PSE JANË TË PËRGJAKURA ALPET FRANCEZE?

 

Gjatë muajve të dimrit, Alpet Franceze dallohen për bollëkun e dëborës së bardhë dhe rrjedhimisht ato janë shtëpia e disa prej qendrave skitare më të njohura në Evropë. Mirëpo, në pranverë, me ardhjen e temperaturave të larta, mbulesa e bardhë fillon që ta ndërrojë ngjyrën e vet dhe të merr nuanca të ndryshme – nga e rozë e çelë deri në të kuqe të errët. Shkencëtarët këtë fenomen e kanë quajtur “gjaku i akullnajave” dhe ndonëse i kanë disa supozime ata janë duke i hulumtuar arsyet pse vjen deri te ky fenomen.

 

Supozimi kryesor është që shkaku i këtij ndryshimi të ngjyrës është lulëzimi i mikroalgave të kuqe, kurse studimet kanë treguar që diçka e ngjashme ndodh edhe në majat e tjera malore në mbarë botën. Duke qenë se kjo dukuri paraqitet në mbarë botën dhe në masë të madhe, studimet për këtë fenomen janë duke u zhvilluar nga shkencëtarët e disa instituteve të ndryshme, deklaroi Eric Marshall, udhëheqësi i laboratorit të fiziologjisë së bimëve në Universitetin e Grenoblit.

 

Ata i kanë mbledhur mostrat e tokës nga 5 maja të lartësive të ndryshme për të studiuar ADN-në e algave. Me këtë studim është vërtetuar që njërit prej llojeve kryesore të algave – Sanguina – i pëlqen që të rritet në lartësi mbidetare prej rreth 2.000 metra. Sipas tyre, është me rëndësi që të vërtetohet se për cilin lloj të algave bëhet fjalë, në mënyrë që të mund të përcillet edhe më tej sjellja e tyre.

 

Adeline Stewart, e cila ka punuar në këtë studim gjatë studimeve të doktoratës, thotë se algat janë baza e të gjitha ekosistemeve. Ato mund të prodhojnë sasi të mëdha të oksigjenit, dhe nganjëherë mund të shtohen me shpejtësi aq të madhe sa që mund edhe ta çrregullojnë baraspeshën natyrore, gjë që e sjell ngjyrën e kuqe.

 

Ngjyra që do ta marrin – kuqe, gjelbër, gri ose verdhë – varet nga pigmentet e tyre dhe molekulat e tjera, të cilat algat i përdorin për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë. Duke qenë se këto nuanca thithin gjithnjë e më shumë dritë të diellit, fillon shkrirja e dëborës. Në aspektin afatgjatë, kjo mund të ndikojë në zvogëlimin e akullnajave, pohojnë shkencëtarët.

 

Për sa i përket asaj se çka i shtyn algat që të lulëzojnë, është vërtetuar se ndikimi kryesor mund të jetë faktori njeri. Ky studim shkencor do të vazhdojë të fokusohet në ndikimin që e ka temperatura, gjegjësisht ndryshimet e saj, në procesin e lulëzimit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE