QË FËMIJËT TË NDJEJNË SA MË PAK DHIMBJE!

 

T’ua lehtësojmë jetën fëmijëve me kancer dhe të afërmve të tyre, duke u ofruar atyre përkrahje praktike, emocionale dhe materiale, t’u japim atyre shpresë, t’ua largojmë frikën për shkak të pasigurisë që sjell sëmundja, dhe t’ua lehtësojmë procedurat e dhimbshme në luftën drejt shërimit. Të gjithë e dimë se jeta nuk është përrallë, por këtë e dinë më së miri ata që përballen çdo ditë me këtë sëmundje të keqe. Historia që vijon është një histori për humanitetin e disa njerëzve që përpiqen pa u lodhur të ndihmojnë të sëmurët në rrugën e tyre drejt shërimit…

 

Shoqata “Nicola Ciardelli” e mori emrin e një oficeri të ushtrisë italiane që vdiq në Irak në vitin 2006. Ajo u themelua në kujtim të Nikollës dhe deri më tani ka ndihmuar rreth 700 pacientë të rinj të regjistruar në Repartin Pediatrik Onko-Hematologjik të spitalit të Prishtinës. Para së gjithash, ndihma jepet në formën e akomodimit dhe trajtimeve falas në Itali për fëmijët e sëmurë dhe prindërit e tyre, sepse ata nuk i kanë fondet e nevojshme për udhëtimet e gjata dhe terapinë e komplikuar.

 

Ky fondacion, së bashku me Fondacionin ‘Cure2children’ dhe Fondacionin ‘Stefano Bellaveglia’, tani po punon në një projekt për rritjen e kapaciteteve të Spitalit Universitar në Prishtinë. Synimi i tyre është që ta aftësojnë departamentin e onkologjisë pediatrike për vendosjen e kateterave venoz qendror (portave) te pacientët e rinj që vuajnë nga tumoret malinje. Këto porta permanente janë jetike në kursimin e këtyre pacientëve nga dhimbjet dhe vuajtjet e panevojshme të cilat ata duhet t’i përballojnë sa herë që i nënshtrohen trajtimit të tyre. Në këtë, misioni i KFOR-it u ofron atyre një ndihmë të madhe.

 

Avokatja Federica Ciardelli është kryetare e Shoqatës “Nicola Ciardelli” dhe motra e ushtarit të rënë. Së fundmi, ajo është pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, i cili e ka falënderuar për vetëmohimin dhe humanizmin që tregon teksa i ndihmon fëmijët e sëmurë në Kosovë. Ajo theksoi se momenti historik në aftësimin e departamentit të Spitalit Universitar paraqet një hap të ri, i cili do t’i mundësojë Kosovës që të ofrojë kujdes të avancuar për fëmijët që vuajnë nga sëmundjet më të rënda. Ajo, gjithashtu theksoi se ndihma e ofruar nga KFOR-i “mundëson arritjen e qëllimeve të reja dhe më ambicioze me qëllimin e vetëm për të shpëtuar sa më shumë jetë të rinjsh”.

 

Sipas saj, metodat e ndryshme të trajtimit të kancerit kërkojnë infuzione të vazhdueshme të barnave të kimioterapisë, gjë që shkakton vuajtje shtesë tek pacientët e vegjël, pasi që ato shpesh zgjasin me muaj. Për këtë arsye ajo e theksoi nevojën për të trajnuar punëtorët shëndetësorë nga Prishtina që t’i menaxhojnë në mënyrë të pavarur pajisjet të cilat e mundësojnë administrimin e kimioterapisë, duke i lehtësuar kështu vuajtjet dhe duke mundësuar trajtim më efektiv.

 

Së bashku në luftën kundër tumoreve malinje

Kërkesës së saj iu përgjigjën mjekët italianë, të cilët u bënë trajnime kolegëve të tyre nga Kosova, Petrit Gjakës dhe Enver Hasit. Trajnimi i tyre u realizua në spitalin e Pizës, dhe rezultat i punës së përbashkët dhe zhvillimit profesional ishin ndërhyrjet e para që Dr. Gjaka dhe Dr. Hasi i kryen në Prishtinë në fillim të shkurtit të këtij viti.

 

Mjekët dhe personeli mjekësor i KFOR-it i mbikëqyrën të gjitha fazat e ndërhyrjes, nga faza përgatitore deri në atë postoperative, duke siguruar bashkëpunimin afatgjatë që misioni i KFOR-it e ka me Shoqatën “Nicola Ciardelli”. Mbështetja profesionale e KFORit kontribuon në mënyrë aktive në suksesin e këtyre ndërhyrjeve.

 

Gjatë intervenimit në sallë ishte i pranishëm kapiteni mjekësor i ushtrisë italiane, Davide Telesco i cili tha: “Si pjesëtar i KFOR-it, roli im ishte që ta mbikëqyrë ndërhyrjen, si kirurg, dhe të jem një urë lidhjeje për bashkëpunim në mes të mjekëve nga Kosova dhe Italia. Detyra jonë është edhe ta rrisim besimin e popullatës në institucionet shëndetësore vendore, të cilat kanë staf të trajnuar dhe të motivuar dhe që me entuziazëm ofrojnë profesionalizmin e tyre për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.”

 

Nga ana e tij, Dr. Hasi e konfirmoi kryerjen e ndërhyrjes, duke theksuar: “Është një gjë e jashtëzakonshme, sepse fëmijët nuk do të ndjejnë më dhimbje. Po të mos ishin shoqatat italiane dhe KFOR-i, diçka e tillë nuk do të ishte e mundur.” Revista ‘4You’ shprehë respekt për të gjithë këta njerëz të cilët po punojnë së bashku për fëmijët në Kosovë në luftën kundër sëmundjeve malinje. Ne e dimë se ata përballen me një betejë të vështirë, por le të na japin një shembull të ndritshëm në luftën për një të ardhme më të mirë, çdo ditë hap-pas-hapi – të gjithë së bashku.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE