PSE ËSHTË FTOHTË NË GJITHËSI?

 

Të gjithë e dimë se jashtë mbështjellësit të Tokës bën shumë ftohtë. Edhe temperaturat më të ftohta në polet e Tokës janë të ‘rehatshme’ në krahasim me kushtet jashtë planetit tonë.  Sigurisht, gjithësia nuk është gjithmonë e ftohtë; gjithçka varet nëse jemi të kthyer nga dielli apo jo. Shtrohet pyetja pse ndodh kjo?

 

Dielli është një top i gazit dhe zjarrit në bërthamën e të cilit temperatura arrin në pothuajse 15 milionë gradë celsius (14.999.982,222 për të qenë të saktë), kurse në sipërfaqen e tij temperatura arrin në rreth 5538 gradë celsius. Ndërsa temperatura e gjithësisë, kur largohesh mjaftueshëm nga atmosfera mbrojtëse e Tokës sillet rreth -270 gradë celsius.

 

Nxehtësia udhëton përmes gjithësisë në formën e rrezatimit, një valë infra e kuqe e energjisë e cila migron nga objektet e ngrohta tek të ftohtat. Valët e këtij rrezatimi i eksitojnë molekulat me të cilat vijnë në kontakt, duke i bërë ato që të nxehen. Kështu udhëton nxehtësia nga Dielli deri në Tokë (dhe çdo planet tjetër në Sistemin Diellor). Mirëpo, puna është që rrezatimi i ngroh vetëm ato molekula të cilat qëndrojnë drejtpërdrejt në rrugën e tij. Gjithçka tjetër mbetet e ftohtë. Kështu për shembull në planetin e Merkurit, temperatura në pjesën e errët të këtij planeti mund të jetë 537 gradë celsius më e ftohtë se sa në pjesën që rrezatohet nga Dielli, pohon NASA.

 

Krahasojeni këtë me kushtet në Tokë, kur ajri përreth nesh mbetet i ngrohtë edhe në hije, e madje edhe natën gjatë muajve të verës. Kjo ndodh sepse temperatura në planetin tonë udhëton në tri mënyra të ndryshme (përçimi, konvekcioni dhe rrezatimi) dhe jo vetëm në një mënyrë. Kjo do të thotë që kur rrezatimi i godet dhe i ngroh molekulat e atmosferës sonë, ato ua përçojnë energjinë shtesë molekulave përreth tyre. Këto molekula më pas i godasin dhe i ngrohin fqinjët e tyre. ky transferim i nxehtësisë nga molekula në molekulë quhet përçim, dhe është një reaksion zinxhir i cili i ngroh zonat që janë jashtë shtegut të rrezatimit të Diellit. Ndërsa konvekcioni është faza finale e transferimit të nxehtësisë në sipërfaqe, gjegjësisht ngritja lart e materialit më të ngrohtë dhe më pak të dendur dhe rënia poshtë e materialit më të ftohtë dhe më të dendur nga ndikimi i gravitetit, që si rrjedhojë e ka transferimin e nxehtësisë.

 

Shpjegimi i mësipërm na sjell tek gjithësia dhe fakti se ajo nuk ka ajër pra është një vakum – me fjalë të tjera ajo është e zbrazët. Molekulat e gazit janë aq të rralla dhe aq larg njëra-tjetrës sa ato nuk mund të ndeshen mes tyre. Kështu edhe kur Dielli i ngroh me rreze infra të kuqe, transferimi i nxehtësisë përmes përçimit nuk është i mundur, ashtu siç nuk është i mundur transferimi i nxehtësisë përmes konvekcionit, pasi që në këtë rast kërkohet prania e gravitetit.

 

Kështu pra përgjigjja në pyetjen pse është ftohtë në gjithësi është sepse në gjithësi nuk ka atmosferë dhe as gravitet dhe mënyra e vetme për transferimin e nxehtësisë është rrezatimi, i cili funksionon vetëm më materialet dhe objektet që i dalin drejtpërdrejt në rrugë. Njëherit, kjo i shpjegon edhe ekstremet e tjera për sa i përket ndryshimeve të temperaturave, sikurse në shembullin e planetit të Merkurit.

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE