PSE ËSHTË ZHDUKUR SPECIA E ZOGUT DODO?

 

Zogu i pazakontë dodo, të cilin shumica e njerëzve e kanë njohur përmes romanit “Liza në Botën e Çudirave” të autorit anglez Lewis Carroll, edhe sot e kësaj dite e tërheq vëmendjen e shkencëtarëve.

 

Themi edhe sot e kësaj dite, sepse zogu dodo ose dodo i madh (Raphus cucullatus) është një specie e zhdukur e zogut jo fluturues e cila jetonte në Ishullin e Mauritius në lindje të Madagaskarit në Oqeanin Indian. Besohet se shkaku për zhdukjen e kësaj specieje janë marinarët holandezë, të cilët e gjuajtën atë gjatë qëndrimit të tyre në Mauritius. Zogu dodo kapej lehtë pasi që ajo nuk iu frikësohej njerëzve. Ekzistojnë të dhëna se holandezët zbarkuan në këtë ishull më 1958, dhe më pas numri i këtyre zogjve filloi të binte me shpejtësi.

 

Në një studim të publikuar në revistën e Universitetit të Oksfordit, ceket edhe ndikimi i kafshëve të cilat holandezët i sollën në këtë ishull. Derrat, qentë dhe minjtë ushqeheshin me vezët e këtyre zogjve. Kombinimi i këtyre faktorëve e prishi sistemin ekologjik dhe kjo çoi në zhdukjen e zogut dodo nga faqja e dheut.

 

Nuk ka të dhëna të sakta për takimin e parë të njerëzve me këtë zog të pazakonshëm, mirëpo Jacob van Neck, nga Holanda, ishte i pari që e përshkroi dodon, teksa ngulte këmbë se ishin pikërisht ai dhe ekuipazhi i tij të parët që e zbuluan këtë zog. Sidoqoftë, sipas të dhënave historike, portugezët ishin të parët që u takuan me dodon që në vitin 1507.

 

Nuk ka të dhëna të sakta historike, as kur ishte hera e fundit që dodo eci nëpër tokë, por ekspertët besojnë se bëhet fjalë për shekullin e XVII. Gjithsesi, dodo vazhdon të mbetet një zog që i intrigon shkencëtarët dhe njerëzit kureshtarë. Skeletet e plotë të këtij zogu janë shumë të rralla, prandaj koncepti për dukjen e këtij zogu është ndërtuar në një skelet të rindërtuar nga pjesë të mbetjeve të ndryshme.

 

Këtë zog e përcjellin shumë pyetje pa përgjigje, dhe kjo vlen edhe për vet emrin e kësaj specie të zhdukur. Ekzistojnë tri shpjegime etimologjike për këtë emër. I pari është se ai vjen nga fjala holandeze dodoor ose fjalës portugeze duodo që do të thotë “budalla” ose “i krisur”. Sidoqoftë, shpjegimi i tretë është më i pranueshmi, sipas të cilit emri rrjedh nga fjala holandeze dodaars, e cila do të thotë një lloj i nyjës nga qimet në trupin e njeriut.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE