RËNDËSIA E TRASHËGIMISË KULTURORE DHE KUJT I TAKON AJO?

 

Shpesh dëgjojmë për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, por çfarë është trashëgimia kulturore? Dhe kujt i përket?

 

Çka është trashëgimia?

Për të kuptuar se çfarë është trashëgimia, së pari duhet të shohim se çfarë kuptimi kanë fjalët. Trashëgimia në përgjithësi është një pronë, diçka që është e trashëguar, e përcjellë nga gjeneratat e mëparshme. Por në rastin e trashëgimisë kulturore, ajo nuk është vetëm në formën e pronës, por edhe në formën e artefakteve, monumenteve apo një larmi vlerash dhe traditash. Trashëgimia kulturore nënkupton një lidhje të përbashkët, përkatësinë tonë në një komunitet. Ajo përfaqëson lidhjen tonë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

 

Trashëgimia kulturore materiale dhe jo materiale

Trashëgimia kulturore shpesh sjell në mendje artefakte (piktura, vizatime, dizajne, mozaikë dhe skulptura), monumente dhe ndërtesa historike, si dhe vendndodhje arkeologjike. Megjithatë, koncepti i trashëgimisë kulturore është edhe më i gjerë se kjo dhe është zgjeruar gradualisht për të përfshirë dëshmi të krijimtarisë njerëzore si fotografia, dokumentet, librat dhe dorëshkrimet, instrumentet dhe më shumë, qoftë si objekte individuale, qoftë si koleksione. Sot, qytetet, peizazhet nënujore dhe mjedisi natyror konsiderohen gjithashtu pjesë e trashëgimisë kulturore, pasi komunitetet e identifikojnë veten me rrethinën e tyre.

 

Për më tepër, trashëgimia kulturore nuk kufizohet vetëm në objekte që ne mund t’i shohim dhe prekim. Ajo gjithashtu përbëhet nga elemente të paprekshme: traditat, historia gojore, artet skenike, praktikat shoqërore, zanatet tradicionale, ritualet, njohuritë dhe aftësitë e përcjella nga një brez në tjetrin brenda një komuniteti.

 

Rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore

Të gjitha kombet kontribuojnë në kulturën botërore. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të respektohet dhe të mbrohet e gjithë trashëgimia kulturore, përmes ligjeve vendore dhe traktateve ndërkombëtare. UNESCO-ja (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë), e themeluar në vitin 1954, ka miratuar konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për të promovuar mirëkuptimin ndërkulturor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Për këtë qëllim, UNESCOja ka krijuar Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore dhe Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

 

Lista e parë i kushtohet mbrojtjes ligjore të zonave ose monumenteve që UNESCO-ja i konsideron me vlerë të jashtëzakonshme për njerëzimin, ndërsa lista e dytë mbron trashëgiminë jomateriale, si zakonet, muzikën, ritualet dhe të tjera. Për më tepër, e drejta jonë për të shijuar artet dhe për të marrë pjesë në jetën kulturore të komunitetit është përfshirë në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

 

Trashëgimia kulturore e kujt?

Termi trashëgimi kulturore në thelb krijon konceptin e një shoqërie të vetme dhe komunikimin ndërmjet anëtarëve të saj. Megjithatë, kufijtë kulturorë nuk përfundojnë tek kufijtë shtetërorë. Artistët, shkrimtarët, shkencëtarët, zejtarët dhe muzikantët mësojnë nga njëri-tjetri, edhe nëse i përkasin kulturave të ndryshme nga periudha dhe vende të ndryshme.

 

Mendoni për ndikimin e arkitekturës romake në vendbanimin “Ulpiana” afër Prishtinës, dizajnet japoneze në pikturat e Paul Gauguinit, ose maskat afrikane në veprat e Pablo Pikasos, apo edhe për arkitekturën perëndimore në shtëpitë liberiane në Afrikë. Kur skllevërit afrikano-amerikanë të liruar u kthyen në atdheun e tyre, ata ndërtuan shtëpi në frymën e stilit neoklasik të shtëpive në plantacionet amerikane. Nga ana tjetër, stili neoklasik amerikan u ndikua nga arkitekti i Rilindjes Andrea Palladio, i cili u ndikua nga arkitektura klasike romake dhe greke.

 

Të marrim edhe një shembull tjetër, atë të “Mona Lizës”, e cila u pikturua në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë nga Leonardo da Vinçi, dhe që ndodhet në Muzeun e Luvrit në Paris. Nga pikëpamja moderne, cilës trashëgimi kombëtare i përket “Mona Liza”?

 

Leonardoja ishte një piktor shumë i famshëm italian, për këtë arsye “Mona Liza” është padyshim pjesë e trashëgimisë italiane. Kur Leonardo shkoi në Francë për të punuar në oborrin e Mbretit Françesku I, ai mori me vete “Mona Lizën”. Në vitin 1518 Mbreti Françesku I bleu “Mona Lizën” dhe kështu ajo përfundoi në koleksionet mbretërore. Për këtë arsye është padyshim edhe pjesë e trashëgimisë kulturore franceze.

 

Sot kjo pikturë përkufizohet si vepra më e famshme, më e vizituar, më e përfolur artistike dhe si e tillë i përket trashëgimisë kulturore të mbarë njerëzimit. Prandaj, trashëgimia kulturore e trashëguar nga prindërit tanë duhet të ruhet për të mirën e të gjithëve. Në një epokë globalizimi, trashëgimia kulturore na ndihmon të kujtojmë diversitetin tonë kulturor dhe të kuptuarit e saj zhvillon respektin reciprok dhe rivendosjen e dialogut midis kulturave të ndryshme.

 

Romakët e lashtë konsideronin se një vepër arti mund të konsiderohej pjesë e trashëgimisë së të gjithë komunitetit, edhe nëse ishte në pronësi private. Për shembull, skulpturat që zbukuronin fasadën e një ndërtese private u njohën si një vlerë e përbashkët dhe nuk mund të hiqeshin pasi ndodheshin në një hapësirë publike ku mund të shiheshin nga i gjithë komuniteti.

 

Në veprën e tij ‘Naturalis Historia’, autori romak Plini i Vjetër (23-79 p.e.s.) tregon se burrështetasi dhe njëherit gjenerali Agripa vendosi përpara banjave të tij termale skulpturën “Apoxyomenos” (Apoksimenos), një kryevepër e skulptorit shumë të famshëm grek Lysippos. Statuja paraqiste një atlet teksa gërryente pluhurin, djersën dhe vajin nga trupi i tij me një instrument të quajtur ‘strigjil’. Perandori Tiberius e adhuroi aq shumë këtë skulpturë, saqë urdhëroi t’a hiqnin nga vendi publik dhe ta vendosnin në pallatin e tij privat. Populli romak u ngrit dhe e detyruan t’a kthejë Apoksimenosin në vendin e tij të mëparshëm, ku ai mund të admirohej nga të gjithë.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE