QYTETI I PINGUINËVE NË AFRIKËN E JUGUT

 

Plazhi Boulders në Simon’s Town (Qytezën e Simonit), në afërsi të Kejptaunit, në Afrikën e Jugut në ofertën e tij turistike i përfshinë edhe pinguinët. Në fakt, ky plazh tejet i pastër i kësaj qyteze rrethohet nga shkëmbinj të granitit, të cilët e mbrojnë atë nga erërat dhe valët dhe e bëjnë atë tejet të sigurt. Njëherit ajo është pjesë e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar Table Mountain.

 

Rëra e butë dhe e bardhë dhe uji i ngrohtë çdo vit i tërheqin rreth 60.000 vizitorë, interesimi kryesor i të cilëve janë banorët më të veçantë, gjegjësisht pinguinët afrikanë. Kolonitë e këtyre pinguinëve mund të shihen që nga Namibia Jugore deri në bregdetin jugafrikan dhe Portin e Elizabetës. Mirëpo, pothuajse vetëm në plazhin Boulders është i mundur shoqërimi me këta zogj.

 

Pinguinët erdhën për herë të parë në këtë vend në vitin 1983 nga ishulli Dier. Duke qenë se gjetën ushqim të mjaftueshëm, kolonitë përparuan shumë shpejt. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite peshkataria komerciale, ndotja e detit dhe shkatërrimi i vendbanimit kanë ndikuar në rënien e numrit të pingunëve.

 

Në vitin 1910 vlerësohej që ekzistonin rreth një milion e gjysmë pinguinë afrikan, kurse vetëm një shekull më vonë ata klasifikohen si një specie e rrezikuar. Për ta shpëtuar këtë specie, ekspertët e kësaj zone janë duke punuar në mbrojtjen e tyre, dhe deri tani ata ia kanë arritur që të rrisin koloninë Boulders në mbi 3.000 zogj.

 

Për t’i parë këta pinguinë kjo zonë duhet të vizitohet gjatë muajve të verës. Në këtë periudhë ata janë më së shumti aktiv dhe mund të shihen edhe në qytet, ku jo rrallëherë i ngrenë foletë e tyre. Ata gjenden atje edhe gjatë muajve shtator dhe tetor, por në këtë kohë kryesisht shkojnë për të gjuajtur peshq dhe rrjedhimisht numri i tyre në plazh është më i vogël. Ekspertët këshillojnë se në muajin janar ofrohet një pamje e veçantë pasi që në këtë periudhë çelin zogjtë e vegjël në plazh.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE