe hapësirë, dhe entitetet e tjera të ndërlidhura të energjisë dhe forcës. Rrjedhimisht fizika është një prej disiplinave shkencore më thelbësore, qëllimi kryesor i së cilës është që të kuptojë sjelljen e gjithësisë.

 

Si e tillë, gjëja më interesante në lidhje me fizikën është që me siguri, deri tani jeni marrë fizikë apo i keni ndjerë drejtpërdrejt pasojat e saj shumë herë në jetën tuaj, dhe të mos keni qenë të vetëdijshëm për këtë. Për shembull, sa herë që dëshironi ta lëvizni një objekt të rëndë apo ta shkulni një dërrasë të gozhduar ju duhet ta përdorni një levë. Sa herë që e ndizni poçin e rrymës ju përdorni elektricitet të prodhuar në një termo ose hidroelektranë apo edhe në ndonjë central atomik, dhe të gjitha ato nuk do të mund të funksiononin pa e njohur fizikën. Udhëtimi me aeroplan nuk do të ishte i mundur pa e njohur fizikën. Nëse e bëni një fotografim në rëntgen përsëri fizika. Me fjalë të tjera, kudo që shkoni çka do që bëni ju keni të bëni me fizikën.

 

Tani mbase jeni duke menduar se nëse kaq shpesh takoheni me fizikën dhe as nuk keni qenë të vetëdijshëm për këtë, a është e rëndësishme që ta njihni atë? Në lidhje më këtë mund t’ju themi që sa më shumë që ta njihni dhe ta kuptoni fizikën aq më shumë do ta kuptoni se sa e rëndësishme është që ta njihni dhe të merreni edhe më shumë me të.

 

Një shembull tjetër në fund për këtë janë lojërat e fatit si loto, bingo, bastoret. Fizika statistikore tregon për probabilitetin për të fituar në raste të tilla. Për shembull, nëse në lojë rrotullohen rreth 100 topa dhe vetëm njëri prej tyre e ka numrin tuaj fitues, atëherë gjasat për tërheqjen e atij numri janë 1/100, gjegjësisht 0,01. Nëse ju duhen më shumë numra gjasat zvogëlohen në mënyrë eksponenciale. Kështu që, nëse njerëzit do ta njihnin fizikën, shumë prej tyre as nuk do të hynin kurrë në ndonjë bastore, sepse gjasat për të fituar janë tepër të vogla, kurse gjasat për të humbur qoftë edhe një euro të vetme është pothuajse tërësisht e sigurt. Shprehur më ndryshe, më shumë keni gjasa që të goditeni nga rrufeja në kohë me diell, se sa që të fitoni ndonjë shumë mjaftueshëm të madhe në bastore.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE